Shtojca për Kulturë

Statuti i Kotorrit më 1246: Dënim për atë që sulmon serbin e arbanasin

Nëse ndonjëri nga të dënuarit sllavë, arbanas apo vlleh vinte në qytetin e Kotorrit, gjykatësit kishin detyrën t’i detyronin për kompensim dëmesh

Nëse ndonjëri nga të dënuarit sllavë, arbanas apo vlleh vinte në qytetin e Kotorrit, gjykatësit kishin detyrën t’i detyronin për kompensim dëmesh

Realitet i menduar juridik brenda Kotorrit ishte edhe relacioni “me të tjerët”, por ku specifikisht numëroheshin bre­nda normës së sanksionuar juridike – shqiptarët dhe slla­vët. Një situatë e tillë ka lënë gjurmë të hershme, që në 2 shtator 1246. Me të parashihej që të dënohej, sanksionohej çdo kotorras që kishte rrahur apo sulmuar një serb nga Grbalj, një arbanas, një nga Budva, apo edhe ndonjë individ që gjendej nën juridiksionin e manastirit ortodoks të shën Mihalit në Prevllaka. Dënimi në këso raste ishte dhjetë perperë dhe gjoba i paguhej comes, knezit të Kotorrit. Ka mendime të ndryshme përse u rregullua kjo mate­rie në mënyrë ligjore

Statuta civitatis Cathari, De Sclavis et Albanensibus verberatis

Relacioni i Kotorrit me shqiptarët është i rregulluar herët edhe me Statut të qytetit. Është interesante se marrëdhëniet e qytetarëve koto­rras me të tjerët ishin sanksionuar ligjërisht përmes Statutit të qytetit, po ashtu, edhe sa i përket së drejtës penale.

Në fakt, kjo materie juridike ishte detajuar edhe në aspektin e incidenteve të mundshme në mes të qytetarëve kotorras dhe të tjerëve. Kjo vinte dhe si pasojë e një jetë komunitare interaktive me shkëmbime e komunikime dhe raporte tregtare, por edhe interpersonale, si dhe arsye të tje­ra.

Pjesë e këtij realiteti të menduar juridik ishte edhe relacioni “me të tjerët”, por ku specifikisht numëroheshin bre­nda normës së sanksionuar juridike – shqiptarët dhe slla­vët.

Një situatë e tillë ka lënë gjurmë të hershme, që më 2 shtator 1246. Me të parashihej që të dënohej, sanksionohej çdo kotorras që kishte rrahur apo sulmuar një serb nga Grbalj, një arbanas, një nga Budva, apo edhe ndonjë individ që gjendej nën juridiksionin e manastirit ortodoks të shën Mihalit në Prevllaka.

Dënimi në këso raste ishte dhjetë perperë dhe gjoba i paguhej comes, knezit të Kotorrit.

Ka mendime të ndryshme përse u rregullua kjo mate­rie në mënyrë ligjore. Mendohet se ajo u përthekua juri­di­kisht si pasojë e evitimit të incidenteve dhe mosdë­nue­shmërisë së tyre brenda mureve të qytetit, ku vinin për shkëmbim e tregti qytetarët e tjerë. Në këtë rast, qytetarët kotorras merrnin drejtësinë në duart e tyre dhe dënonin “të tjerët” fizikisht apo i rrihnin në raste të mosmarrëveshjeve personale.

Por Sindiku mendon ndryshe. Ai konsideron që kjo erdhi si pasojë e kërkesës specifike të autoriteteve mbre­tërore serbe për situatat ku cenoheshin qytetarët e tyre jashtë hapësirës së mureve të qytetit të Kotorrit, apo juridi­k­sionit territorial, sikurse pjesa e territorit të manastirit ortodoks të shën Mihalit në Prevllakë.

Pra, kjo ka të bëjë ndoshta edhe me autonominë e pranuar e të respektuar të Kotorrit pasi qyteti bie nën kontrollin e mbretërve të Rashkës dhe interpretimin e juridiksioneve te caktuara, kur qytetarët e njërit apo tjetrit entitet janë në situata konflikti apo rregullimi juridik e gjyqësor të konteksteve të qytetarëve të njërit apo tjetrit pushtet gjyqësor. Në fakt, rrethana të këtilla të normuara juridike, për situata të ngjashme, supozohet të jenë rre­gu­lluar ndryshe, por që nga 1246 kjo nënkupton një rregullim në nivel Statuti që ka të bëjë me perimetrin e shtrirjes së jurdiksionit që kishte atëherë Kotorri. Kjo, edhe nga fakti se me këtë rregullim statutor, Kotorri nuk do të mund të kishte ingerenca mbi të “tjerët”, pra joqytetarëve të tij, brenda distriktit ku shtrihej.

Nëse faji i përleshjes nuk ishte i qytetarit kotorras

Por, që një qasje e këtillë dhe nevojë konkrete si kjo, që të adresoheshin incidente të kotorrasve me arbanas e sllavë – për të sanksionuar juridikisht një rrethanë të këtillë, shihet si persistuese dhe e nevojshme edhe në raste të tjera sikurse nga përmendja e mëvonshme e padatuar saktësisht, ku rikonfirmohet se nëse dikush e godet sllavin ose arba­nasin –  dënohet me 3 perperë.

Në fakt, ky provizion ligjor i Statutit të Kotorrit parashihte dhe rrethana të kundërta. Nëse vërtetohej se faji nuk ishte i qytetarit kotorras dhe se ai nuk ishte iniciues e shkaktar i përleshjes, pra se ishin të tjerët iniciues të fyerjes ose të përleshjes, shqiptarët apo serbët –  atëherë nuk pa­rashihej penalizimi për sulmin fizik të shkaktuar nga qyte­tari kotorras.

Por, nëse kotorrasit i shkaktohej ndonjë dëm në këso situatash, ai nuk kishte të drejtë përdorimi të dhunës fizike. Por, secili individ kishte të drejtën e iniciimit të procesit gjyqësor si palë e dëmtuar dhe palët kishin të drejtë edhe për avokatë, jo vetëm asi nga Kotorri.

Kjo mbase ka të bëjë me logjikën juridike dhe me faktin se Kotorri kishte juridiksion vetëm mbi qytetarët e tij. Me Statut kotorrasit nuk mund të paditnin bashkë­qytetarët në një gjyq tjetër e as në të mbretit serb, edhe kur gjende­shin nën juridiksionin e tij.

Gogići në intervenimin juridik për të mos lejuar ve­tëndëshkimin e qytetarëve ndaj serbëve e arbanasve, sheh një tendencë të Kotorrit për të rregulluar çdo forme të jetës shoqërore në mënyrë të normuar e rregulluar juridike.

Praktikisht pjesa më e ulët e shoqërisë janë konsi­deruar banorët e prapashpinës, hinterlandit të Kotorrit  - “Sclavi”, “Albanenses” dhe më rrallë “Valahi”. Në fakt, ishin këta “joqytetarët” apo ata që nuk gëzonin direkt të drejtën e qytetarisë brenda perimetrit të mureve të Kotorrit, sikurse edhe në komunat e tjera të qyteteve adriatikase me kulturë të njëjtë juridike, sepse të ishe me statut “qytetar” ishte një lloj diferencimi e krenarie përkatësore e kësaj kohe, siç e shpjegon edhe Shmidtt.

Ata, pra “Sclavi”, “Albanenses” dhe më rrallë “Va­lahi”, lajmërohen në Statut si banues potencialë të distriktit. Vendosja e tyre nëpër parcela që lejoheshin nga Komuna, por që duheshin të respektonin obligimet ndaj Komunës si qytetarët e saj përfshirë “angarinë“ dhe që nuk duheshin t’u shkaktonin telashe të tjerëve. Në fakt, ishte e ndaluar që sllavi, arbanasi apo të tjerët me dhunë të vendoseshin nëpër parcela apo në kullosa, dhe në rast të shkeljes së tyre Ko­muna e Kotorrit duhej që të kompensonte të dëmtuarit.

E drejta për qytetarët e tjerë në festën e Shën Tripunit

Më vonë, më 1339, siç e kemi parë, ishte kapitulli i veçantë që u kushtohej arbanasve e sllavëve që kishte të bënte edhe me Zhupën në Grbalj (418, nr. 238-239). Secili duhej t’u nënshtrohej rregullave dhe në rast të kundërt i zoti duhej të paguante dënimin për të, ose të penalizohej me arrest ose të dëbohej përgjithmonë nga Grbalj.

Nëse ndonjëri nga të dënuarit sllavë, arbanas apo vlleh vinte në qytetin e Kotorrit, gjykatësit kishin detyrën t’i detyronin për kompensim dëmesh (kapitulli 380, nr. 208-209). Është interesant se edhe të dënuarit apo borxhlinjtë kishin të drejtë që me rastin e festës së Shën Tripunit të vinin në qytet 3 ditë para dhe pas festës (kapitulli 404, nr, 229). Pranimi i pushtetit qendror venedikas ka shënuar ndryshime në relacionet e kotorrasve me të huajt dhe në fqinjësi.

Qysh më 1421 ndalohej që të huajve t`u jepeshin kafshë apo të pranoheshin nga ta për kullosa apo që ato të jepeshin me qira (kreu 2, nr. 346-347); ndalohej gjithashtu që të merreshin me qira doganat e huaja përveç asaj të Kotorrit e Venedikut (kreu, 3, nr. 347-348).

Ndalimi i dërgimit apo pranimit të letrave për ndonjë sllav apo arbanas

Nga 1410 u soll vendimi (kreu 23, nr. j 297) që të ndalohej dërgimi apo pranimi i letrave për ndonjë sllav apo arbanas.

Sërish më 1440 u zgjerua ndalesa duke ndaluar of­rimin e  çfarëdo shërbimi apo prone me kushte për të kryer shërbime (“pronija”) apo dhurata të tundshme e të patu­ndshme nga ana e ndonjë qeverie apo ndonjë prijësi e dinjitari nga prapashpina e Kotorrit, mendohet në hinter­landin e tij. Rregulli në fjalë vlente retroaktivisht kështu që knezit (comes) duhej t’i dorëzohej çkado që ishte pranuar si dhuratë më herët (kreu 2, nr. 412-416).

Del në pah qartësisht ruajtja e privilegjeve për qytetarët me status të pranuar të komunës së Kotorrit dhe të tjerëve. Një situatë e këtillë mund të ndryshohej varësisht nga rrethanat demografike.

Sa u përket aspekteve penale parashihej një instru­mentarij i ndryshëm sanksionesh me ndikime nga e drejta zakonore apo e drejta komunale nga qytetet e tjera bregdetare e gjetiu. “Vrasjes” i është kushtuar vetëm një kre Statuti (92, nr. 56- 57), ku dënimi nuancohej sipas pozitës shoqërore të viktimës dhe të vrasësit. Dënimi kapital me varje apo dekapitim, prerje koke, që vlente vetëm për patricë, vlente për ata që kishin privuar nga jeta ndonjë qytetar kotorras që kishte jetuar mbi 10 vjet aty, apo për të huajit që kishin vrarë të huajin. Por, nëse dënohej dikush nga kotorrasit për vrasjen e një qytetari tjetër kotorras që kishte qenë aty më pak se 10 vjet; atëherë dënimi ishte me gjobë të lartë prej 500 perperësh. Nëse një kotorras apo dikush tjetër kishte vrarë një të huaj, dënimi parashihej të ishte reciprok që t`i përgjigjej një dënimi të ngjashëm even­tual kur do të gjykohej e dënohej një kotorras në vendin e kryesit të veprës. Për rastin e ndonjë sllavi, arbri apo vllahu të dyshuar për vrasje lejohej përdorimi i torturës, por nuk specifikohej dënimi. Ai që kishte vrarë në vetëmbrojtje nuk dënohej, sikurse edhe ai që kishte vrarë ndonjë hajn që i kishte hyrë në shtëpi (kreu 118, nr. 76).

Plagosja nuk trajtohej veçanërisht, por sikurse një pasojë e rrahjes, përleshjes, goditjes me gur apo ndonjë ob­jekt, penalizohej varësisht nga madhësia e plagës së shkak­tuar (kreu 89, nr. 54-55) njësoj si të rënat që shkak­tojnë gjakderdhje (kreu, 93, nr. 74, Interpretuesi nr. 58).

Rasti më 1386 që vjen nga Prizreni

Të dënueshme ishin edhe sulmet me nxjerrje të thikës (kreu 90, nr. 55), apo ngritja e dorës për të sulmuar (kreu 116, nr. 75); rrahja e sllavit apo arbrit (kreu 117, nr. 75), rrahja e shërbëtorit (kreu 120, nr. 77), e sidomos nëse shërbëtori ngrinte dorë ndaj të zotit (kreu 119, nr. 76) etj. Shumë më të rënda ishin dënimet për goditje të vikarit, klerikut, por po ashtu dënoheshin edhe sulmet pa gjak­der­dhje apo nxjerrja e thikës pa shkaktuar lëndim etj.

Kotorri me statutin e tij ruajti dy komponentë që i siguronin autonominë –  ius statutendi, me të cilin kishte të drejtën e rregullimit të brendshëm dhe autodiktija, e drejta e gjyqit të pavarur.

Por, një rast, në dukje përjashtues nga ky princip, që ka mbetur i shënuar në historiografi, vjen nga Prizreni.

Rasti në mes të dy kotorrasve më 1368, kur Vuko­slavi padit bashkëqytetarin Marin de Braska në Kotorr, ishte përpjekje për revidim të asaj që ndodhi një vit më herët në Prizren më 1367, kur ai qe paditur nga bashkë­qytetari i tij në gjyqin e mbretit serb Vukashin, që u shënua si i kundërt me rregullat statutore të Kotorrit. Vukosavi, pas një konteksti me tregti të pëlhurave, ka treguar se si është paditur nga bashkëqytetari i tij De Braska në Gjyqin e mbretit Vukashin kundër Statutit kotorras –  contra ordina­ciones, Statuta et consuetudines civitatis Catari.

Ai thotë se kishte qenë peng i kotorrasit tjetër derisa nuk e pagoi shumën e caktuar, që shihet nga shkresa në serbishte e bërë nga noteri prizrenas, Nikolla. Por, në fund De Braska u detyrua t’ia kthente të hollat kotorrasit tjetër, sepse edhe me këtë rast vlente neni CCCL i Statutit të Kotorrit, sipas të cilit kotorrasit nuk mund të paditen në një gjyq tjetër në kontekst ndërqytetar.

Në fakt, Gogići e kategorizon nenin statutar De Sclavis et Albanensibus verberatis në kuadër të një drejte penale më të gjerë kotorrase, që kishte të bënte me ruajtjen e interesave të komunës dhe të qytetit të Kotorrit nga incidentet e ndryshme me të tjerët në kohën e autonomisë së saj të theksuar, në kohën kur pati konfrontime e konflikte të shpeshtuara në rajon, si lufta e mbretërve të Rashës kundër Dubrovnikut, apo përleshje në det e të tjera. Në këtë mënyrë, ky nen statutor është përtej asaj që njihet si iniuria, fyerje, ofendim, cenim integriteti apo dëm i lehtë fizik – një lloj kombinim i kësaj me një formë më të lehtë të së drejtës penale.

Por, fakti që një nën i tillë përdoret një kohë më të gjatë, ndoshta e relativizon këtë shpjegim.

Sido që të jetë, pa marrë parasysh motivet, shkaqet e rrethanat që e kanë rregulluar këtë aspekt statutor, një gjë mbetet e qartë, se ai ka të bëjë ekskluzivisht me Sclavis et Albanensibus.

E tillë edhe reflektohet në organin me të lartë juridik të Kotorrit –  Statuta civitatis Cathari, De Sclavis et Alba­nensibus verberatis (Cap. CXVII).

Në fakt, ndonëse Sclavis nga historianë serbë dhe te ndonjë tjetër lexohet si “serbët”, kjo mund të ketë interpretime më të gjera brenda të kuptuarit identitar e etnik të kohës – serbë, sllavë, malazezë, hercegovas, kroatë etj., apo kushdo që identifikohet me këtë term.

Por, për Albanensibus është krejtësisht e qartë se për kë bëhet fjalë.

Në fakt, nevoja për të specifikuar arbrit në këtë pjesë të Statutit të Kotorrit, pa marrë parasysh gamën e rrethanave e të motiveve, shpjegon faktin e një realiteti të kohës: të një pashmangshmërie të faktorit arbër me Kotorrin, të komu­nikimit, shkëmbimit dhe të relacioneve gjatë, pothuajse, tërë mesjetës.

Por, kjo ka të bëjë edhe me një aspekt tjetër. Alba­nensibus kuptohen, definohen e trajtohen si grup i veçantë etnik, jashtë sistemit juridik kotorras, por që, po ashtu, nuk definohen si qytetarë brenda një jurdiksioni specifik të përcaktuar tjetër ligjor.

Një aspekt tjetër nga tradita juridike që ndërlidh Ko­torrin me shqiptarët është edhe i natyrës së shkresave note­riale. Kjo ka të bëjë me vendimin e Statutit kotorras të vitit 1322 që nuk i njeh shkresat noteriale nga Tivari deri në Durrës, për shkak të mospërmbajtjes së rregullave të caktuara, andaj si të tilla ato nuk përfilleshin dhe nuk kishin vlerë në gjyqin e Kotorrit.

Në fakt, shkresat noteriale nga kjo hapësirë në Kotorr vlenin vetëm për çështje paje. Vetë distrikti i komunës së Kotorrit ka përfshirë brenda tij apo në fqinjësi direkte edhe sllavët dhe arbana­sit dhe kjo ka bërë që të ketë një lloj kontakti e bashkë­jetese normash të ndryshme juridike, përfshirë këtu edhe atë të drejtës zakonore, që mbanin shqiptarët. Ishte ky një pikëtakim i kulturës juridike detare e romane me atë të brendësisë ballkanike –  të drejtës zakonore malësore (shqip­tarët e malazezët) dhe deri diku bizantine.

E gjithë storia në fjalë e kontekstualizon edhe një dimension tjetër në mes të Kotorrit dhe të shqiptarëve –  atë të kulturës juridike.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë

Artikujt e tjerë nga Ylber Hysa për Kotorrin: