Për Kunderën, shkrimtari nuk është “as historian, as profet”, por “një eksplorues i ekzistencës”. Fiksioni ruan realitetin në epokën e harresës, pasi “lufta e njeriut kundër pushtetit është lufta e kujtesës kundër harresës”. Dhe humori i jep fiksionit elasticitetin e tij: jo vetëm kthesa qesharake, por një “dritë të lehtë” që “shkëlqen mbi peizazhin e gjerë të jetës”
Në romanin më të famshëm të Milan Kunderës, “Lehtësia e padurueshme e qenies”, një artiste disidente çeke e nderuar në Gjermani, e gjen veten të lavdëruar si një e “shenjtë a martire”. Megjithatë, Sabina proteston se “armiku i saj është kiçi, jo komunizmi!”
Kundera, i cili vdiq më 11 korrik në moshën 94-vjeçare, kaloi nga një socializëm i zjarrtë rinor në famë globale si autor i mërguar që ndau dhe përqeshi marrëzitë dhe mizoritë e regjimit satelitor sovjetik që sundoi atdheun e tij deri në vitin 1989. Megjithatë, ai këmbënguli gjithmonë, mbi supremacinë e artit mbi çdo ideologji dhe mbrojti vokacionin e romancierit në një epokë “të mjegulluar me ide dhe indiferente ndaj veprave”.
Për Kunderën, armiku vdekjeprurës i artit të vërtetë ishte kiçi: sentimentaliteti narcist që, në çdo sistem shoqëror fshin realitetet dhe i inkurajon njerëzit të “shikojnë në pasqyrën e gënjeshtrës zbukuruese”. Me ironi therëse, zgjuarsi të mprehtë dhe aftësi letrare të mëdha, ai tallej me gënjeshtrën zbukuruese kudo që e gjente – në politikë, në kulturë apo në marrëdhënie personale. Para dhe pas rënies së bllokut sovjetik, Kundera u bë një nga kritikët më të njohur të idealizmit abstrakt që mund të çojë në tirani. Nëpër fragmente të shkathëta e fiksion të ngjashëm me esenë, ai synonte besimin në histori si një “Marshim i Madh” progresiv drejt “vëllazërisë, barazisë, drejtësisë, lumturisë”.
Megjithatë, përbuzja e tij për idealistët “totalitarë” i kishte rrënjët në përvojën e tij si njëri prej tyre. I lindur në Brno në vitin 1929 si djalë muzikanti, ai studioi letërsi në Pragë. Teksa komunistët morën pushtetin më 1948, ai krijoi poezi ku lavdëronte revolucionin e tyre.
“Edhe unë një herë kërceja në një ring”, shkruan ai në “Libri i qeshjes dhe harrimit”. Edhe ai i ndjeu “cilësitë magjike të rrethit”.
Së shpejti, rrethi u prish. Një gjë që shkoi keq, e përkujtuar në “Shakaja”, çoi në përjashtimin e tij nga partia në vitin 1950. Edhe pse ai iu rikthye vijës së partisë për një kohë dhe u mësoi letërsi studentëve të filmit në Pragë, “Shakaja” botuar në 1967 , pastaj u ndalua – e vendosi atë në rrugën e turpit zyrtar, disidencës dhe mërgimit. Pasi kuptoi “çfarë do të thotë për një njeri të jetojë vdekjen e kombit të tij” pas pushtimit sovjetik më 1968, ai shkoi në Francë ku u vendos qysh në vitin 1975. Më vonë, veprat e tij do t’i shkruante në frëngjisht.
Lojtar, i pakapshëm, eksperimental, Kundera shmangu jo vetëm “Marshimin e Madh”, por edhe deklaratën madhështore. “Ambicia ime e jetës”, kishte thënë ai për “Paris Review”, “ka qenë të bashkojë seriozitetin më të madh të pyetjes me butësinë më të madhe të formës”. Muzika, dashuria e tij e parë, i dha një model. Romanet e tij përbëhen nga grupe variacionesh – shpesh në shtatë pjesë – të kompozuara në mënyrën që ai admironte te shkrimtarët më të mëdhenj të Evropës Qendrore: “Sfera e privilegjuar e analizës, kthjelltësia, ironia”.
Pas shpërthimit me “Librin e së qeshurës dhe harrimit” (1979) dhe “Lehtësia e padurueshme e qenies” (1984), lexuesit dhe shkrimtarët në mbarë botën – nga Philip Roth te Salman Rushdie – gjetën te Kundera një frymëzim çlirues. Skeptikët e konsideruan atë të ftohtë, manipulues, të përmbajtur. Vlerësimi i tij me sy të ftohtë, madje edhe gërryes, i jetës romantike të grave dhe burrave ngriti akuza për misogjini. Ai trajtonte jo vetëm “anën komike të pazbuluar të historisë”, por edhe “anën komike (të vështirë për t’u marrë) të seksualitetit”.
Megjithëse romanet e mëvonshme – ai shkroi dhjetë – u tkurrën në madhësi dhe ndikim, ai e ruajti besimin në artin e të trilluarit. Për Kunderën, shkrimtari nuk është “as historian, as profet”, por “një eksplorues i ekzistencës”. Fiksioni ruan realitetin në epokën e harresës, pasi “lufta e njeriut kundër pushtetit është lufta e kujtesës kundër harresës”. Dhe humori i jep fiksionit elasticitetin e tij: jo vetëm kthesa qesharake, por një “dritë të lehtë” që “shkëlqen mbi peizazhin e gjerë të jetës”. Armiku i vdekshëm, si në shoqërinë komuniste ashtu edhe në atë të konsumit, do të jetë gjithmonë pandershmëria dhe solidariteti i rremë i kiçit. Kundër sentimentalistëve dhe ideologëve pa humor, romancierët hapën një sferë lirie dhe tolerance, Kundera mendoi: një vend “ku askush nuk zotëron të vërtetën dhe të gjithë kanë të drejtë të kuptohen”.
Marrë nga “The Economist”
Përktheu: Mirjetë Sadiku