Një 18-vjeçar është dërguar pa shenja jete në spitalin e Mitrovicës të dielën mbrëma. Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, ka njoftuar se rasti ka ndodhur në fshatin Kçiq i Madh, ndërsa po hetohet si ‘hetim mbi vdekjen’.
“Rreth orës 18:40, është raportuar se një person, rreth 18-vjeçar, është sjellë pa shenja jete në Spital. Njësitet relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa hetuesit policorë, në koordinim me prokurorinë e shtetit, kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të rastit. Rasti është iniciuar dhe po hetohet si ‘hetim mbi vdekjen’. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë dërgohet për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML)”, ka njoftuar Zahiti për KOHËN.
Ndërkohë, zëdhënësi i Spitalit të Përgjithshëm “Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, Shpend Fazliu, ka konfirmuar se i riu është pranuar në Shërbimin Emergjent rreth orës 18:43, pa shenja jete.
“Në Shërbimin Emergjent është sjellë një mashkull i lindur në vitin 2008, pa shenja jete. Ekipi mjekësor ka ndërmarrë menjëherë të gjitha masat reanimatore, por përkundër përpjekjeve maksimale, nuk është arritur rikthimi i funksioneve jetësore”, tha Fazliu për "KosovaPress".