Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, është takuar sot me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, nga i cili ka kërkuar angazhim më të madh për Marrëveshjen e Ohrit dhe zhvillimet politike në rajon.
Pas takimit, Ahmeti deklaroi se biseda ishte e shkurtër, por përmbajtësore, duke theksuar se ka shprehur gatishmërinë e BDI-së për bashkëpunim të hapur në avancimin e proceseve politike.
“Pata takimin me kryeministrin Edi Rama, takim i shkurtër, por tepër përmbajtësor. Kërkova një kujdes më të shtuar të Shqipërisë sa i takon Marrëveshjes së Ohrit. Gjithashtu, kërkova një kujdes më të shtuar nga kryeministri i Shqipërisë mbi zhvillimet politike në rajon. Shpreha gatishmërinë time, të BDI-së, për komunikim dhe bashkëpunim të hapur që të gjitha proceset t'i çojmë përpara”, deklaroi Ahmeti.
Ai iu referua edhe një deklarate të mëhershme të Ramës për kufirin ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke theksuar rëndësinë e heqjes së barrierave ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Ky është një hap i vogël që duhet t'i prijë hapit të madh që kufijtë mes Shqipërisë dhe Maqedonisë të mos ekzistojnë, ashtu siç i ka hequr Evropa, t'i heqim ne vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor”, citoi Ahmeti kryeministrin Rama.
Kufiri mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut do të funksionojë përmes një sistemi të ri të integruar kontrolli, me një ndalesë të vetme, duke përshpejtuar lëvizjen e qytetarëve dhe mjeteve të transportit mes dy vendeve.
Në ceremoninë e përurimit të sistemit “One Stop Shop” ishte i pranishëm kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se sistemi është një transformim që do t’u vlejë miliona njerëzve që kalojnë në pikën kufitare të Qafë Thanës.