Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti pas raportimeve për mungesë të uniformave në Polici: Kurrë s’ka pasur më shumë kujdes shtetëror

Albin Kurti

Kryeministri, Albin Kurti, nuk ka dhënë përgjigje konkrete lidhur me raportimet për mungesë të uniformave dhe pajisjeve për zyrtarët e Policisë së Kosovës, çështje kjo që ishte raportuar se kishte ndikuar edhe në shtyrjen e diplomimit të gjeneratës së 63-të të kadetëve policorë.

I pyetur për këtë çështje, Kurti ka thënë se për furnizimin me pajisje dhe uniforma përgjegjëse për të dhënë informacione është Ministria e Punëve të Brendshme. Ai ka theksuar se buxheti për Policinë e Kosovës është rritur vazhdimisht.

“Unë tash do të shkoj atje dhe natyrisht është një arritje e re që Republikës së Kosovës po i shtohen edhe mbi 300 kadetë të rinj, nga të cilët rreth 30% janë gra. Sa i përket furnizimit me pajisje, me uniforma, është Ministria e Punëve të Brendshme që mund t’ua jep përgjigjen e duhur mbi atë se si shkojnë proceset, por buxheti për Policinë e Kosovës është rritur vazhdimisht dhe kurrë nuk ka pasur më shumë kujdes shtetëror e qeveritar për policinë, ushtrinë, oficerin dhe uniformën sikurse tani”, ka thënë Kurti, transmeton EkonomiaOnline. 

Ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 63-të të Policisë së Kosovës do të mbahet sot nga ora 16:30, ku pritet t’i bashkohen institucionit mbi 300 zyrtarë të rinj policorë.

Është raportuar se kjo ceremoni ishte planifikuar për javën e kaluar, por u shty shkaku i mungesës së uniformave. KOHA pati kontaktuar me Policinë për këtë çështje, por s’ka marrë përgjigje.