Platforma e parashikimeve “Polymarket” u jep demokratëve 71 për qind gjasa për ta fituar kontrollin e Senatit të Shteteve të Bashkuara, tri ditë para zgjedhjeve të 3 nëntorit. Republikanët, të cilët aktualisht kanë shumicën, vlerësohen me 29 për qind gjasa.
Në “Polymarket”, ku përdoruesit investojnë para në rezultatet e ngjarjeve politike dhe zhvillimeve të tjera, kuota për fitoren e demokratëve po tregtohet me 71 centë. Kjo nënkupton se pjesëmarrësit e tregut vlerësojnë në rreth 71 për qind mundësinë që kjo parti ta marrë shumicën në Senat. Deri më tani, në këtë treg janë investuar rreth 12.8 milionë dollarë, që nga hapja e tij më 11 korrik 2025.

Një vlerësim të ngjashëm e jep edhe Kalshi, një tjetër platformë e madhe amerikane e parashikimeve, e cila gjithashtu u jep demokratëve 71 për qind gjasa për fitore.
Situata ishte krejt ndryshe një vit më parë. Sipas grafikut të “Polymarket”, në shtator dhe tetor të vitit 2025, republikanët kishin rreth 70 për qind gjasa për ta ruajtur kontrollin e Senatit, ndërsa demokratët vlerësoheshin me pak më shumë se 25 për qind.
Raporti nisi të ndryshonte në fillim të këtij viti. Nga marsi deri në gusht, të dyja partitë u alternuan disa herë në krye të parashikimeve, me përqindje kryesisht rreth 50 për qind. Ndërsa nga shtatori, vlerësimi për demokratët ka shënuar rritje të vazhdueshme.
Aktualisht, republikanët kanë shumicën në Senat me 53 ulëse, kundrejt 47 të demokratëve. Në zgjedhjet e 3 nëntorit janë në garë 35 ulëse. Demokratëve u nevojitet të fitojnë katër ulëse më shumë për të siguruar shumicën. Në rast të një barazimi 50 me 50, vota vendimtare i takon zëvendëspresidentit amerikan, JD Vance.
Në përshkrimin e tregut, “Polymarket” vëren se ditëve të fundit parashikimet janë zhvendosur në favor të demokratëve në disa shtete ku aktualisht dominojnë republikanët, përfshirë Ohio, Texas, Iowa dhe Kansas. Si gara veçanërisht të ngushta veçohen ato në Maine, Alaska dhe Texas.
Megjithatë, përqindjet e “Polymarket” nuk janë rezultat i sondazheve zgjedhore, por pasqyrojnë çmimet me të cilat përdoruesit blejnë dhe shesin aksionet në këtë platformë.
Nëse demokratët e fitojnë kontrollin e Senatit, secili aksion i blerë në favor të tyre paguhet me një dollar. Në të kundërtën, ai nuk ka vlerë. Çmimet ndryshojnë vazhdimisht, në varësi të reagimit të investitorëve ndaj sondazheve dhe zhvillimeve të reja.