Qeveria kufizon mëditjet, togeri Hoxha detyrohet t’i mbulojë vetë shpenzimet në Dubai
Safet Hoxha, komandant i Stacionit Policor në Suharekë, në fillim të këtij viti, ka ndjekur një trajnim për inovacion dhe lidership të kushtueshëm rreth 100 mijë euro në Rochester Institute of Technology në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Kjo mundësi ju dha atij me zero kosto financiare për të dhe shtetin e Kosovës.
Ftesa ishte bërë vitin e kaluar nga Akademia e Policisë së Dubait, që Kosova të jetë pjesë në mesin e 39 shteteve me 59 pjesëmarrës.
“Trajnimi ka zgjat fiks 4 muaj, vlera është shumë e madhe për mua ka qenë përvojë e mire edhe ngritje akademike dhe profesionale. P.sh atje jemi marrë shumë më çështjen e inteligjencës artificiale, qysh funksionon inteligjenca artificiale në qytete, qysh zbatohet ekskluzivisht në Polici, gjatë trajnimit kanë kontraktuar edhe kompani tjera private për një ligjëratë dy tri se atje në shtetet arabe janë duke ndërtuar disa qytete, që po i quajnë qytete të mençura. P.sh në Arabin Saudite është duke u ndërtuar një qytet The Line, diku 170 km gjatësi e i gjerë rreth 60 70 metra, pra smart city dhe tash projektuesit dhe kontraktuesit të atij ndërtimi kanë ardh te na me mbajt një ditë, sepse kanë kërku prej neve ide qysh me organizu siguri”, tregon Safet Hoxha.
Për ta ndjekur këtë trajnim, ai ju nënshtrua konkursit dhe përzgjedhja ishte bërë nga Akademia Policore e Dubait.
Ky trajnim i cili i zgjati katër muaj, përfshiu pjesën akademike, operacionale dhe fizike.
Në fund bashkë me kolegët, policë të tjera nga Evropa kanë finalizuar një punim shkencor, mbi shfrytëzimin e inteligjencës artificiale në rritjen e sigurisë në aeroporte, e i cili ka gjetur tashmë zbatim në Aeroportin e Dubait.
“Kemi marrë prej drejtimeve të ndryshme p.sh kemi lexu studimet COVIDIT, si janë dedektu njerëzit që janë të sëmur, ka dedektor që masin temperaturën trupore edhe në momentin që është mbi temperaturën normale të alarmon. Një prej tyre e kemi marrë na nëse vjen dikush i smut me ndalë, e nëse është sëmundje infektive me izolu, po këtë me kry makineria me kry kompjuterat, me kry kamerat, jo me kry njerëzit, njerëzit vetëm alarmohen prej sistemit. Pjesë e detektimit të sigurisë janë valigjet e braktisura, kamerat atje alarmojnë personelin për valigje të braktisur. E kemi pas një telashe me armë, kur i kemi fut në sistem, na doli telashe me policinë sepse i detektojke armët e policisë, atëherë me sistem i rregulluam me algoritma përmes studentëve që kanë qenë në studime në RIT që njerëzit që janë me uniformë mos me i alarmu, mos me alarmu për ata njerëz por për civil që kanë armë të ngjashme, këto kombinime i kemi bë me rreugllu sigurinë në aeroport, me i dedektu njerëzit”, ka shtuar ai.
Megjithatë, përgjatë katër muajve, përveç sfidës akademike si dhe asaj emocionale duke qëndruar larg familjes, Hoxha u përball dhe më një sfidë tjetër.
Një muaj pas qëndrimit në Dubai, që është në mesin e qyteteve më çmimet më të larta në botë, atij ju ndalë mëditja.
Mëditja është shuma që jepet nga shteti, me qëllim që zyrtari shtetëror të mbulojë shpenzimet e nevojshme përveç atyre që mbulohen në hotelin ku qëndron, apo në institucionin ku zhvillon trajnimin.
“Po kam qenë i njoftuar që ekziston një rregullore e tillë. Por ka qenë edhe një kontratë tjetër aty me Policinë e Dubai e cila thotë që shpenzimet e vogla apo të xhepit i mbulon shteti dërgues, nuk e kom pas idenë si janë çmimet në Dubai dhe kur shkova e pash që ajo nuk është e mjaftueshme dhe është problematike me përballu dikush atje një periudhë kaq të gjatë kohore financiarisht”, ka thënë Hoxha.
Andaj, dy muaj pas vijimit të trajnimit, Hoxha që në atë kohë ishte toger në Njësinë e Hetimeve Rajonale në Prizrenit, kishte shqyrtuar mundësinë e ndërprerjes dhe kthimit në Kosovë.
“Gazetarja: Dhe pas një muaji është vënë në diskutim ndërprerja e trajnimit nga ana juaj duke marrë parasysh situatën?
Hoxha: Realisht pas një muaji ju, pas dy muajve e kom shqyrtu si opsion edhe e kom shqyrtu si opsion edhe kom diskutu me eproret e mi që kjo rregullore është problematike dhe vështire me përballu dhe nuk mjafton me përballu katër muaj qëndrim atje, atje është 10 fish më shumë atje, do të kishte mujt me përballu atje nëse ti do të qëndroje si në burg, me nëjt 4 muaj atje e me nejt vetëm brenda mos me dalë asnjë minut jashtë. Po dole jashtë është kosto. Po edhe brenda kishte kosto, sepse ish vend i nxehtë, higjiena ishte problem, me i la teshat ishte problem u dashke me u bo me pare të tua edhe ajo kishte kosto, unë jam detyru 2 herë na javë, gjithçka funksionon atje online e thirr kompaninë vjen ti merr ti lanë i kthen pagesat i merr online. E pash që është goxha, edhe diskutova me ta me stafin tem noshta oshtë mirë me u kthy ose me gjetë një formë me me financu se me këtë shumë nuk po mundem me përballu”
Por, zgjidhja nuk u gjend.
Policia e Kosovës kishte kërkuar një përgjigje nga zyra ligjore, për të shqyrtuar mundësinë e mbulimin të mëditjes në ndonjë formë tjetër.
Megjithatë, përgjigja ishte se nuk do të mund të mbulohej asnjë shpenzim, pasi çdo financim tjetër do të binte në kundërshtim me rregulloren e nxjerr nga kryeministri Qeveria që mbarë nënshkrimin e kryeministrit Kurti.
“Mendimi është që “Asnjë marrëveshje nuk duhet të pranohet dhe nënshkruhet nëse është në kundërshtim me ligjet e aplikueshme dhe rregulloren QRK numër 06/2023 për kompensimin për udhëtimet zyrtare dhe shpenzimet e përfaqësimit, neni 6 paragrafi 6 i cili përcakton pavarësisht rregullimet të për fakutara me këtë rregullore shpenzimet e udhëtimit zyrtar nuk mbulon për një periudhe më të gjatë se një muaj”, ka thënë majori i Policisë së Kosovës, Avdi Berisha.
Kosova provokoi incident diplomatik në Dubai, shkak mungesa e mëditjeve për trajnimin e policit
Ndërprerja e trajnimit nuk do të mund të përfundonte kaq lehtë.
Me të njoftuar akademinë policore të Dubait, se dëshironte të ndërpriste trajnimin në mungesë të mjeteve financiare, Hoxha ishte ftuar në takim.
Pjesë e këtij takimi kishte qenë dhe përfaqësuesit i emirit, pra përfaqësuesi i të parit të Dubait.
Ndërprerja e trajnimit mund të çonte në një incident diplomatik.
“E diskutova edhe me Policinë e Dubait këtë çështje, dhe ata pak ma të rreptë në këtë, nëse unë e ndëpreja trajnimit do të bëhej një incident diplomatik, mos me quajt tamon incident, në kontratë e kishin pas që në rast nuk përmbushet ata e kishin një gjykatë, që mirret me këto dhe shërbimi do të detyrohet me i pagu ata për kohen e qëndrimit atje, e kostoja e qëndrimit atje në këtë trajnim ka qenë shumë e madhe rreth 100 mijë dollarë për person, pra shpenzimet që i ka bë Dubai për qata pjesëmarrës ka qenë në vlerën e 100 mijë dollarëve për person. Tash koha kur e shqyrtova si opsion për me ndërpre trajnimin dhe me u kthy ishte rreth 50 mijë dhe e dija që Kosova nuk kish mundësi me pagu atë dhe me u përball nëpër instanca të gjykatave ndërkombëtare sepse në kontratë ishte ashtu, dhe ata thonin na tani merremi me ambasadën. Një pjesëmarrës ditën e parë nuk ju ka përmbajt disa rregullave dhe është përjashtu prej trajnimit, do me thane ditën e aprë të trajnimit të hanën nuk ju ka përmbajt rregullave të tyre, dhe është thirr ambasadori në takim. Pra pak dëmtoheshin marrëdhëniet diplomatike nëse e ndërprerja unë”.
Për të ju shmangur një problemi serioz, Hoxha vendosi të vazhdojë trajnimin, duke kërkuar mbështetjen financiare të familjes.
Krejt kjo, përkundër se mbi të gjitha ai ishte përfaqësues i shtetit të Kosovës.
Dhe krejt në fund, dija të cilën do ta merrte do të vihej në shërbim të interesave të Policisë së Kosovës.
“Hoxha: Shteti pranues këtë rast Dubai Emiratet e Bashkuara Arabe, i ka hek shpenzimet e udhëtimit, ushqimit, strehimit, materialit të trajnimit dhe një uniforme tjetër po nuk ka pas obligim tjetër, po atje ti ki me bo një jetë, ki me dalë jashtë, në momentin që del jashtë nje shishe ujë kushton 2 euro,
Gazetarja: Ke pas me i pre flokt apo?
Hoxha: Po normal, dhe çmimi është marramendës është çmimi marramendës është 10 fishi i këtuhit, këto është dashtë me i mbulu vetë.
Gazetarja: Dhe keni pas përkrahjen e familjes që t’i mbulojë shpenzimet e juaja në Dubai ku ju realisht keni qenë përfaqësues i shtetit të Kosovës?
Hoxha: Po, normal kom pas përkrahje shumë të madhe prej familjes, fatmirësisht qëndrojmë mirë nuk qëndrojmë edhe aq keq, po realisht jam fut në detyrime financare për me përfundu një trajnim që është marrëveshje mes dy shteteve në këtë rast në mes Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Kosovës”.
Ndryshe nga Hoxha, trajnimi ishte ndërprerë në vitin 2024 nga polici Atëdhe Kashtanjeva.
I kontaktuar përmes telefonit Kashtanjeva, për t’u pyetur nëse trajnimi nga ana e tij ishte ndërprerë për shkak të mëditjes, apo qëndronte ndonjë arsye tjetër, nuk ka pranuar të japë informacione.
“Gazetarja: Për çfarë arsye jeni kthy a ka qenë problemi që nuk është mbulu mëditja për një muaji apo ka ndonjë arsye tjetër?
Polici Kashtanjeva: Prej kuhit po kontakton e nderume?
Gazetarja: Jom Alberta Hashani, gazetare prej emisionit “Betimi për Drejtësi”.
Polici Kashtanjeva: Aha, jo nuk muj me të dhanë të dhana e nderume, më vjeq keq”.
Pas Kashtanjevës i cili e kishte ndërprerë trajnimin në vitin 2024, në 2025 Hoxha po bëhej i dyti që po e vinte në diskutim këtë.
Për këtë arsye, situata sipas Hoxhës ishte bërë më serioze.
Hoxha sqaron se më i zëshëm në këtë diskutim kishte qenë përfaqësuesi i emirit.
“.. ndër të tjerë ka qenë edhe një përfaqësues i emirit, se atje shteti funksionon në këtë formë pos ligjeve në fuqi janë edhe normat zakonore, dhe përfaqësuesi i emirit ishte pak me agresiv, ata i vlerësojnë shumë raportet shoqërore me një shtet ose person të caktuar. Për ta është mbi ata që është e parapamë me ligj, p.sh nëse ai vendos bane këta, dëbojeni ambasadën, dëbohet. Do me thanë norma zakonore i kanë, rregullimi shoqërore atje është ndryshe prej kësaj që jemi mësu na, edhe pse vendim i zhvilluar e teknologjia, prap mbizotërojnë normat zakonore mbi ato ligjore”, ka sqaruar Hoxha.
Ambasadori Hamiti mungoi i vetmi në mesin e 74 ambasadorëve në ceremoninë e Policisë së Dubait
Në këtë përkeqësim të situatës përveç problemeve të vazhdueshme për dy vjet me policët pjesëmarrës, sipas Hoxhës, kishte ndikuar dhe një fakt tjetër.
Ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Xhabir Hamiti, nuk kishte marrë pjesë në asnjë nga aktivitetet e organizuara në kuadër të këtij trajnimi për katër muaj.
Në organizimin për hapjen e trajnimit përveç ambasadorët e 39 shteteve pjesëmarrëse, Policia e Dubait kishte ftuar edhe ambasadorët e 35 shtete tjera jo pjesëmarrëse.
Mirëpo, sipas Hoxhës, e vetmja karrige e zbrazët me flamurin mbi të kishte mbetur ajo e ambasadorit Hamiti.
“Tash ata tu u mundu me e bo vetën brend, si policia ma e mirë në botë, normal që i kanë jep pompozitet këtij trajnimi dhe në javën e parë të trajnimit ata e kanë një lloj takimi me diplomat, d.m.th i kanë thirr ambasadorët e të gjithë shteteve, edhe ambasadorët e shteteve që kanë pjesëmarrës aty, nëse nuk gaboj kanë qene edhe 35 ambasadorë që nuk e kanë pas asnjë pjesëmarrës aty për me prezantu programin çka jemi tu bo. Ambasadori i Kosovës nuk ka qenë fatkeqësisht dhe u kanë pak ndjenjë e keqe, sepse neve që ishim pjesëmarrës aty ambasadorët e shteteve që kanë pas pjesëmarrës i kanë pas karriget e rezervuara dhe flamurin përpara edhe ish pak ndjenjë e keqe sepse nuk e kemi pas një përfaqësues”.
“Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar ambasadorin Hamiti përmes telefonit.
Ai ka thënë të mos ketë pranuar asnjë ftesë për organizimet e Akademisë Policore të Dubait, dhe të mos ketë njohuri për dy trajnimet e mbajtura në vitin 2024 dhe 2025.
“Gazetarja: A keni pas ftesë ju?
Ambasadori Hamiti: jo, jo nuk kom pas ftesë une, nuk kom marrë pjesë. Sigurisht ka shku përmes ambasadës së Emirateve në Podgoricë. As nuk kom pas ftesë as nuk kom marrë pjesë.
Gazetarja: Pra po i bjen që nuk keni pas dijeni fare për këto dy trajnime që janë mbajtë as vitin e kalum as këtë vit?
Ambasadori Hamiti: Jo, jo na si ambasadë nuk kemi qenë të informuar”.
“Betimi për Drejtësi” i është drejtuar përmes postës elektronike Policisë së Dubait për të marrë një përgjigje lidhur me ftesën e adresuar ambasadorit Hamiti.
Mirëpo, të njëjtit nuk i janë përgjigjur pyetjeve të adresuara përmes postës elektronike.
Policia e Kosovës nuk u ftua këtë vit në trajnimin e Akademisë Policore të Dubait
Mirëpo, historia nuk përfundon me kaq. Pas diskutimeve për ndërprerjeve të trajnimeve nga pjesëtarë të policisë së Kosovës si pasojë e pamundësisë për t’i mbuluar vetë shpenzimet duket se kjo ka ndikuar që Kosova të mos ftohet për të qenë pjesëmarrëse në trajnimin që do të organizohet për vitin 2026.
Afati për aplikim ka përfunduar 30 shtator, dhe në përgjigjen e marrë me shkrim, majori Berisha ka njoftuar se nuk kanë pranuar ftesë.
“Betimi për Drejtësi” e ka pyetur për këtë dhe Policinë e Dubait.
Mirëpo, të njëjtit nuk i janë përgjigjur as këtyre pyetjeve.
Derisa mëditjet janë larguar, ftesat e shteteve mike për pjesëmarrjen e policëve në trajnime të gjata janë rritur.
Një vit para rregullores ishin mbajtur 2 trajnime të gjata.
Ndërsa në vitin 2023 kur ka hyr në fuqi rregullorja numri i trajnimeve të mbajtura mbi një muaj është rritur në 4, në vitin 2024, 4 trajnime mbi një muaj dhe në vitin 2025 5 trajnime mbi një muaj.
Sipas përgjigjes së Policisë, prej tyre 3 janë mbuluar me të hyrat vetanake.
Kjo situatë sipas major Berishës ka reflektuar në trajnimet e realizuara
“Nuk mund ta mohoj këtë se jo për faktin sepse nëse një pjesëtar i organizatës nominohet dhe aprovohet të vijojë një trajnim jashtë vendit, natyrisht se aspekti i përballimit të shpenzimeve jashtë kësaj periudhe do të jetë sfidues dhe natyrisht kjo pastaj do të vë në pikëpyetje ndoshta edhe realizimin e ati trajnimi”.
Rregullorja për mëditje po shkakton situatë pabarazie në ndjekjen e trajnimeve
Nëse zyrtari policor qëndron mirë financiarisht mund të ndjek një trajnim të gjatë mbi një muaj jashtë vendit, pasi Policia e Kosovës nuk e ndalon mundësinë e ndjekjes së tyre me vetëfinancim.
Mirëpo, kjo rregullore e vënë nga kryeministri Kurti ka shkaktuar situatë pabarazie.
“Gazetarja: Megjithatë kjo nuk i ndalon që pjesëtarët të shkojnë në këto trajnime?
Berisha: Policia e Kosovës nuk e ndalon pjesëtarin që të shkon në trajnime nëse konsiderohet që trajnimi është i rëndësisë së veçantë por e thash dhe më herët që nuk do të ndalemi se rreshturi për të kërkuar mundësi që për këto trajnimeve të gjendet aspekti ligjor, mundësia ligjore që këto të realizohen në të ardhmen me mbulim të plotë për faktin sepse shpesh pavarësisht kostos është i rëndësishëm të arrihet objektivi i paraparë sidomos kur flasim për trajnime që polcia duhet ti ketë të cilët duhet të jenë me karakter ndërkombëtar dhe tejet të rëndësishme për sigurinë në Kosovë.
Gazetarja: Megjithatë jemi në një situatë ku këto trajnime mund ti ndjek vetëm një zyrtar policor që qëndron ekonomikisht mirë që shpenzimet t’i mbuloj vetë pas një muaji, apo jo?
Berisha: Po besoj që ne zyrtarisht duhet ta definojmë këtë çështje dhe po punojmë maksimalisht këtë çështje sepse ligjvënësit e kanë paraparë një çështje të tillë që trajnimet nuk mund të kenë një kohëzgjatje më të madhe sesa një muaj prandaj ekzistion një rregullore e tillë megjithatë po shohim raste dhe nevoja kur partnerët kërkojnë që të kemi marrëveshje për trajnime më të gjata. Jemi në një pozicion që të shohim mundësit ligjore se si të zbatohet.
Gazetarja: Meqë jemi në këtë situatë që nuk u mohohet e drejta për të ndjekur trajnim, por që si rrjedhojë i bie që të qëndroj vetë ekonomikisht mirë që t’i mbuloj shpenzimet. Vlerësoni se kjo është diskriminuese për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Berisha: Unë po besoj që ne do të kujdesemi maksimalisht që pjesëtarët të dërgohen brenda normativës së përcaktuar me ligj dhe ti përshtatet edhe trajnimit.
Gazetarja: Keni marrë deri tani përgjigje nga ministri Svecla apo edhe Kryeministri Kurti në mënyrë që kjo të ndryshohet, apo nuk ka shkuar tek ta?
Berisha: Nga pozicioni im nuk e kam këtë përgjigje, mund të informohet shumë më thell mirëpo këto janë nisma që kërkojnë ndryshim më të gjatë dhe më të gjerë edhe legjislativ”.
Me këtë situatë po përballen edhe ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Me zero kosto për shtetin e Kosovës, shtete të ndryshme mik u mundësojnë atyre rritjen akademike dhe profesionale.
“Ne kemi marrëveshje me shtetet mika dhe është vullnet i shteteve që të na mbulojnë të gjitha shpenzimet, akademitë ushtarake dhe segmentet e tjera të shteteve ushtarake i mbulojnë të gjitha shpenzimet. Ne ndihmojmë me mëditje dhe ku ka nevojë por, kjo bëhet fal marrëveshjeve që kemi me shtetet e tjera që e ndihmojnë trajnimin dhe shume tjera që kemi nga shtetet partnere”.
Forca e Sigurisë së Kosovës në vazhdimësi përmes publikimeve në rrjetin sociale “Facebook” është krenuar me përfundimin me sukses të trajnimeve të ndryshme disa mujore nga ushtarët e FSK-së.
“Syla: Më gëzon fakti që shtetet mike në një marrëveshje të krijuar që kemi pas kanë shpreh vullnetin që të ketë prezent numër të madh të ushtarëve tanë që të trajnohen në shtetet në të cilat kanë akademi me prestigjioze dhe kanë kushte dhe standarde me të larta me të cilat ushtarët tanë pajisjen dhe ato përvoja i sjellin këtu”, ka thënë zëvendësministri Syla.
Ministria krenare me ushtarët, por mëditjet pas një muaji ua mbulojnë shtetet mike
Mirëpo, përkundër se kostoja e vetme e Kosovës është mëditja, edhe ata janë ballafaquar më mosfinancim.
Më 11 korrik të këtij viti, FSK ka njoftuar se 3 ushtarët e saj kanë përfunduar trajnimin rifreskues me helikopter në Shkollën e Aviacionit Tokësor në Isparta të Turqisë.
“Syla: Ne në fokus sipas projekteve tona dhe fazat e zhvillimit e kemi edhe ngritjen e kapaciteteve të aviacionit ushtarak. Në këtë drejtim kemi më shumë kapacitete të zhvilluara në fushën e pilotimit gjegjësisht helikopterëve dhe në këtë drejtim kemi shkolluar një sërë oficerësh. Sidomos kemi pas marrëveshje me Turqinë e cila ka shpreh gatishmërinë që në akademik të veta të ketë një numër të konsideruar të ushtarakëve tanë në fushën e aviacionit, konkretisht në pilotim”, ka thënë zëvendësministri i Mbrojtjes, Shembi Syla.
Burime të “Betimit për Drejtësi” kanë treguar se të njëjtëve mëditjet pas muajit të parë, u janë dhënë nga Turqia.
Këtë nuk ka ka konfirmuar zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla.
“Shiko ato janë të përcaktuara mjetet që janë të të nevojshme dhe ato janë të mjaftueshme, nuk ka pasur nevojë të shtoj askush në atë drejtim. Vetë rregullorja e ka përcaktuar për një muaj, dhe ato janë mjetet të cilat i ndanë vetë shkollimi”.
Për këtë, “Betimi për Drejtësi’ i është drejtuar Ambasadës Turke në Kosovës.
Të njëjtit janë pyetur nëse përveç kostos së trajnimit, kanë mbuluar edhe mëditjet për shpenzimet jashtë hotelit dhe institucioneve ku kanë qëndruar.
Mirëpo, përgjigje nuk ka dhënë as kjo ambasadë.
Përkundër problemeve, që nga muaji shkurt i vitit 2023, mbi dy vjet rregullorja nuk është ndryshuar.
Zëvendësministri Syla thotë se për këtë kanë ngritur diskutime dhe tek kryeministri Kurti.
“Syla: FSK Ministria e Mbrojtjes e jep për një muaj, një muaj e stimulon.
Gazetarja: Është e mjaftueshme për një muaj mëditja?
Syla: Po ndoshta nuk është e mjaftueshme por këto i ka mundësitë, kjo është ajo që e karakterzion, kjo ndihmë është një muaj, të tjerat janë sipas marrëveshjes që kryhet shkollimi, sipas shtetit që e bën atë shkollim apo atë trajnim.
Gazetarja: Është ngritur si shqetësim nga ana e ushtarëve të FSK-së, në rastet kur trajnimet apo shkollimet kanë zgjatur më tepër se një muaj pra 3 muaj 4 muaj dhe mëditja 1 muaj nuk mjafton le të themi në SHBA-të për ti mbuluar shpenzimet e 4 muajve?
Syla: Ka shqetësime të tilla, ka edhe përpjekje nga vetë lidërshipi unë, por edhe të kërkesa të vazhdueshme në Qeveri që të merret një hap tjetër, do ishte mirë këtë drejtim që të bëhet përpjekje, është bërë përpjekje është duke u biseduar në vazhdimësi.
Gazetarja: Me kë është duke u biseduar?
Syla: Për momentin është ky rregull vlenë për të gjithë.
Gazetarja: Është ngritur ky shqetësim tek Kryeministri Albin Kurti meqë ka qenë ai që e ka zgjedh këtë rregullore, që e kufizon mëditjen për një muaj.
Syla: Ky është vendim i Qeverisë, nuk është vendim i një personi, është analizë e Ministrisë së Financave dhe të Qeverisë kështu që është në bisedë, ne e kemi ngritur këtë shqetësim të ushtarakëve.
Gazetarja: Kur është ngritur ky shqetësim?
Syla: Në vazhdimësi kjo bisedohet prej momenteve kur kem raste të trajnimeve të ndryushme
Gazetarja: Dhe e kemi një përgjigje pse nuk është ndryshuar ende?
Syla: Po nuk ka kundërshtim në kuptimin e asaj, është një analizë, është duke u rishiku çfarë formë mund të ngritët mundësia që të ketë mëditje më shumë.
Kjo nuk ka ndodhur vetëm më rastin e pilotëve në Turqi.
Zëvendësministri Syla: Është konstatuar se mëditja është e mjaftueshme
Burime të “Betimit për Drejtësi” kanë treguar se edhe në rastin e diplomimit të oficerit të FSK-së, Çlirim Gërguri, në ShBA për Kursin Bazë të Inxhinierisë, i janë mbuluar mëditjet pas muajit të parë nga shteti amerikan.
“Betimi për Drejtësi” ka kërkuar informacione nga Ambasada Amerikane në Kosovës për ta konfirmuar këtë, mirëpo nuk janë përgjigjur.
“Gazetarja: Pra Qeveria e Kosovës të vetmen obligim që e ka ndaj një ushtari që e ka kryen një trajnim të gjatë jashtë vendit është mëditja. Dhe mëditjen nuk arrita mbuloj vetëm se për një muaj, është kjo dëshpruese për ushtarët?
Syla: Jo, jo Qeveria ministria FSK-ja kanë obligime të shumta ndaj ushtarëve nuk e ka vetëm një mëditje, mundësia e shkollimit, avancimit, mundësia e prezantimit.
Gazetarja: Por që financiarisht mbulohet nga shtetet mike.
Syla: Po shiko ka edhe forma të tjera të cilat ne ndihmojmë, reciprokisht me shtete ne jemi me ndihma të ngritjes e shkollimit, nuk do të thotë kjo që ne e kemi vetëm këtë problematik të mëditjes. Sepse sipas eksperteve është konstatuar se është e mjaftueshme, normal që kërkesat janë të shtuara dhe mjetet i nevojiten secilit shumë e më shumë, por konstaton që është e mbajtshme që të kryej trajnimin apo shkollimin një person apo ushtarak”.
Për këtë rregullore që bartë nënshkrimin e kryeministrit Kurti, “Betimi për Drejtësi” i është drejtuar edhe Zyrës së Kryeministrit.
Mirëpo, përkundër adresimit të pyetjeve në adresë të përsonave përgjegjes të komunikimit me media, si dhe këshilltares ligjore, nuk është dhënë përgjigje.
Kjo situatë nuk flet vetëm për përkrahjen e ushtarëve, policëve e zyrtarëve të tjerë publik që dërgohen për shkollim e avancim profesional jashtë vendit.
Kjo situatë flet dhe për gatishmërinë e shtetit për t’i ndryshuar vendimet e veta, të cilat shpien në dëm të vet shtetit.
Për afër 3 vjet, rregullorja vazhdon të jetë në fuqi, e ushtarët e policët t’i mbulojnë vetë shpenzimet, apo të trokasin në derë të shteteve mike për të kërkuar të vetmen ndihmë që do duhej ta merrnin deri në fund të rrugëtimit nga shteti i tyre.