Kukulla e re “Barbie” nga kompania e njohur e lodrave “Mattel” ka pompë insuline e monitor të glukozës, e cila është pjesë e serisë së re të kukullave të lansuara nga brendi, ka raportuar The Guardian.
Kjo kukull është projektuar në mënyrë që fëmijët me diabet ta ndiejnë veten të përfshirë në shoqëri.

Në filmin e shumëpërfolur “Barbie”, të regjisores Greta Gerwig, Barbieland është vend i gjithëpërfshirjes e diversitetit. Që nga viti 2019 “Mattel” ka filluar të prodhojë kukulla me aftësi të kufizuara, ani pse kjo kukull e njohur ekziston që nga viti 1959.
Tani kompania ka lansuar “Barbien” e parë me sëmundjen e diabetit të tipit 1, edicioni i fundit i rangut, për të cilin ka deklaruar se është projektuar “të ua mundësojë më shumë fëmijëve që ta gjejnë veten te kjo kukull e ta inkurajojnë sa më shume lojën me kukulla përtej eksperiencave jetësore”.
Diabeti i tipit 1 është sëmundje autoimune ku vet trupi i sulmon dhe i shkatërron qelizat e pankreasit të cilat e krijojnë insulinën. Kjo sëmundje shpesh diagnostikohet në fëmijëri dhe pacientët duhet ta monitorojnë nivelin e sheqerit apo glukozës në gjak e të marrin insulinë për çdo ditë.
“Barbie” e re është dizajnuar në bashkëpunim me organizatën jo-fitimprurëse Breakthrough T1D.

Kukulla ka një pajisje për monitorimin e glukozës, të cilën e ka të vendosur në krah, si dhe një telefon mobil me aplikacionin CGM, i cili iu ndihmon që ta përcjellë nivelin e sheqerit në gjak përgjatë ditës. Ajo po ashtu ka një pompë insuline dhe një çantë që ia zë të gjitha pajisjet mjekësore që i duhen si dhe ushqimet.
Krista Berger, zëvendës shefe e kukullave “Barbie” në “Mattel”, ndërkohë që po promovonte kukullën e re ka thënë se ky është një hap i rëndësishëm drejt përkushtimit që ka kompania për gjithëpërfshirje dhe përfaqësim.
“‘Barbie’ ndihmon fëmijët që të fitojnë përceptimet e para për botën, dhe duke reflektuar edhe sëmundjen e diabetit të tipit 1, ne po sigurohemi që më shumë fëmijë të mund ta shohin veten nëpër historitë që i imagjinojnë përmes lojës me kukullat që i duan”, ka thënë Berger.
“Barbie” e parë afroamerikane u lansua gjatë viteve ’60, kurse ato hispanike u lansuan gjatë viteve ’80, ndërkohë që shumë kukulla në profesione të ndryshme që ushtrojnë gratë u prezantuan në vitet ’90 e 2000.
Në ditët e sotme ka më shumë se 175 lloje të ndryshme të kukullave në fjalë, me shumë ngjyra lëkure, syve, flokëve, tipe të ndryshme trupash si dhe aftësive të kufizuara trupore. Kompania ka përshirë edhe “Barbien” e verbër, “Barbien” afromarikane më sindromë Down, kukulla me aparat dëgjimi, me proteza të ndryshme për gjymtyrë, kukulla me karrocë si dhe “Barbien” më sëmundjen e lëkurës, që quhet vitiligo.
Megjithatë “Barbie” nuk është e vetmja kukull që fokusohet te diversiteti. Kompanie e lodrave “Lottie” ka kukulla me sindromën Down si dhe me autizëm, ndërkohë që kompania “Lego” shet shumë lloje të figurave që kanë aftësi të kufizuara fizike.
“Përfaqësimi ka rëndësi, sidomos në fëmijëri. Të shohësh një kukull ‘Barbie’ me diabet të tipit 1 ndihmon në normalizimin e kësaj sëmundje e në uljen e stigmatizimit dhe u tregon fëmijëve që nuk qëndrojnë vetëm në këtë botë. Ky është një hap pozitiv drejt ndërtimit të vetëbesimit, përfshirjes dhe kuptimit se si është të jetosh me diabet”, ka thënë Arjun Penasar, shef ekzekutiv i “diabetes.co.uk”.