Xhivo Bolica-Kokoliq, poet baroku, i kushtoi sonet qytetit të lindjes Kotorrit “ndër qytetet e Ilirisë krenare” që “në brigjet e tij ka përplot thrakas (turq)”. Njihet edhe për veprën kushtuar përpjekjes ambicioze të pashës së Shkodrës, Mehmet Verlacit për të pushtuar Kotorrin e tij, më 1657. Një familje klerikësh nga Gjiri i Kotorrit që luajtën rol historik për Shqipërinë në kohën e Kundërreformacionit janë Zmajevicët e Perastit. Ndërlidhja e një personaliteti nga Boka e Kotorrit me shqiptarët është e një rëndësie të madhe për historinë e këtyre kontakteve. Argjipeshkvi Pjetër Bogdani, i konsideruar si shkrimtari i fundit i letërsisë së vjetër shqipe, po ashtu, është motivuar nga roli i Zmajeviqëve dhe i inspiruar nga kjo i ka kushtuar një “sibil”, një poezi Andre Zmajeviqit me një kompliment fin si ruajtës i parë i Arbnisë
Poeti “ndër qytetet e Ilirisë krenare”
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoFamilja Bolica ka dhënë edhe njerëz të tjerë shumë të shquar gjatë historisë së Kotorrit. Patrici kotorras Xhivo Bolica-Kokoliq (+1685) është autor i njohur, poet baroku me opus të shënuar e voluminoz. Shumica e veprave të tij janë ruajtur si dorëshkrime, diku mbi 300 poezi në italisht, 60 kroatisht dhe një epigram latin. Është i njohur edhe për veprën që ka të bëjë me rrethimin e Kotorrit nga pasha shkodran, Mehmet Vërlaci më 1657.
Ai ka pasur disa poste publike në Kotorr – gjykatës (1647); i deleguar në Venedik (1654; komandues i anijes luftarake (1658–1663). Ishte në krye të Accademia de’ Rischiarati (1652 dhe 1665) Ka shkruar në kroatisht, italisht e latinisht. Më së tepërmi është i njohur për epin “Il San Trifone”, kushtuar mbrojtësit të Kotorrit, shën Tripunit.
Ndër të tjera, dy poezi të tij i janë kushtuar Andrija Zmajeviqit, me rastin e emërimit si argjipeshkëv i Tivarit. Ai ishte i njohur sonetet e madrigalet, që për gjysmëshekulli, ua kushtoi funksionarëve venedikas: që nga providuri gjeneral i Dalmacias, Antonio Pizani deri te Pijetro Ciuranoja. Bolica i kushtoi, po ashtu, poezi lavdëruese gjithë providurëve gjeneralë të Kotorrit e Albanias dhe funksionarëve të tjerë venedikas. Bolica madhëron Venedikun “qytet mikpritës” e “perëndeshë krenare e Adriatikut”, por edhe Kotorrin e tij, “qytet i famshëm e fisnik”. Bolica i kushtoi sonet qytetit të lindjes Kotorrit “ndër qytetet e Ilirisë krenare” që “në brigjet e tij ka përplot thrakas (turq)”. Qasja e tij politike tutje shihet në lutjen e perandorit Leopold që të mos pranonte paqe me otomanët, brengoset me shpërthimin e mortajës në Itali dhe i madhëron zotërinjtë e patricët italianë etj. Por, ai ishte pjesë e një bindjeje gjithësllave të kohës, ilirizmit të kuptuar si pansllavizëm, që shihet edhe ndër disa nga poezitë e tij.
Ai u kushtoi poezi lavdëruese pothuajse gjithë bashkëvendësve të tij të famshëm, që i njihte: doktor Frano Paskvaliqit, Miho Buqas, Alvizo Buqas, Xhiva Jakonjas, Vicko Palmas, Xhivo Buqas, Marijan Buqas, Jakob Bizantit, Marijan Vraqenit, Tripo Vraqenit, Benet Dragos, kalorësit Nikola Bolicas, zonjës Jeronima Bolica etj.
Por, Xhivo Bolica-Kokoliq njihet edhe për veprën kushtuar përpjekjes ambicioze të pashës së Shkodrës, Mehmet Verlacit për të pushtuar Kotorrin e tij, më 1657. Ai i kushtoi një poezi të gjatë kësaj ngjarjeje në një kontekst më të gjerë poetik duke përshkruar ngjarjen me një përshkrim të larmishëm të sulmuesit, ish-krishterit të myslimanizuar. Këtë e bënte me një teknikë moderne epike të kombinuar me frazeologji baroke poetike. Vepra titullohet “L'impresa procurata in lungo combattimento da Mehmet Varlaci Bassa di Scutari contro la Cittŕ di Cattaro, preservata col divino aiuto et armi della Serenissima Republica”. Bolica i kushtoi vëmendje në poezinë e tij edhe providurit gjeneral të Dalmacias e Albanias, Antonio Bernardi, duke e madhëruar atë si mbrojtës të famshëm dhe çlirues të Kotorrit.
Zmajevicët e Perastit dhe roli historik për Shqipërinë
Një familje klerikësh nga Gjiri i Kotorrit që luajtën rol historik për Shqipërinë në kohën e Kundërreformacionit janë Zmajevicët e Perastit. Ndërlidhja e një personaliteti nga Boka e Kotorrit me shqiptarët është e një rëndësie të madhe për historinë e këtyre kontakteve. Bëhet fjalë për (Vincenco) Vinko Zmajevic, që ka lindur në Perast më 23.12.1670 dhe ka vdekur në Zarë më 11.09.1745.
Me ndihmën e xhaxhait të tij, ipeshkvit të Tivarit, Andrija Zmajevic, dërgohet në Collegium Urbanum në Romë ku studioi filozofinë e teologjinë dhe doktoroi më 30.3.1695. Me t’u kthyer në vendlindje më 1696 emërohet famullitar në Perast, ndërsa katër vjet më vonë, më 1701, papa Klementi XI (Giovanni Francesco Albani) e emëron ipeshkëv të Tivarit. Atje shërbeu deri në emërimin ipeshkëv i Zarës më 1713.
Zmajeviq u bë vizitor apsotolik për Shqipëri, Serbi, Maqedoni e Bullgari më 1702-1703 me emërimin e papa Klimentit XI.
Në fakt, Zmajevici ka shkruar, së paku, katër vepra madhore për historinë e shqiptarëve:
1. Relacionin e tij të njohur për gjendjen në Shqipëri apo “Notitie universali dello stato di Albania, e dell’operato da mionsig.r Vincenzo Zmaievich arcivescovo di Antivari visitatore apostlico;
2. Kuvendin e Arbërit në Mërqi në janar të vitit 1703;
3. Shpërnguljen e arbneshëve në Zarë;
4. Përkujdesja për kelmendasit e shpërngulur në Peshter e më vonë në Sllavoni afër Osjekut me ipeshkvin Mikel Suma.
Dorëshkrimi i relacionit për gjendjen në Shqipëri ruhet në dy versione të njëjta, një në Bibliotekën Apostolike në Vatikan (Barb.Lat 4577) dhe tjetri në Arkivin e Propaganda Fide SC, M Albania, 5.F.536-661. Por, po ashtu, një pjesë e këtij relacioni është botuar, pasi është blerë në një antikvarijat në Venedik, nga Jovan Tomiq.
Relacioni i Zmajevicit është një përshkrim interesant me përplot të dhëna historike, gjeografike, kulturore, ekonomike e sociale për hapësirat ku kanë jetuar katolikët shqiptarë, për gjendjen e ipeshkvijve, klerit, situatën politike etj. Bëhet fjalë për një relacion të thukët që me një përshkrim të thellë sjell një tablo me shumë detaje e qasje përshkruese e analitike që kapin dioqezat e Tivarit, Shkodrës, Lezhës, Sapës, Pultit, Administratën e Durrësit, Budvës, Administratën e Shkupit, gjendjen e katolikëve në Kosovë e të tjera.
Kuvendi i Arbërit i vitit 1703, me dijen e lejen e papës Klimenti XI, edhe vetë me origjinë shqiptare, ishte një punë kolosale me pasoja historike për shqiptarët, që e zhvilloi Vicko Zmajeviqi. Në Kuvendin e Arbërit në Mërqi të Lezhës që u mbajt më 14-15 janar 1703, në frymën e Konclit të Trentos, u mblodhën ipeshkvijtë dhe përfaqësuesit e klerit katolik shqiptar për të diskutuar gjendjen dhe rregullat për jetën kishtare në hapësirat shqipfolëse. Botimi i materialeve nga ky kuvend, në latinisht e shqip, është përplot të dhëna me interes nga historia kishtare, nga historia e rrethanat politike të kësaj kohe, por edhe ato etnografke, gjuhësore, dialektologjike e kulturore.
Është edhe një moment që e ndërlidh peshkopin Zmajeviq me shqiptarët. Shpërngulja e arbneshëve në Zarë është bërë direkt nën përkujdesjen e ipeshkvit Zmajeviq, që nga vendosja e tyre, jeta komunitare e religjioze e të tjera. Ai është njeriu që ka mundësuar shpërnguljen e arbneshëve nga rrethinat e Liqenit të Shkodrës dhe Krajës në Zarë dhe ka organizuar vendbanimin e tyre që edhe sot ekziston si Arbanasi (Arbneshi), po ashtu ka ndihmuar komunitetin arbëresh me të holla të veta që të krijonin kishën e tyre kushtuar zonjës së Loretos, që edhe sot qëndron si simbol i tyre.
Vicko Zmajeviqi është nga familja e njohur perastane Zmajeviq, që ka dhënë personalitete të shquara sikurse argjipeshkvin Andreja Zmajevic (1625-1694), vikarin apostolik në Budvë dhe peshkopin e Tivarit.
Matija Zmajeviqi është admiral i njohur i Rusisë së kohës së Pjetrit të madh, që ka bërë nam në betejat në Baltik e të tjera.
Vickoja ka kryer teologjinë e filozofinë në Romë, ka qenë prift në Shën Jurij në Perastin e lindjes gjatë viteve 1695-1701, ndërsa më vonë u bë peshkop i Tivarit, primas Serbiae gjatë viteve 1701-1713 dhe më vonë peshkop i Zarës, gjatë viteve 1695-1701.
Ai ishte edhe vizitor papal për vendet e Ballkanit nën Perandorinë Otomane dhe si i tillë kishte një rol me rëndësi në ndikimin e politikave papale për Ballkanin.
Është autor i shumë trakteve dhe polemikave dogmatike-teologjike në gjuhën latine, italiane, sllave dhe gjuhën shqipe.
Organizimi i Kuvendi të Arbnit është një vepër madhore e tij që pati ndikim të madh në riorganizimin dhe mbajtjen e katolicizmit te shqiptarët.
Vepra në fjalë ka rëndësi primare edhe për historinë e gjuhës shqipe dhe për rrethanat e kohës që kanë të bëjnë me historinë e shqiptarëve në këtë kohë.
Zmajeviqi ka qenë ithtar i koncepti uniat roman, për çka edhe ka shkruar dhe me këtë qëllim ka synuar krijimin edhe të kolegjit glagolitik në Zarë më 1748, por të cilit i shihet për të madhe nga ortodoksët për qëndrimet e tij.
Katedralja e Perastit edhe sot mban mbishkrimin për nder të bashkëpatriotit perastas Vicko Zmajeviq me shënimin nergut si autor i Koncilit të Arbnit, si njëra nga veprat e tij jetësore, që jetësohet në këtë pllakë guri në murin e kishës që mund të lexohet edhe sot.
Argjipeshkvi Vicko Zmajevic, për dallim nga ungji tij, argjipeshkvi Andrija Zmajeviq, ishte përfaqësues i dorës së fortë në raportet me kishën ortodokse. Ky ndryshim qëndrimi nuk ishte zgjedhje vetëm personale, po aq sa edhe ndryshim konstalacionesh që lidhen edhe me politikat kishtare të kohës që u kushtëzuan pas largimit të patrikut serb nga Peja në territorin austriak, që ishte kundërshtare e Venedikut, por dhe më tepër – fillimit të ndikimit rus në ortodoksët e Ballkanit, pra edhe në Malin e Zi afër.
Zmajeviqi kundërshtonte martesat e përziera katolike-ortodokse dhe në rastin e motrës së kanonikut katolik të Budvas, Petar Markoviqit, kjo mori përmasa me pasoja të rënda. Zmajeviq duke iu frikësuar një shembulli të tillë, që përfshinte dhe familjen e një prelati katolik e kundërshtoi fuqishëm martesën, ndërsa kanoniku Markoviq u arratis në Cetinë dhe kërcënoi me kalim në ortodoksi. E tërë kjo dramë që përfshiu dasmorët e dy feve të ndryshme, solli edhe përleshjen lokale në mes të dy grupeve të antagonizuara në Perast, pasi kapiteni i këtij qyteti Vicko Bujoviqi thirri në dyluftim. E tëra solli konfliktin e armatosur. Viktimë e kësaj përleshjeje u bë edhe vetë argjipeshkvi Zmajeviq kur dy predha nga arkebuza depërtuan në dhomën e tij të fjetjes në Kotorr, ku ai ishte strehuar.
Nga e tërë kjo situatë, Zmajeviqi u detyrua të kërkonte ndryshimin e dioqezës dhe të zgjidhte atë të Zarës.
Largimi i Zmajeviqit nga Perasti e Kotorri për në Zarë, së bashku me arbneshët katolikë, praktikisht ishte ekzil i dyfishtë: ekzil për të ndihmuar një komunitet arbëror që ta strehonte në Zarë të Dalmacisë, por njëkohësisht edhe strehim për veten, duke braktisur vendlindjen pas keqkuptimeve dhe ndasive fetare atje.
Ndikimi i Zmajeviqëve vërehet edhe te veprimtarët e shkrimtarët shqiptarë që e ndiejnë rolin e tyre dhe e falënderojnë atë edhe në letra.
Argjipeshkvi Pjetër Bogdani, i konsideruar si shkrimtari i fundit i letërsisë së vjetër shqipe, po ashtu, është motivuar nga roli i Zmajeviqëve dhe i inspiruar nga kjo i ka kushtuar një “sibil”, një poezi Andre Zmajeviqit:
Ban Baroni prej Tivari,
Zmajeviq, o drita jonë;
Ruen Arbenin i pari;
Posi Krishti në Sionë.