Koncepti letërsi botërore (weltliteratur) ka tërhequr vëmendjen e shumë studiuesve, kritikëve, profesorëve dhe shkrimtarëve. Nëpër universitetet e botës janë krijuar kurse dhe departamente me këtë emërtim. Në studimet letrare, janë krijuar metoda që hetojnë këtë çështje. Autorë të mëdhenj i janë kthyer këtij termi për ta qartësuar dhe për ta shtyrë përpara. Njëri nga ta, ndër më të mëdhenjtë e kohës sonë, Milan Kundera, i cili njihet për admirimin e madh ndaj Goethes, të cilin e ka portretizuar e sublimuar te romani “Pavdekësia”, në esenë me titull gjermanisht “Die Weltliteratur” thotë se ne e kemi tradhtuar testamentin e Goethes
Më 31 janar 1827, Goethe i thotë Eckermann-it: “Letërsia kombëtare tani është një term pa kuptim; epoka e letërsisë botërore është afër dhe secili duhet të përpiqet ta përshpejtojë ardhjen e saj”. Nuk e di çfarë ka ndodhur në vendet e tjera të bllokut komunist, por në botimin shqip (1987) të librit “Bisedat e Goethes”, ky konstatim profetizues është hequr, sepse flet kundër letërsisë kombëtare.
Njëzet vjet më vonë nga përmendja për herë të parë, termi letërsi botërore u përdor në Manifestin e Marksit dhe Engelsit, të cilët e politizuan termin, duke e përvetësuar si koncept komunist mbikombëtar. Natyrisht, ky ideologjizim synonte instrumentalizimin e letërsisë, pra vënien e letërsisë në shërbim të politikës, çka 100 vjet më vonë kulmoi me aplikimin e poetikës së përbashkët të letërsive të bllokut komunist: realizmin socialist. Kjo ishte linja e degradimit të termit: nga Goethe te Gorki.
Letërsitë e shteteve komuniste u uniformuan nëpërmjet poetikës aprioristike. Shtetet perëndimore e ruajtën termin vetëm sa për t’i manipuluar lexuesit. As shtetet komuniste, as shtetet kapitaliste, nuk ndihmuan në realizimin e ëndrrës së Goethes. Madje ato e kthyen termin e tij në një koncept të tmerrshëm. Letërsia botërore u pervertua nga komunizmi, duke u kthyer në letërsi skematike, ndërsa u abuzua nga kapitalizmi, që maskonte me atë term letërsinë e shteteve të forta perëndimore, duke përmendur vetëm shkarazi ndonjëherë edhe ndonjë autor të ndonjë letërsie të vogël. Përderisa Goethe e ëndërroi letërsinë botërore si letërsi antologjike, ideologët, studiuesit dhe profesorët e kthyen në term ideologjik dhe politik. Termi i krijuar është koncepti më human letrar, mirëpo termi i interpretuar është shpesh i keqkuptuar.
Megjithatë, nga ajo ditë e deri sot, koncepti letërsi botërore (weltliteratur) ka tërhequr vëmendjen e shumë studiuesve, kritikëve, profesorëve dhe shkrimtarëve. Nëpër universitetet e botës janë krijuar kurse dhe departamente me këtë emërtim. Në studimet letrare, janë krijuar metoda që hetojnë këtë çështje. Autorë të mëdhenj i janë kthyer këtij termi për ta qartësuar dhe për ta shtyrë përpara. Njëri nga ta, ndër më të mëdhenjtë e kohës sonë, Milan Kundera, i cili njihet për admirimin e madh ndaj Goethes, të cilin e ka portretizuar e sublimuar te romani “Pavdekësia”, në esenë me titull gjermanisht “Die Weltliteratur” thotë se ne e kemi tradhtuar testamentin e Goethes. Pse e thotë ai këtë? Sepse studiuesit dhe hartuesit e teksteve shkollore kujtojnë se duke i pranëvënë letërsitë nacionale në një libër, kanë krijuar historinë e letërsisë botërore. Pra, ajo çka kanë bërë historianët e letërsisë dhe autorët e teksteve shkollore, është krijimi i një konteksti të përgjithshëm të disa letërsive nacionale, ku natyrisht dominojnë, jo vetëm për arsye estetike, Anglia, Franca, Gjermania, Italia, Spanja, SHBA dhe Rusia.
Me të drejtë, Kundera pyet: A do të ishte Franz Kafka kaq i njohur sikur të ishte çek? Dhe përgjigjet: “Jo, besomëni, askush s’do ta njihte Kafkën sot, askush, nëse ai do të kishte qenë çek”. Çekët edhe sikur ta botonin e ta promovonin, nuk do të kishin mundësi ta bënin të pranueshme në botë veprën ekstravagante të Kafkës, i cili jetoi në Pragë, por shkroi në gjuhën gjermane. E, përderisa, siç thotë Heidegger, “gjuha është shtëpia e qenies”, Kafkën e shpëtoi streha e vet. Ai është botëror, sepse është gjerman, ndër gjermanët më të mirë, pa dyshim.
Edhe
Letërsia shqipe si moszbuluese e kontekstit
Tri përgjigje akademike
Dhjetë vjet më parë, në një intervistë për revistën “Symbol”, që e drejtoj unë bashkë me disa kolegë të mi, e pyeta studiuesen e njohur kanadeze, Linda Hutcheon: “Derisa letërsia krijohet nga personi, jo nga shteti, a mund të na e sqaroni pse rëndom kritikët eminentë preferojnë t’i studiojnë autorët e – më falni për termat ekonomikë – Botës së Parë, e pothuajse kurrë autorët e Botës së Dytë, apo të Tretë, madje edhe kur këta janë të përkthyer në anglisht. Është ky kriter i vlerës, apo diçka tjetër?” Dhe ajo m’u përgjigj: “Pushteti i kanoneve nacionale në punët akademike është ende i fortë, siç e keni vënë re. Por ndoshta ky fokusim në kanone është shenjë e rrezikut të perceptuar që e nënkuptuat ju: një frikë nga universalizmi nëpërmjet globalizimit dhe, në këtë mënyrë, një brengë për humbjen e integritetit kulturor kombëtar? Unë dyshoj që kjo varet nga vendi dhe kultura akademike e tij, kështu që nuk mendoj se ekziston një përgjigje e vetme – por mendoj se në asnjë përgjigje të mundshme nuk mund të përfshihet rëndësia e vlerës, ose cilësia, por shumë më tepër ideologjia. Në vendet anglofone, unë e di, në dekadat e fundit është bërë një lëvizje drejt studimit të asaj që dikur konsiderohej letërsi jokanonike, veçmas asaj nga ish-kolonitë e Britanisë dhe Amerikës. Studimi “post-kolonial” është fushë shumë e rëndësishme në Amerikën e Veriut, në veçanti, sepse ka hapur shqyrtime serioze për veprat nga Afrika, India, Shri Lanka, Filipinet etj. Dhe ka shumë arsye të tjera, të tilla si zhvillimet politike/ekonomike – gjëra të tilla si ngritja e Kinës si një fuqi e madhe botërore – që kanë çuar në përkthimin (prandaj edhe në studimin) e veprave kineze në Perëndim. Ndryshimi tjetër në Amerikën e Veriut, ku jetoj dhe punoj, ka qenë një lëvizje në atë që është quajtur Letërsi botërore – e përafërt me idenë e Goethes – por zakonisht të kufizuar nga aq sa kemi në dispozicion nëpërmjet përkthimit. Unë gjithmonë e kam parë këtë si rezultat të demografikës së Amerikës së Veriut: njerëz të ndryshëm nga të gjitha vendet e botës tash jetojnë bashkë në SHBA dhe Kanada. Kjo tregon qartë një ikje nga studimi i vetëm një kanoni të shkrimtarëve të Botës së Parë dhe e kuptoj si diçka të shëndetshme për letërsinë”.
Nga kjo përgjigje e Hutcheon-it, ne e kuptojmë që termi letërsi botërore nuk është i shkëputur nga zhvillimet ekonomike dhe politike, dhe që lëvizjet demografike imponojnë shkëmbimet kulturore, të cilat e pasurojnë letërsinë botërore.
Një pyetje në lidhje me këtë çështje ia kam bërë edhe profesorit amerikan, Jonathan Culler: “Sa ndihmon letërsia krahasuese në studimin e letërsisë së vendeve të vogla dhe sa ndihmon në njohjen e tyre? Çfarë mendoni për letërsinë e krijuar në Ballkan?” Ai më është përgjigjur: “Natyrisht, ka komparatistë të cilët i studiojnë letërsitë e vendeve të vogla dhe që mund t’u ndihmojnë atyre të bëhen më të njohura. Nga ana tjetër, meqenëse komparatistët po tërheqin edhe letërsinë më të rëndësishme, mund t’i lënë pas dore veprat e vendeve të vogla, çfarë më ka ndodhur sigurisht edhe mua. Ka aq shumë vepra në anglisht, frëngjisht, gjermanisht dhe italisht saqë nuk jam tunduar të shikoj diku tjetër, sidomos te gjuhët që nuk i njoh. Kam frikë se nuk e njoh letërsinë e Ballkanit”.
Përgjigjja e prof. Culler-it më pëlqen, sepse është e sinqertë, pa pasur nevojë të jetë e tillë. Ai shumë lehtë mund të hynte në google, të nxirrte disa emra nga letërsia e Ballkanit, dhe të më jepte një përgjigje false, sa për t’u dukur që e njeh edhe letërsinë e kësaj ane. Mirëpo, ai është studiues i madh, sepse flet vetëm për ato që i di. Dhe ai e pranon që s’e njeh letërsinë e Ballkanit. E kam fjalën për letërsinë moderne, jo për atë antike. Megjithatë, ky është një shqetësim për shkencën e studimeve letrare. Kur nuk e njeh ai këtë letërsi, merreni me mend sa mund ta njohin lexuesit e thjeshtë. E, Ballkani përfshin edhe Greqinë, e cila gjatë shekullit 20 ka nxjerrë njërin nga poetët më të mirë modernë, i denjë për t’i prirë plejadës së modernistëve botërorë, Kostandin Kavafis, pastaj dy nobelistët Giorgos Seferis dhe Odiseas Elytis, e mbi të gjitha ka nxjerrë shkrimtarin Nikos Kazantzakis, këtë Homer modern. Përveç Greqisë, kemi edhe Rumaninë: Mircea Eliade, Nichita Stanescu, Marin Sorescu etj., figura që i bëjnë nder letërsisë botërore; Kroacinë, e cila, përveç disa shkrimtarëve të shkëlqyeshëm të ditëve të sotme, ka dhënë edhe Miroslav Kërlezhën, i cili ka meritën që, si kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavisë dhe mik i Titos, arriti ta kundërshtonte metodën e realizmit socialist, duke e lënë vetëm si metodë opsionale, jo obligative. Gjithashtu, në Ballkan janë edhe Ivo Andriq, Mesha Selimoviq e Danillo Kish, i cili është lavdëruar aq shumë nga Kundera, Roth, Brodsky, Sontag etj. Po ashtu, në Ballkan janë edhe sllovenët Boris Pahor e Drago Jançar, e po ashtu (duke shpresuar që kjo nuk paraqet konflikt interesi), bashkëkombësi im i famshëm, Ismail Kadare. Ka edhe shkrimtarë të tjerë që meritojnë të njihen e të jenë pjesë e kanonit të letërsisë botërore, nëse ky term sinjifikon një kanon. Goethe propozon që model për letërsinë botërore të merret letërsia greke. Letërsia botërore e ka vendlindjen në Ballkan, prandaj s’e kuptoj kompleksin perëndimor për të ikur nga Itaka.
Në pyetjen time se a ka kuptim sot termi “letërsi botërore” kur dihet se pjesa më e madhe e letërsisë së botës nuk përfshihet në të?, profesori dhe studiuesi Hans Bertens, më ka dhënë këtë përgjigje: “‘‘Letërsia botërore’ në kuptimin në të cilin përdoret në universitetet amerikane (dhe gjithnjë e më shumë gjetkë) i referohet asaj letërsie që qarkullon, me një qëndrueshmëri të caktuar, përtej kulturës së saj të origjinës. Pra, është e vërtetë që shumica e letërsisë nuk cilësohet si ‘letërsi botërore’. Është një koncept që e vë qartë letërsinë ‘e vogël’ në një disavantazh, pasi përkthimi në një ose në shumë gjuhë të tjera, mundësisht të mëdha, është një kusht absolut. Praktikisht, janë shkrimtarët në anglisht që përfitojnë më shumë nga ky përkufizim i veçantë i ‘letërsisë botërore’, pasi shumë më tepër prozë është përkthyer nga anglishtja në gjuhë të tjera sesa anasjelltas (vitin e kaluar vetëm dhjetë përkthime nga frëngjishtja u shfaqën në anglisht, dhe disa prej tyre ishin përkthime të reja të klasikëve francezë). Nga ana tjetër, pjesa më e madhe e romaneve të botuar në anglisht nuk përkthehen fare, kështu që sigurisht nuk është rasti që e gjithë letërsia në gjuhën angleze të kualifikohet si ‘letërsi botërore’. Por, tash rrethanat janë situuar kundër shkrimtarëve që shkruajnë në gjuhë ‘të vogël’”.
Siç mund ta shihni edhe nga pyetjet, unë termin letërsi botërore e kam përdorur edhe në kuptimin e një koncepti integrues të letërsive “të vogla”, në mënyrë që të zgjerohet harta. Përderisa weltliteratur s’mund të kthehet kurrë në një nocion tipologjik, atij gjithmonë do t’i japim atribute gjeografike dhe aksiologjike. Goethe i nënkuptonte të dyjat. Donte t’i njihte letërsitë e vendeve të tjera, dhe t’i afronte vlerat e letërsive të tjera. Pra, së pari t’i njohim vendet (kontekstin), pastaj edhe vlerën (tekstin). Zgjerimi i hartës është i domosdoshëm. Si bëhet sot ky zgjerim? Duke u përkthyer. Ajo çka thotë Bertensi, duke theksuar një fakt statistikor, flet më shumë për një qëndrim ekskluziv që nuk duhet të duartrokitet.
Letërsia botërore dhe gjuha botërore
Nga mitologjia biblike e dimë që të gjithë njerëzit flisnin një gjuhë, deri kur nisën kullën e Babelit, dhe Zoti ua përzjeu gjuhët. Kështu nisi epoka pas Babel, nga e cila ende nuk kemi dalë.
Ndërsa, nga të dhënat arkeologjike e dimë që tekstet e para u shkruan në tri kontinentet e vjetra: Azia, Afrika dhe Evropa. Mesopotamia, Egjipti dhe Greqia janë tri shtyllat e qytetërimit botëror, edhe pse asnjëra nga këto qendra nuk fliste një gjuhë botërore. Anglishtja që sot njihet si gjuhë botërore, nuk ekzistonte, ndërsa vendi i saj (Anglia) nuk ishte pjesë e kontinentit tonë (ajo nuk bën pjesë në Evropën kontinentale), dhe dy kontinentet e tjera anglofone (Amerika Veriore dhe Australia) nuk njiheshin fare. Sot, sipas një konsensusi politik dhe akademik, anglishtja është gjuhë botërore. Kjo nuk do të duhej të ishte shqetësuese për askënd. Shqetësuese është tendenca akademike dhe politikat editorale për t’i promovuar si letërsi botërore vetëm ato vepra që qarkullojnë në këtë gjuhë botërore. Pra, sipas këtij koncepti, për të qenë një vepër e një niveli botëror duhet të jetë e botuar në gjuhën botërore. Natyrisht, as për ata që e marrin gjuhën si determinante kryesore, nuk do të thotë se çdo vepër e shkruar anglisht ose e përkthyer anglisht, mund të konsiderohet vepër botërore. Por në shekullin tonë është një disponim dominant, që mund të kthehet në konsensus: një vepër, për të qenë e denjë për letërsi botërore, duhet të jetë shkruar ose botuar në gjuhën botërore. Pra, gjuha e përcakton fatin e letërsisë.
Sigurisht, konceptit të Goethes është duke i shërbyer shkëlqyeshëm edhe komparatistika, duke ballafaquar letërsi të ndryshme dhe duke zbuluar autorë që nuk janë njohur, por që meritojnë të njihen botërisht. Studimet komparative marrin parasysh edhe veprat në gjuhë të vogla. Meqë shumica e studimeve të tilla botohen anglisht, ndihmojnë në promovimin e tyre në një gjuhë të madhe. Komparatistët e bëjnë të njohur një relacion mes veprave të ndryshme nacionale për ta kthyer ngjashmërinë në vlerë globale. Pra, nga nacionalja te globalja.
Drekova me Gëten. “Brenda ditëve të fundit, që kur u pamë” tha ai, “kam lexuar shumë vepra të ndryshme; veçanërisht një roman kinez, i cili më ka pushtuar dhe më duket i jashtëza-konshëm.”
“Roman kinez!” thashë unë; “Kjo duket mjaft e çuditshme.”
“Jo aq sa mund ta mendosh,” tha Gëte; “Kinezët mendojnë, veprojnë dhe ndiejnë sikur ne; dhe shpejt e zbulojmë se jemi krejtësisht si ata.”
siç e shohim nga kjo bisedë e Goethe-s me Eckermann-in, ne duhet ta njohim letërsinë e tjetrit, jo vetëm tonën, dhe këtë e bën edhe komparatistika, kjo shërbëtore e letërsisë botërore. Më parë, ajo çka konsiderohej letërsi botërore ishte kryesisht klasikë evropiane, plus ndonjë tekst i lashtë afrikan e aziatik. Mirëpo, siç sugjeron profesori i Letërsisë Botërore në Universitetin e Harvardit, David Damrosch, tashmë ka ndodhur një kalim from Old world to Whole world. Për klasiken kemi mirëkuptim, por problemi është bashkëkohorja. Të gjithë e dinë që Shakespeare i përket letërsisë botërore, por ende nuk ka një konsensus të tillë për Julian Barnes, për shembull.
Tash mund të pyesim se çka është letërsia botërore:
- term tipologjik (po ulem e po e shkruaj një vepër që do të jetë letërsi botërore)?
- term aksiologjik (kjo vepër është shumë e mirë sa meriton të njihet në gjithë botën)?
- term gjeografik (kjo vepër vjen nga ky vend dhe lexohet nëpër shumë vende të botës, prandaj është vepër botërore)?
Edhe
Uliksi i secilit autor
Nga biseda e Goethes kuptohet që ky term nënkupton vendin dhe vlerën. Le ta njohim një vlerë që vjen nga një vend tjetër. Ky koncept është së pari inkluziv, pastaj kognitiv, dhe së treti selektiv. Çka mbetet nga përzgjedhja është e denjë për t’u konsideruar letërsi botërore. Së pari, duhet të ketë përfshirje globale, pastaj përzgjedhje nacionale, për të dalë te kryeveprat mbinacionale.
Pra, procesi për të ardhë te letërsia botërore duhet të shtrihet në krejt letërsitë e botës, por letërsia botërore si rezultat përfshin veprat më të mira të botës. Letërsia botërore nuk është histori e letërsive, por letërsia e letërsive, crème de la crème.
Ne jemi në një fazë kur më shumë na duhet njohja, sesa vlerësimi. Ne kemi nevojë të lexojmë njëri-tjetrin. Ne kemi nevojë ta njohim njëri-tjetrin. Ne kemi nevojë ta njohim hartën e weltliteratur-es. Lexuesi perëndimor ka njohuri modeste mbi letërsitë aziatike, dhe njohuri minimale mbi letërsitë afrikane. Njohuri të përcipta ka edhe mbi letërsitë e vogla të Evropës, si ajo çeke dhe shqiptare. Juve ju harrojnë, sepse jeni në qendër, neve na harrojnë sepse jemi në qoshe.
Megjithatë, shkrimtarët e mirë, ata vërtet të talentuar, mund të shpresojnë se herët a vonë, do të jenë pjesë e letërsisë botërore, sepse, siç thotë Demokriti: “Njeriu i mençur u përket të gjitha vendeve, sepse shtëpi e një shpirti të madh është e gjithë bota”.
Post Scriptum
Përdersia për veten si shkrimtar nuk mund të flas, për veten si lexues më duket se mundem. Unë nuk kam qenë lexues parashkollor, madje as në gjashtë vitet e para të shkollës fillore s’kam lexuar letërsi. Ishte mundësia të merrje notë të mirë edhe pa lexuar libra, mjaftonte angazhimi në klasë.
Në vitet ‘90 gjendja politike në Kosovë përkeqësohej dita-ditës. Një ditë, kur isha dhjetë vjeç, babai na tha se e kishte rregulluar punën ashtu që të mund të dilnim ilegalisht në Gjermani. Autobusi na solli deri në Pragë dhe aty na la. Nga Praga hipëm në tren për Pëlzen. Nga stacioni i Pëlzenit babai thërriste dy personat me të cilët ishte marrë vesh që kur ishim në Kosovë, të dilnin të na merrnin në kufi. Por, ata bënë sikur s’e dëgjuan telefonin dhe s’u lajmëruan. Atë natë e kaluam në stacion duke u dridhur nga të ftohtit dhe nga frika. Ilegali ka frikë nga gjithçka, edhe nga hija e tij. Për shkak që ishim tre fëmijë të vegjël, nëna nuk pranoi të dilnim maleve nëpër terr, se mund të na shqyenin qentë kufitarë, mund të binim në ndonjë lumë a përrua, apo mund të na ndodhte ndonjë e keqe tjetër e paparashikuar. Kështu që, në mëngjes, të dëshpëruar u kthyem për Kosovë: unë, dy vëllezërit e mi, nëna, babai dhe gjyshi.
Ndërkohë, shokët e ngushtë të klasës ikën për Gjermani, babai gjithashtu, ndërsa gjyshi vdiq, dhe fillova të ndihem i vetmuar. Shkova në bibliotekë të qytetit dhe mora një libër. Nuk e zgjodha unë, por bibliotekari. Libri quhej “Robinson Kruzo”. E lexova me një frymë. Pastaj mora edhe disa libra që m’i sugjeronte bibliotekari. Kujtoj që librin e parë që e kam zgjedhur, për shkak të kopertinave të bukura, sigurisht, ka qenë “Fausti” i Goethes. Nuk e harroj atë magji. Deri në studimet doktorale, atë libër e kam lexuar çdo vit. Shumë më vonë e kam kuptuar që Goethe është inventor dhe ekzemplar i letërsisë botërore.
Megjithatë, deri në moshën 18 vjeçare kam lexuar gjithçka që më dilte përpara. Qëllonte në raft kompleti i ndonjë gjeniu, unë e lexoja komplet. Qëllonte kompleti i ndonjë idioti (sepse në gjuhën shqipe edhe idiotët shkruajnë dhe, madje, ua botojnë kompletet), unë e lexoja deri në fund. Mendoja se është mëkat nëse bëj dallime në lexim. Në gjimnaz hoqa dorë nga leximi me rafte. U mësova t’i kaloja disa autorë shqiptarë dhe të fokusohesha te të huajt. Gjatë kohës së studimeve, u fokusova vetëm në leximin e kryeveprave. Pastaj, nga mosha 30 vjeçare, pasi mbarova doktoraturën, nisa të lexoja me hartë. Leximi me hartë më ka pasuruar më shumë se çdo lexim tjetër. Përpiqem ta njoh letërsinë e çdo kombi, dhe në mendjen time të krijoj letërsinë time botërore. Kështu, unë njoh disa autorë çekë, si Karel Čapek, Jaroslav Hašek, Václav Havel, Miroslav Holub dhe dy djemtë e Bërnos, Bohumil Hrabal dhe Milan Kundera. Të gjithë këta janë në hartën time, disa prej tyre edhe në zemrën time.
Ashtu si Goethe që e shpiku termin weltliteratur dhe me veprën e tij e dha shembullin e një letërsie të tillë, edhe Kundera, i cili shkroi studimin e famshëm “Die Weltliteratur”, e diskutoi, e pasuroi dhe e promovoi këtë term, duke dhënë shembullin e vet. Ai është shkrimtar filozof, me njohje të thella mbi muzikën dhe pikturën. Jo vetëm romanet e tij, të cilësuara prej kohësh si kryevepra botërore, por edhe esetë e tij janë një kontribut i jashtëzakonshëm për letërsinë botërore, madje edhe për kulturën botërore. Studiuesit e sotëm s’kanë si të mos u jenë falënderues këtyre dy kolosëve të kulturave të tyre dhe të kulturës sonë të përbashkët, që mund të quhet kulturë botërore. Kundera tha se e kemi tradhtuar testamentin e Goethes. Nëse s’e dëgjojmë Kunderën, ne, përveç tradhtarë, jemi edhe të shurdhër dhe të marrë. Jo rastësisht, fjala latine “absurdus” ka brenda “shurdhërinë” dhe “marrëzinë”.
Ligjëratë e mbajtur në Universitetin e Pragës, më 10 maj 2022
Botohet me lejen e autorit
Bibliografia:
Bertens, Hans. Farewell to postmodernism. Pristina: Symbol, No 17, 2019.
Culler, Jonathan. A Life in Criticism. Pristina: Symbol, No 11, 2017.
Damrosch, David. What is World Literature. Princeton University Press, 2003.
Damrosch, David. How to read World Literature, New Jersey: Wiley-Blackwell, 2009.
Hutcheon, Linda. Beyond postmodernism. Pristina: Symbol, No 1, 2013.
Edhe
Letërsia në epokën e inteligjencës artificiale
Eckermann, Johann Peter. Conversations of Goethe. Digital Production by HTTP://WWW.HXA7241.ORG/, 2010.
Kundera, Milan. The Curtain, London: Faber and Faber, 2007.