I popullarizuar me romanin e tij të parë, “Shakaja” (1967), edhe më shumë me “Lehtësia e padurueshme e qenies” (1984), Milan Kundera është shkrimtar origjinal i Evropës, që francezët e bënë pothuaj klasik modern të vetin. Shumëkujt i vjen keq që shkoi pa e fituar Çmimin Nobel për Letërsi. Sa për kujtesë, Nobelin s’e kanë fituar as James Joyce (Xhejms Xhojs) as Jorge Luis Borges (Borhes), shkrimtarë më me peshë në rrafsh universal sesa Kundera. E kanë fituar Nobelin shumë shkrimtarë që e kanë merituar më pak sesa Kundera, sigurisht.
Fuqia krijuese e Kunderës ka rënë dekadat e fundit, siç ndodh jo rrallë me shkrimtarët e mëdhenj që jetojnë më gjatë. Kundera vdiq në moshën 94-vjeçare. Romani i tij i fundit, i para një dekade, “La fête de l'insignifiance” (Festa e të qenit i parëndësishëm, përafërsisht në shqip; në anglisht është botuar me titullin “The Festival of Insignificance”, M.H.) është cilësuar i flashkët nga kritika. Prej kur Kundera nisi të shkruante në frëngjishte, romanet e tij u bënë më filozofikë, më pak politikë.
Unë e kam lexuar Milan Kunderën fillimisht në shqip, ndonjë vepër të tij edhe në serbokroatisht, pjesën tjetër, më të madhe, lexime dhe rilexime, në anglisht. Domethënë, as çekisht, as frëngjisht. Po e theksoj këtë për arsye se Milan Kundera e ka parë gjithë procesin e përkthimit me mosbesim; te libri i tij “Testamente të tradhtuara” bën autopsinë e gabimeve të përkthyesve të Kafkës në frëngjisht. Kundera angazhohet thjesht për qasjen e përkthimit fjalë për fjalë.
Mbasi jetoi me vite në Francë dhe zotëroi frëngjishten, Kundera e la çekishten dhe nisi të shkruante veprat e veta në frëngjisht nga mesi i viteve tetëdhjetë të shekullit XX. Në këto vite ai rishikoi të gjitha përkthimet e romaneve të veta në frëngjisht, që i kishte shkruar në çekisht, dhe i shpalli këto versione përfundimtare, autentike të romaneve të veta. Përkthimet u bënë origjinalet e tij. Më vonë, për të bërë versionet e reja çeke, ai përdori tri origjinale: dorëshkrimin në çekisht, versionet e para çeke të botuara (në Toronto, Kanada) dhe përkthimet definitive në frëngjisht. Nuk ka “version origjinal” të veprës së Kunderës në kuptim tradicional të termit.
Kohët e fundit kam lexuar me kënaqësi një ese të Milan Kunderës të para 40 vjetësh, me titull në anglisht “The Tragedy of Central Europe” (Tragjedia e Evropës Qendrore), që u botua në anglisht më 1984. Kundera e vendos Evropën Qendrore kundrejt një dikotomie të thjeshtë Lindje-Perëndim. Për pasojë të Luftës së Dytë Botërore, Evropa Qendrore mbeti politikisht në Lindje, ndonëse historikisht kishte qenë pjesë e Perëndimit, prej të cilit ishte “rrëmbyer” më 1945. “Un Occident kidnappé ou la tragédie de l'Europe Centrale”, ishte titulli i esesë në frëngjisht. Kjo të bën të mendosh edhe për fatin tonë, të shqiptarëve, që kishim mbetur në Lindje, mbas vitit 1945, Shqipëria po se po, por edhe Kosova si pjesë e ish-Jugosllavisë.
Milan Kundera e përqas civilizimin perëndimor me Rusinë, duke konstatuar se komunizmi ishte në linjë me logjikën e historisë ruse, sepse i mundësonte Rusisë të realizonte ëndrrat perandorake. Ky interpretim ishte parë si problematik para 40 vjetësh. Po vërtetohet sa i drejtë ka qenë tash, në këtë një vit e gjysmë lufte të Rusisë kundër Ukrainës. Vladimir Putini, një ish-aparatçik komunist, tash, si president i Rusisë, po do ta ringjallë Rusinë cariste.
Muhamet Hamiti, profesor i letërsisë angleze në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës (UP)