Martin Segoni është ndër biografët më të hershëm të Skënderbeut. Ai konsiderohet autor parabarletian për të bëmat e Skënderbeut. Ai, po ashtu, është autor i një trakti – libri interesant që do të duhej t`i shërbente kryqëzatës së inicuar nga Papa Sikti IV më 1485. Segoni, i lindur në Novobërdë, me origjinë familjare nga Kotorri, ish-kanonik i Novobërdës dhe peshkop i Ulqinit, ishte ideal për të bartur njohuritë e tij nga brendësia e Ballkanit. Andaj vepra e tij është një udhëzues e itinerar për shtigje e rrugë për një ndërhyrje ambicioze antiturke
Janë disa personalitete, në fakt familje nga Boka e Kotorrit, që kanë pasur rol të jashtëzakonshëm dhe kanë dhënë kontribut të madh në marrëdhëniet kulturore e shpirtërore me shqiptarët. Këta janë jo vetëm Bolicat dhe Zmajevicët e njohur, por kishte dhe individë të tjerë, si humanisti Martin Segoni, biografi i parë i Skënderbeut.
Martin Segoni (Martino Segono) është një autor humanist origjinal e me rëndësi për historinë e Ballkanit dhe posaçërisht për relacionet që lidhin shqiptarët me Bokën e Kotorrit.
Segoni, deri vonë i panjohur për publikun e gjerë, është një autor që ka lënë gjurmë me kontribute origjinale e autentike duke lidhur Kotorrin, Novobërdën, Ulqinin dhe më vonë edhe Venedikun e Italinë me aktivitetin e tij si klerik i lartë, autor librash e trajtesash – që hedhin dritë e dëshmojnë për një kohë të rëndësishme përthyerjesh me fillet e shtrirjes së Perandorisë Osmane në këtë pjesë të Ballkanit.
Segoni është edhe ndër biografët më të hershëm të Skënderbeut. Ai konsiderohet autor parabarletian për të bëmat e Skënderbeut.
Në origjinalin latinisht, janë ruajtur këto shkrime të Segonit: Traktati mbi mbrojtjen e Otrantit dhe rregullimi ushtarak i Turkut dhe origjina e tij; Shkrimet historiko-gjeografike për rrugët nga të cilat duhen sulmuar turqit (nga viti 1522 u ribotua disa herë, por në emër të kroatit Feliks Petancic); për tokat dhe regjionet nëpër të cilat turqit mund të sulmojnë, për trevat e Dalmacisë prej të cilave barbarët ndërmarrin sulme në vende gjermane. Që të dyja këto tekste janë ruajtur në fondin e Razzit, të përkthyera italisht. Në italishte është ruajtur edhe biografia e shkurtër e Skënderbeut: “Narrazzioni di Giorgio Castriotto, da i Turchi nella lingua loro chiamato Scander beg, cioe Alesandro Magno” (Tregim për Gjergj Kastriotin, nga turqit, në gjuhën e tyre, i quajtur Skander Beg, domethënë Aleksandër i Madh).
Udhëzues për shtigje të ndërhyrjes ambicioze antiturke
Ai, po ashtu, është autor i një trakti – libri interesant që do të duhej t`i shërbente kryqëzatës së iniciuar nga Papa Sikti IV më 1485. Segoni, i lindur në Novobërdë, me origjinë familjare nga Kotorri, ish-kanonik i Novobërdës dhe peshkop i Ulqinit, ishte ideal për të bartur njohuritë e tij nga brendësia e Ballkanit. Andaj vepra e tij është një udhëzues e itinerar për shtigje e rrugë për një ndërhyrje ambicioze antiturke, që nga “kalimi afër Beogradit kah pjesa e epërme e Mezisë dhe Rodopeve, kah Thrakia”, apo “nga i njëjti Beograd përmes dardanëve e tribalëve”, dhe “nga vendi ku nga Panonia kalohet në Mezi afër qytetit Zaslon (Shabac)”, si dhe “rruga që nga Panonia përmbi Transilvani të shpie kah Thrakia e Ponti” etj. Në fakt, vepra ndahet në tri pjesë e shumë nëntituj dhe është një trajtesë komplekse me shumë të dhëna gjeografike, politike, historike, etnografike e njohuri të tjera që janë një burim i jashtëzakonshëm e interesant për këtë kohë. Vepra në fjalë, pra, është më shumë se itinerar; është një traktat që gjerësisht flet për otomanët dhe prejardhjen e tyre, sistemin ushtarak, administrativ, historinë e rajonit dhe shumë aspekte të tjera të dobishme për planet papale, mu në vigjilje të depërtimit dhe etablimit të otomanëve në Ballkan dhe të afrimit të tyre në Adriatik. Për më tepër, vlera e përshkrimit të gjerë gjeografik të Ballkanit, që nga via Egnatia, Vlora-Apollonia, e deri te “ngushtica Propontide”, Kroacia, “malet Krbave”, Beogradi, bashkimi i Drinit, Thrakia, Maqedonia, e deri te përmendja e Maltës e Konstandinopojës – janë një material me plot vlera të gjeografisë historike.
Ky traktat dhe përgjithësisht vepra dhe personaliteti me rëndësi i Martin Segonit ishte fare i panjohur për opinionin deri vonë. Atë e “zbuloi” më 1981 autori italian nga Milano, Augostino Pertusi, me veprën e tij (Martino Segono di Novo Brdo, vescovo di Dulcigno, un umanista serbo-dalmata di tardo Quatrocento,).
Vepra e harruar dhe debati për origjinën
Vepra dhe personaliteti i Martin Segonit duken të humbur e të harruar, por ai nuk ishte shkrimtar i panjohur në histori. E citonin në veprat e tyre historianët dhe shkrimtarët e mëdhenj humanistë, si: M. A. Sabeliko, M. Beçikemi, P. Jovius, M. Orbini etj. Vepra jo komplete e Segonit, pjesërisht është e ruajtur në latinishten origjinale, diçka e përkthyer në italishte, e ruajtur vetëm nga historiani italian S. Razzi në Kotorr më 1589. Disa vepra të tij na kanë mbetur të njohura vetëm sipas titujve. Nga dorëshkrimet e ruajtura dihet fare pak për jetën e Martin Segonit.
Në fakt, ashtu si e analizon edhe Čirkovići, Segoni duket se është përdorur madje edhe nga autori i njohur i shek. XVI Mavro Orbini në “Regnum Slavonie”. Këtë e kishte bërë në mënyrë indirekte duke folur për kufijtë e Mezisë, kur thirret në përshkrimin e Petančić “De itineribus in Turciam libellus” (1522.), që praktikisht dihet se është vepër e Segonit. Në një zbërthim të mëtutjeshëm, sipas Čirkovićit, del se ky ndërmjetësim i veprës është bërë përmes Antonius de Petonza presbyter, po ashtu nga Novobërda. Čirkovići supozonte se familjet e dy priftërinjve nga Novobërda – Segoni e Petonza – mund të kenë qenë të lidhura dhe familjarisht dhe se kjo do të mund të ishte rruga e shkëmbimit të dorëshkrimit të veprës së Martin Segonit te Feliks Petančići. Në fakt, te vepra e Orbinit gjendet edhe përmendja rrethanore e Petancio-s, kancelarit, miniaturistit, kaligrafit e diplomatit në kalimin e shekujve XV- XVI.
Me aq sa dihet, Martin Segoni, biri i Joan de Segonis nga Kotorri, kanonik i Shën Mërisë në Novobërdo, doktoroi për drejtësi e teologji në Universitetin e Padovës më 18 shkurt 1475. Segoni zuri vendin e peshkopit të Ulqinit, pas vdekjes së Martin Bergamos më 1481, pasi Novobërdo kishte rënë në duar të osmanëve. Ishte një prelat i lartë kur ndërroi jetë më 1482 ose 1485. Me sa mund të kuptohet, Antonius de Petonza presbyter, po ashtu, klerik nga Novobërda dukej të ishte një i afërm, ndoshta edhe familjar i Segonit, i cili atij i solli 100 dukatë gjatë studimeve në Padovë.
Origjina e Segonit ka qenë pjesë e një debati historianësh të ndryshëm, që herë e kanë nxjerrë dalmat, herë arbër, sllav, madje edhe serb etj. Por, vetëtitullimi që i ka bërë në vepër Martin Segoni vetes: nationem Catharensis origine autem Serviani - mbase lë më pak dilema. Po ashtu, vendlindja e prejardhja e tij është ngatërruar - Kotorri me Novobërdën. Segoni nuk duket mbiemër sllav, gjithashtu ai ishte katolik, madje klerik i lartë, që jetoi në Novobërdë, Kotorr, Ulqin e Padovë, gjë që ka bërë të ketë edhe më shumë dilema e interpretime rreth origjinës së tij.
Në fakt, në dorëshkrimin origjinal, autograf, që ruhet në bibliotekën Ambrosiana të Milanos, në fillim të dorëshkrimit Segoni u vetëpërshkrua si:
Opuslum reverndi domini
Domini Martini de Segonis
nationem Catharensis origine autem Serviani
ex Novomontio altier Novabrdo dicto
Dei gratia episcope Olchiensis
At Beatissimum Sixtum IV Romanum Pontificem
Segoni është familje që haset në dokumente të ndryshme në Kotorr. Duket se ajo është shpërngulur në një moment të favorshëm në Novobërdë ku edhe mund të ketë lindur Martin Segoni dhe ku ishte edhe prift. Duket se Segonët janë larguar nga aty me ardhjen e otomanëve dhe janë tërhequr në origjinë, Kotorr, respektivisht në Ulqin e më vonë edhe në Itali.
Rrjedhimisht, të dyja – Kotorr-Novobërdë – duken si një binom i pashmangshëm i Segonëve.
Në fakt, Segonët përmenden në dokumente kotorrase në shek. XV-XVI. kështu, në relacionet e rektorit e providurit venecian në Kotorr Andrea Valerio, më 1536 sillet “Vincetio Segoni fiol de Zoan salinar di Cattaro”. I njëjti përmendet në shkresat e shitblerjes në Kotorr më 29 tetor 1526, kur i shet bijve të Ludvig de Pontas (Franciso et Ludovico eius fillis presentibus) një pjesë të shtëpisë në Kotorr, përmes gjykatësit me origjinë arbërore, Ilija Zaguri.
Vepra e Segonit për Skënderbeun, po ashtu, ka nxitur debate ndër historianë. Por, me sa duket ajo është biografia e parë për Skënderbeun dhe si e tillë paraqet një vlerë.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë
Artikujt e tjerë nga Ylber Hysa për Kotorrin: