Daniel Day-Lewis e përshkroi punën me djalin e tij regjisor, në filmin “Anemone”, si “gëzim të pastër”, teksa dyshja e solli dramën psikologjike në Festivalin e Filmit në Londër.
Fituesi i trefishtë i çmimit “Oscar” për aktrim, u kthye nga pensionimi për të luajtur në filmin e drejtuar nga Ronan Day-Lewis. Aktori legjendar gjithashtu bashkëshkroi skenarin me djalin e tij.
“Ka qenë vërtet një gëzim i pastër nga fillimi deri në fund. Në shumë mënyra, nuk ishte ndryshe nga gjërat e tjera që kemi zgjedhur të punojmë së bashku ndër vite. E megjithatë, në të njëjtën kohë, ishte një territor i panjohur për të dy ne — si të nisnim nga e para, pa e ditur se ku do të përfundonim, madje pa e ditur nëse do të bëhej ndonjëherë projekt që mund të prodhohej. Prandaj, po, jemi të dy në mënyrë të heshtur të habitur nga rezultati”, ka thënë ai.
Ajo që nisi si diçka e vogël, pa ndonjë ambicie të vërtetë, u rrit në një film të plotë artistik dhe shënoi rikthimin e shumëpritur të Day-Lewisit në kinematografi — tetë vjet pasi kishte njoftuar pensionimin nga aktrimi.
Ngjarja në film zhvillohet në veri të Anglisë, ku një burrë udhëton drejt pyllit në kërkim të vëllait me të cilin e ndan një të kaluar të ndërlikuar. Day-Lewis luan rolin e Rayt, një burrë që ballafaqohet me të kaluarën e vështirë në ushtri, dhe si pasojë ka vendosur të izolohet nga shoqëria. Pas shumë vjetëve, vëllai i tij, Jem (i luajtur nga Sean Bean), e gjen atë dhe përpiqet ta bindë të kthehet tek ish-gruaja dhe djali i tyre adoleshent, i cili është në telashe pasi ka sulmuar një moshatarë të tij.
Ronan, 27 vjeç — djali i Day-Lewis dhe regjisores Rebecca Miller — me këtë projekt debuton si regjisor i filmit artistik.
Ai ka kujtime të shumta nga shesh-xhirimet ku kishte shoqëruar të atin për filma si, “There Will Be Blood” dhe “The Ballad of Jack and Rose”.
“Mendoj se është e vështirë ta them konkretisht, por po, padyshim që ato përvoja si fëmijë në shesh-xhirime ishin magjepsëse. Të shihje botët që ndërtoheshin aty, dhe ajo lloj bote e imagjinuar që trajtohej si e vërtetë, ishte diçka që më pëlqente shumë. Gjithashtu, fakti që prindërit e më kanë shfaqur kaq shumë filma që në moshë të vogël, të cilët përndryshe nuk do t’i kisha parë kurrë, ishte një dhuratë e madhe për mua”, ka thënë ai.
“Anemone” lansohet për publikun e gjerë më 7 nëntor.