Andrea Izati nga Durrësi ishte ndër argjendarët më të njohur të Kotorrit në shekullin XV. Një relacion tjetër indirekt kulturor vjen nga familja e njohur fisnike Zaguri, Zagurevic, që kishin rrënjë të hershme arbërore dhe ishin të vendosur në Kotorr prej kohësh, e më vonë në Venedik, ku lanë nam me trashëgiminë e tyre edhe në jetën sociale, kulturore e arkitektonike. Zagurët madje, kishin edhe stemën e tyre të veçantë në Venedik. Një pinjoll i Zagurëve ishte marrë edhe me shtypjen e librave
Një personalitet origjinal që la gjurmë në artin e Kotorrit ishte edhe durrsaku Andrea Izat. Andrea Izati njihej si artist i shekullit XV që bënte vepra argjendi. Ishte i njohur edhe për farkëtimin e të hollave, perpërve dhe groshëve të Kotorrit, objekteve të ndryshme prej argjendi me karakter fetar dhe paraqitje të tjera që ishin të kërkuara sipas shijes mesjetare. Andrea Izati ishte ndër argjendarët më të njohur të Kotorrit, së bashku me dy të huaj të tjerë – Marin Adami që ka punuar në Dubrovnik dhe Johani i Bazelit, që përmes Venedikut ishte vendosur në Kotorr, ku ishte martuar dhe më vonë kishte kaluar në Dubrovnik. Izat ka punuar në kryeveprën artizanale në palën e argjendtë në katedralen e Shën Tripunit, katedralen ikonike që simbolizon Kotorrin.
Një porosi më 1441, ndërlidhja me diplomatin e Skënderbeut
Më fakt, Andrea Izati është i njohur edhe për porosinë që iu bë në Kotorr në vitin 1441. Porositësja ishte Jelena Bashaj-Hraniq, e bija e princit Lazar. Ajo kishte porositur përmes kancelarit të saj, Doberko Mariniqit, faqet e argjendta për mbështjelljen e librit fetar me fytyrën e Krishtit Shpëtimtar, siç e donte moda e kohës. Më 1445 njihet një vepër tjetër e Andrea Izatit. Bëhet fjalë për kryqin e argjendtë për kishën e bashkësisë së rendit të flagelantëve në Kotorr.
Përndryshe, argjendaria ishte shumë në zë në Kotorrin mesjetar. Zanatxhinjtë e kishin edhe vëllazërinë e tyre të organizuar me qendër afër kishës së Shën Lukës.
Andrea Izati apo Isati përmendet në një rrethanë e rol tjetër interesant, i ndërlidhur në mënyrë indirekte me kolegun e tij nga Kotorri, Marin Adamin, dhe priftin e diplomatin e Skënderbeut, Gjergj Pelinin, nga manastiri “Roteco”, afër Tivarit. Në nëntor të vitit 1436 kolegu i tij, argjendari i njohur Marin Adami, kishte hyrë në kontratë me priftin dhe diplomatin e njohur Gjergj Pelini, nga manastiri benediktan i “Rotecit”, që të bënte një vepër, censer arxgendi (unum turibulum de argento). Te noteri ishte shënuar që më 12 qershor 1444, “në prezencë të Princërve dhe Magistrateve, argjendari Marin pranoi nga noteri në Kotorr një paund argjendi në aspronë dhe argjendi dërguar tek ai nga murgu Pelini përmes shërbëtorit të tij, Pjetrit”.
Pas kësaj, më 5 tetor 1444, Marin Adami pranoi të farkonte veprën në fjalë dhe Pelini pranoi të paguante shumën e paracaktuar. Pelini pranoi të paguante 6 groshë për këtë vepër në vlerë një uncë argjendi. Më 14 dhjetor 1444, Princet dhe Magjistratet kërkuan nga Marini të dorëzonte veprën sipas marrëveshjes me manastirin “Roteco”. Por, sipas dëshmisë së Andrija Isatit, argjendi i dorëzuar te Marini përmes shërbëtorit të Pelinit kishte peshuar 3,2 paundë më pak, sepse përmbante shtresa bakri, bazuar edhe në Ligjin e Dubrovnikut, pastaj edhe u demonstrua nga argjendari Andrija Isat.
Pra, Isati del edhe si ekspert në raste kontestimesh profesionale tenderuese.
Durrsaku që u bë i njohur në Kotorr e më gjerë, njihet më pak në historinë e artit në gjuhën shqipe.
Shenjat e Zagurëve dhe një udhëtim shkronjash
Një relacion tjetër indiekt kulturor vjen nga familja e njohur fisnike Zaguri, Zagurevic, që kishin rrënjë të hershme arbërore dhe ishin të vendosur në Kotorr prej kohësh, e më vonë në Venedik, ku lanë nam me trashëgiminë e tyre edhe në jetën sociale, kulturore e arkitektonike. Zagurët madje, kishin edhe stemën e tyre të veçantë në Venedik.
Një pinjoll i Zagurëve ishte marrë edhe me shtypjen e librave. Sipas shënimeve të Jerolim Zagurit nga Kotorri të vitit 1569, një pjesë të shkronjave nga shtypshkronja e njohur e Crnojeviqëve në Cetinje, personalisht i kishte dërguar në Venedik dhe e kishte përdorur në shtypshkronjën e tij atje.
Jeronim Zaguri kotorrasi (1569-1572), së bashku me bashkëvendasin e tij, Andrea Paltashiq kotorrasin, që njihet si shtypshkronjësi i parë ndër sllavët e jugut, kanë shtypur librat e tyre në Venedik, njësoj si podgoricasi i njohur Bozhidar Vukoviq (1519-1540) dhe djali i tij Vincenco (1546-1561).
Ka mendime se shtypshkronja e njohur e Cetinjës ishte ndërprerë pas largimit të detyrueshëm të Gjurgje Crnojeviqit me Makarijen, të njohur si shtypshkronjës. Mendohet, po ashtu, se ata e tërhoqën shtypshkronjën e njohur, më të vjetrën në botën e sllavëve të jugut, nga Cetinja në Kotorr.
Mbase nga aty, pjesë të saj i kishte marrë me vete në Venedik botuesi Jerolim Zagurevic. Kjo duket si një udhëtim shkronjash në relacionin Cetine-Kotorr-Venedik, si një tregim interesant ndërkulturor më vete. Siç dihet, Bozidar Vukoviqi ishte një botues i njohur librash në Venedik me prejardhje nga Podgorica, ndërsa tek ai punonte edhe shtypshkronjësi Pahomije. “od Cernije Gore ot Reke”.
Fisniku me autoritet deri në Venedik
Frano Bolica (Grbičić) është, po ashtu, personalitet me interes, që ka lënë gjurmë në marrëdhëniet e Bokës me shqiptarët. Ai ishte fisnik kotorras që u vu në shërbim të Vatikanit. Në fakt, ai ishte responsale, një përfaqësues i plotfuqishëm i papës dhe si i tillë ishte përgjegjës për gjithë misionarët e Kishës Katolike të bregdetit jugor dhe të Shqipërisë veriore.
Ai kishte për mision edhe ekumenizmin. Diku rreth vitit 1640, së bashku me misionarin nga Trogiri, Frano de Leonaridis, ishin angazhuar në përafrimin e kishave katolike me ortodokse. Më 1637, tentuan në emër të Propagandës Fide që ta bënin unionin me vladikën e Cetnijës Mardarijen dhe me 1641 me patrikun e Pejës Pajsijen. Për këtë qëllim ka bashkëpunuar edhe me unijatin Pavle Demski në Kotorr.
Bolica ishte edhe gjyqtar në komunën e Kotorrit, drejtues i spitalit, drejtues i anijes, galijas kotorrase, si dhe i deleguar kotorras në Venedik, për çka edhe mbante titullin e kalorësit të shën Markut. Njihej si person me shumë autoritet në Kotorr.
Me ndihmën e tij, pashai i Shkodrës nuk i ka përzënë misionarët katolikë më 1638, ndërsa një vit më vonë më 1639, me angazhimin e diplomatit venedikas në Stamboll ka nxjerrë garancën për sigurinë e misionarëve. Ai është i njohur për korrespondenca të ndryshme që ruhen në arkiva dhe të cilat janë dëshmi interesante të kohës. Në kohën e Luftës së Kandisë (1645-1669) ka pasur korrespondencë me parinë e fiseve shqiptare, malazeze dhe hercegovase, si dhe me Ali pashë Çengiqin (1653) e përfaqësues të tjerë otomanë.
Është i njohur edhe përpilimi i tij “Relatione et descrittione del Sangiacato di Scutari” (1614). Nga viti 1578, familja Bolica ishte përgjegjëse për shërbimin postar nga Venediku për në Stamboll, ku Kotorri ishte një lloj hub-i, pikëtakim i paevitueshëm i këtij komunikimi ndëradriatikas. Kjo i shërbeu kësaj familjeje për të krijuar një rrjet të jashtëzakonshëm e të shtrirë në tërë Ballkanin. Së këndejmi, katër anëtarë të familjes Bolica (Franjoja, Vickoja, Nikola e Ivani), gjatë shekullit XVII, kishin primatin e marrjes me shërbimin postar, që ishte me aq interes për Stato da Mar, por sidomos edhe për vetë Propaganda Fidae. Nga kjo “dinasti postare”, Franjo Bolica shquhej për aftësitë e tij dhe kualitete të tjera që ofronte edhe nga rrjeti i kontakteve e njohurive që kishte akumuluar dhe kjo erdhi në shprehje në raste të ndryshme paqeje, por edhe lufte, si ajo e Kandisë (1645-1669). Franjo Bolica kishte zhvilluar rrjetin e vet të kontakteve me parinë osmane e shqiptare, me rrethe të ndryshme tregtare e administratave, sidomos në Shkodër e gjetiu dhe i përdorte ato edhe në funksion të ndihmesës së misionarëve në shumë raste.
Por, privilegji i drejtimit të shërbimit postar, i bartjes së dispencave diplomatike e rrjetit tregtar nga Adriatiku në brendësi të Ballkanit otoman, ia dha kësaj familje rëndësinë e besimin dhe në dimensione të tjera. Për më tepër, familja nga më të vjetrat patrice kotorrase Bolica, ishte një lloj shtylle logjistike e misioneve katolike të Kundërreformacionit sidomos në Shqipëri dhe Mal të Zi, për çka edhe morën titullin kalorsiak të shën Markut. Më i shquari i kësaj familjeje në këtë rol, Franjo Bolica, ishte shtylla e veprimit të Kundërreformacionit që kishte lidhje me fiset malazeze, ato shqiptare të veriut, por edhe me zyrtarët venecianë e otomanë, me klerin katolik, tregtarë e zejtarë të ndryshëm. Kjo bëri që përkrahja e Franjo Bolicas për misionin e françeskanëve në Shqipëri të ishte e pazëvendësueshme dhe rrjedhimisht edhe mbajtja e katolicizmit në hapësirat shqipfolëse të Pernadorisë Osmane gjatë Kundërreformacionit.
Pasi Franjoja ndërroi jetë, misionin e tij e trashëgoi vëllai Vicko, që më 24 gusht 1654 u emërua corresponsale della Sacra Congregazione de Propaganda Fide e procuratore delle missioni di Albania. Ai vazhdoi me misionin e besuar të dërgimit të raporteve mbi punën e misioneve katolike, sidomos në Shqipëri dhe e përcolli postën diplomatike derisa ndërroi jetë më 24 gusht 1662.
Atë e trashëgoi nipi, Nikolla, i biri i Anton Bolicas, që Venediku, sikurse ungjin e tij, e emëroi për mbikëqyrës popullor në kufirin otoman (sopraintendente alle genti di questa giurisditione fuori della città). Për dallim nga paraardhësit, ai gëzoi vetëm titullin pa privilegje përcjellëse, sepse kryekleriku i besuar i Vatikanit, që po ashtu u mor shumë me shqiptarët, Andrija Zmajeviqi nga Perasti, kishte rezerva ndaj tij dhe nuk e konsideronte të denjë për t’ia besuar titujt.
Familja Bolica veproi direkt në misionet katolike në Shqipëri që konsideroheshin nga më të vështirat e të rrezikshmet në hapësirën ballkanike. Siç shprehet Molnári, askush nuk ka ditur më shumë për misionet katolike në Shqipëri e Mal të Zi sesa “i ati” i tyre – Franjo Bolica.
Një “dinasti” klerikësh si Bogdanët e Vladanjët
Franjo Bolica ishte ideatori dhe këshilltari më i mirë i këtyre misioneve, i cili i sillte vështrimet e tij analitike për Propagandën e Fesë në bazë të përvojave të gjera personale, të kontakteve me akterë në terren dhe propozimeve të tij reale i shtonte edhe hartat e skicuara vetë.
Shpeshherë ishte edhe pajtues i keqkuptimeve në mes të klerit shqiptar, disiplinimit dhe hierarkisë klerikale në misione, emërimin dhe bartjen e titullarëve klerikalë, pajtimin e klerit vendor me misionarët nga jashtë, por edhe respektonte klerin vendas sikurse argjipeshkvin Mark Skurra nga Durrësi, që mblodhi fiset katolike shqiptare gjatë Luftës së Kandisë dhe nuk braktisi vendin, kjo bënte që nganjëherë t’i jepte atij përparësi ndaj klerit të huaj që nuk i kuptonte terrenin e rrethanat komplekse ballkanike.
Është mu Franjo Bolica që ka luajtur një rol primar në politikat kadrovike për emërime në poste më të rëndësishme peshkopale në rajonin që e ka mbuluar. Të përzgjedhurit e tij janë Andrea Bogdani e Gjergj Vladani për argjipeshkvij të Ohrit, por edhe Juraj Uskoviqi për peshkop të Sapës etj.
Në fakt, kjo përzgjedhje e F. Bolicas krijoi hapësirën për “dinasti” klerikësh si Bogdanët e Vladanjët që patën rëndësi parësore për jetën fetare e kulturore të shqiptarëve.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë
Fusnotat janë hequr nga Redaksia
Artikujt e tjerë nga Ylber Hysa për Kotorrin: