Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti: Të përballen me përgjegjësi penale ata që s’e parandaluan vrasjen e Zekajt

albin Kurti

Foto: Driton Paçarada

Protestuesit nuk kanë marrë sinjale nga kryeministri Albin Kurti se mund t’i shkarkojë dy ministrat, nëse ata nuk dorëhiqen. Por, ka theksuar masat që duhet ndërmarrë ndaj përgjegjësve që nuk i kanë dalë në mbrojtje Arlinda Zekajt, dhe ka folur edhe për ndërhyrje në arsim, politika ekonomike e sociale që synojnë fuqizimin dhe pavarësinë e grave.

Kryeministri Albin Kurti nuk ka përmendur përgjegjësinë politike, pas dështimit të institucioneve për ta parandaluar vrasjen e Arlinda Zekajt.

Jashtë sallës ku të shtunën është mbajtur mbledhja e 64-t e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ai ka refuzuar t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve për kërkesat e protestuesve për shkarkimin e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Sot kemi mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kemi mjaftueshëm për të folur”, ka thënë ai.

E, gjatë adresimit para anëtarëve të këshillit të partisë të cilën e drejton, Kurti ka shprehur qëndrimin se krahas përgjegjësisë disiplinore, duhet dhënë edhe përgjegjësi penale të gjithë zyrtarët institucionalë që kanë neglizhuar detyrat në funksion të mbrojtjes së Zekajt.

“E ritheksoj se do të angazhohemi deri në fund që secili zyrtar përgjegjës që nuk e ka kryer detyrën, të japë përgjegjësi, jo vetëm disiplinore, por edhe penale. Secili përgjegjës dhe secila përgjegjësi e secilës hallkë duhet të hetohet. Kushdo që ka neglizhuar punën apo ka bërë shkelje të detyrimeve ligjore, duhet të japë përgjegjësi dhe do të përballet me masa disiplinore dhe penale”, ka thënë Kurti.

Në fjalën e tij, Kurti është ndalur edhe te mendësia patriarkale në shoqëri, duke thënë se ajo vazhdon ta konsiderojë gruan si pronë dhe ta shohë pavarësinë e saj si mosbindje ndaj autoritetit mashkullor.

“Vrasja e Arlindës na përballi edhe me një problem më të thellë shoqëror. Me një mendësi patriarkale që ende e konsideron gruan si pronë apo objekt mbi të cilin burri mund të ushtrojë pushtet e forcë, që pavarësinë e saj e sheh si mosbindje dhe vendimin për t’u larguar nga një marrëdhënie si cenim të autoritetit mashkullor. Kjo mendësi nuk ndryshon vetëm me ligje. Ajo kërkon përballje të vazhdueshme në familje, në shkolla, në institucione dhe brenda vetë organizimeve tona politike”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka theksuar se ndryshimi i kësaj mendësie duhet të nisë që nga edukimi i fëmijëve, duke paralajmëruar rishikimin e mëtejshëm të kurrikulave arsimore në të gjitha nivelet.

“Ndryshimi i kësaj mendësie duhet të fillojë shumë më herët, që në edukimin e fëmijëve. Do t’i rishikojmë edhe më tutje kurrikulat, duke filluar nga edukimi parashkollor e duke vazhduar në të gjitha nivelet e arsimit, ashtu që barazia, respekti për tjetrin, autonomia personale dhe zgjidhja e konflikteve pa dhunë të mësohen që në fëmijëri, në mënyrë të përshtatshme për secilën moshë”, ka thënë ai.

Kurti ka kritikuar edhe mënyrën tradicionale të edukimit të vajzave dhe djemve, duke theksuar se rolet e trashëguara gjinore duhet të shqyrtohen edhe në tekstet shkollore dhe në edukimin familjar.

“Nuk mund të vazhdojmë t’i edukojmë vajzat që të jenë të dëgjueshme e të durueshme, ndërsa djemtë që të jenë dominues. Këto role të trashëguara duhet t’i shqyrtojmë me guxim, edhe në tekstet shkollore, edhe në mënyrën se si i edukojmë fëmijët tanë. Emancipimi i një shoqërie matet edhe me lirinë që ua njeh grave, por edhe me burrat që ajo edukon. Prandaj, lufta kundër femicidit kërkon edhe një politikë të mirëfilltë arsimore, e cila e trajton barazinë gjinore si pjesë të formimit të qytetarit, që nga fëmijëria e hershme”, ka deklaruar kryeministri.

Kurti ka theksuar se, krahas intervenimeve në arsim, lufta kundër femicidit kërkon edhe politika ekonomike e sociale që synojnë fuqizimin dhe pavarësinë e grave.

Sipas kryeministrit, barazia gjinore duhet ta luftojë pabarazinë edhe shoqërore, dhe ajo duhet të dëshmohet në vendimet që merren, në politikat që ekzekutivi i zbaton dhe në mënyrën se si shteti i mbron gratë kur u rrezikohet jeta.

Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës nga ish-kunati i saj. Ajo u vra pak ditë pasi paralajmëroi me letër institucionet se jeta e saj është në rrezik. Vrasja ndodhi pasi u kthye nga Policia ku e paraqiti ish-bashkëshortin për kanosje.

Vrasja e saj ka nxitur reagime të shumta, protesta dhe masa në institucione. Në mesin e zhvillimeve pas rastit është edhe dorëheqja e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, si dhe suspendime të prokurorëve e policëve. Dy ministrat, Gërvalla e Sveçla, kanë refuzuar të japin dorëheqje pavarësisht protestave tash e sa ditë.