Me një personalitet zor të definueshëm, një bagazh letrar tejet të pasur, e përvoja që mund ta kenë formësuar atë, në mos i pastë formësuar ai përvojat, Kunderën e njohim po aq sa nuk e njohim; veprat e tij definohen nga pamundësia për t’i definuar; ai i jep letërsisë po aq sa u merr përkufizimeve të saj; ai e pasuron zhanrin e romanit, po aq sa e zhvesh atë nga parimet e tij konvencionale. Milan Kundera – i cili vdiq të martën në moshën 94-vjeçare – është akoma me ne, e hija e tij zor se do t’i shqitet ndonjëherë letërsisë. Ai, pra, do të jetë përherë me ne
E quan “mbidozë nga vetja” arsyen e tërheqjes nga jeta publike, ndërkaq famën e sheh si tretje të vatrës e të shpirtit. Parapëlqen të flasë për letërsinë, jo për veten e tij. Milan Kundera, i heshtur tashmë e i skajuar, në moshë të shtyrë e me pak vëmendje, jeton në atdheun e tij të adoptuar, por me hijen e tij prej gjigandi letrar. Hija e përcjell njeriun sa të jetë gjallë, e rrallë e tek zhduket ndonjëherë në ka vepër për t’i bërë strehë. Milan Kundera është akoma me ne, e hija e tij zor se do t’i shqitet ndonjëherë letërsisë. Ai, pra, do jetë përherë me ne.
Me një personalitet zor të definueshëm, një bagazh letrar tejet të pasur, e përvoja që mund ta kenë formësuar atë, në mos i pastë formësuar ai përvojat, Kunderën e njohim po aq sa nuk e njohim; veprat e tij definohen nga pamundësia për t’i definuar; ai i jep letërsisë po aq sa u merr përkufizimeve të saj; ai e pasuron zhanrin e romanit, po aq sa e zhvesh atë nga parimet e tij konvencionale. Milan Kundera është një kundërthënie, por asnjëherë kundërthënës.
Kundera dhe rrethanat e kohës
I lindur në vitin 1929 në Brno të Çekosllovakisë së atëhershme (Çekia e sotme), jeta e tij qe, ndër të tjera, një endje nëpër përvoja kryesisht politike e zhvillime historike, që në thelb duket ta kenë ndërtuar Kunderën në figurën që ai sot është në letërsi. I bashkuar si anëtar i partisë komuniste në vendin e tij në fund të viteve ‘40, i përjashtuar prej saj, i ripranuar sërish, e prapë i shkëputur nga ajo, jeta e Kunderës preket konsiderueshëm me pushtimin e Çekosllovakisë nga sovjetikët në verën e vitit 1968. Është po aty ku jeta e tij merr një kah tjetër e edhe vepra e tij shndërrohet në një makinë që i shërben kësaj përvoje përgjithnjë.
Kryesisht si pasojë e përfshirjes së tij në lëvizjen e pasuksesshme të Pranverës së Pragës (shpresa e socializmit që u përbalt nga tanket sovjetike), Kundera humbet pozitën e tij prej mësimdhënësi në Pragë, ndërkohë që goditja tjetër e madhe pason menjëherë pas: librat e tij ndalohen gjithandej vendit. Romani i tij, “Shakaja”, botuar në Pragë në vitin 1967, qe bazë e mjaftueshme për një ndalim të tillë: një thirrje kundër realitetit, ku tradhtia dhe hakmarrja ndyjnë shpirtin, apo lexuar ndryshe, kundër absurdit e jetës nën komunizmin e atëhershëm. Qe kjo koha kur Kundera e gjeti veten totalisht të privuar nga të gjitha mënyrat legale për të fituar për jetesë, dhe krejtësisht të zhveshur nga e drejta e tij e të mbeturit shkrimtar. Jeta për të u bë, thjesht, një realitet i papërballueshëm.
Në vitin 1975 ai iku në mërgim në Francë, dhe krijimtaria e tij në mërgim, por pa e përjetuar si të tillë (ai Francën gjithnjë e njohu si atdhe të adoptuar), arriti të shembë bindjen e përhapur se çrrënjosja e shkrimtarit nga vendi i tij amë është në thelb çrrënjosje e shpirtit prej shkrimtari, e prej frymëzimit të tij. Përkundrazi, larg nga Çekosllovakia, Kundera përmes shkrimit arriti që Çekosllovakinë e kujtimeve të tij ta kthejë më në jetë seç e kishte lënë, ta erotizojë e ta mitizojë.
Roli i diktaturës në letërsi
Gjurmët e pushtimit sovjetik mbi literaturën e vendit përgjithësisht janë të thella. Kundera thotë se është tendencë romantike përpjekja për të mos njohur dëmin në përmasat e vërteta të tij; shtypja vret kultura. Kultura kërkon hapësirë për frymëmarrje, shkëmbim të lirshëm të ideve, debate, ekspozim. Kultura mund të mbijetojë në vështirësi, por ama, vetëm për sa kohë që ato rrethana mbytëse nuk njihen për të tilla; mbijetesa e tillë është e paqëndrueshme. Për shembull, pas pushtimit sovjetik, ani pse edhe jeta kulturore ishte shuar tërësisht dhe letërsia çeke ishte pothuajse tërësisht e ndaluar, kjo e fundit arriti majat e famës ndërkombëtare të saj pikërisht në vitet ‘70. Por jetëgjatësia e një fenomeni të tillë është e paparashikueshme, dhe shumë e lëkundshme. Kjo lloj krijimtarie u zhvillua në vakum iluzionar, pasi që diktaturat e lindjes nuk kishin një fund të parashikueshëm (siç mund të kenë pasur regjime të tjera diktatoriale). Kjo përfundimisht është akoma më e rrezikshme sesa shembja e letërsisë për një kohë të caktuar, ngaqë mund të shpjerë te një shembje e përhershme.
Kundera, te libri i tij “Nostalgjia”, përshkruan këtë fenomen (krijimtarinë në vakum, dhe mosqëndrueshmërinë/shembjen e saj), ani pse në një kontekst kohor tjetër, në këtë formë: “Gjatë njëzetëvjetëshit të parë, sikundër e përshkrova, ndërmjet 1918 dhe 1938, çekët mendonin se Republika e tyre kishte përpara përjetësinë. Gabonin, por pikërisht sepse gabonin, jetuan ato vite mes gëzimit, që ndihmoi të lulëzonin artet, si asnjëherë tjetër. Pas ndërhyrjes ruse, duke mos pasur as idenë më të vogël për fundin e pritshëm të komunizmit, kujtuan përsëri se do rronin në përjetësi, dhe kështu njëzetvjeçari i tretë u bë aq i mjerueshëm, aq i kobshëm, jo nga torturat e jetës së tyre të përditshme, por nga boshllëku i së ardhmes, që u shteroi forcat, që u mbyti kurajën”.
Kundera, si një kritik i hapur i regjimit të atëhershëm, shpesh u portretizua si një disident politik, epitet të cilin ai e luftoi gjithnjë fuqishëm, duke luftuar në përgjithësi kultin e epiteteve të ngulitura në cektësinë e fenomeneve politike, siç ishte për të komunizmi i regjimit të atëhershëm. Ama një cilësim tjetër, që me gjasë edhe ai vetë do ta pranonte, është se Kundera përmes Çekosllovakisë e solli Evropën Lindore te vëmendja e lexuesit perëndimor, përmes elementesh universale, siç janë ndjekja e së vërtetës dhe lirisë së vetes, pa të cilat e vërteta nuk njihet dot.
Raporti me mërgimin, nostalgjia
Kundera, pothuajse që nga fillimi, nuk e kishte konsideruar veten emigrant në Francë. Këtë ia kishte mundësuar mosshpresa e tij për t’u kthyer ndonjëherë në atdhe; mosekzistenca e një shprese të tillë e shtyn njeriun ta njohë vendin e jetesës si atdhe të vërtetë. Ai nuk ndihet as i çrrënjosur; që nga koha e ikjes në Francë, Kundera kishte filluar të shkruante edhe në frëngjisht. Mund të thuhet përgjithësisht se reputacioni i tij si shkrimtar është më së shumti i ndërtuar mbi tri veprat e tij, të shkruara në periudhën e mesme të krijimtarisë së tij. Janë këto “Libri i të qeshurës dhe harresës”, “Lehtësia e padurueshme e të qenit”, dhe “Pavdekësia”. Përpara dhe pas tyre qëndrojnë vepra që i sillen përreth këtyre tri, por që janë më pak shtylla të temës që tanimë e definon krijimtarinë letrare të Kunderës. Këto tri të përmendurat e dallojnë stilin e tij si shumë të veçantë, dhe që të tria janë romane në temën e mërgimit.
Përpos që tema mbizotëruese e veprave të Kunderës është ajo e mërgimit, ai po ashtu na njofton edhe me konceptin e atdheut si diçka tjetër prej definicionit klasik të tij; ai e njofton lexuesin me konceptin e atdheut të mërgimit. Kjo e fundit ishte Franca për të, siç kishte qenë Çekosllovakia atdheu i tij i paracaktuar. Me temën në fjalë, Kundera është “i obsesionuar me, definuar nga, dhe fatkeqësisht, limituar nga [siç thotë ai vetë].” Përtej saj, ai nuk frymon. Pikërisht për shkak të obsesionit të tij me këtë temë dhe këtë temë vetëm, emrat e romaneve të tij (dhe domosdo edhe përmbajtja) janë në raport të këmbyeshëm me njëri-tjetrin. E thotë edhe vetë ai që cilido libër i tij mund të titullohet “Lehtësia e padurueshme e të qenit” apo “Libri i të qeshurës dhe harresës”, “Shakaja” e të tjera. Kjo duke qenë se ato janë reflektim i asaj, përbrenda së cilës Kundera e shtrin tërë krijimtarinë e tij letrare, dhe arrin ta zgjerojë temën në sfera të reja, duke mos zgjeruar sferat e shkrimit të tij në tema të reja.
Romane të ndërtuara mbi konceptin e mërgimit – për të huazuar termin e njërit nga përkthyesit e Kunderës, të kësaj “vetësyrgjynosjeje masive” – janë shfaqje të përjetimeve të nostalgjisë ndaj asaj që lihet pas, braktiset, ndërkohë që jeta kthehet në një përjetim brenda një “vorbulle marramendëse të largimit, ndarjes, kthimit.” Kjo e fundit (kthimi, v.j.) jo rrallë ilustrohet si një koncept i ëndërrueshëm, por që në thelb është një koncept zhgënjyes kur aplikohet. Te romani “Nostalgjia”, Kundera përshkruan fenomenin e mërgimit si një përvojë shumë personale në thelb, e cila perceptohet si një që duket se përjetohet bashkërisht, dhe pyet se ku qëndron shpirti i saj vetjak.
“Një gjë ishte e sigurt: mijëra ikanakë, në të njëjtën natë, shikonin të gjithë të njëjtën ëndërr, në mijëra mënyra, ëndrrën e syrgjynosjes: një nga dukuritë më të çuditshme të shekullit XX”.
Dikotominë mes largimit dhe ëndrrës për t’u kthyer, si pjesë përbërëse e temës që mbizotëron përgjithësisht te vepra e Kunderës, ai e përshkruan te “Nostalgjia” si: “I njëjti regjisor i nënvetëdijes, që ditën i dërgonte copa të peizazhit të vendlindjes, si tablo lumturie, natën organizonte kthime të frikshme po në të njëjtin vend. Dita ndriçohej nga bukuria e vendit të braktisur, nata nga tmerri i kthimit. Dita i tregonte parajsën që kishte humbur, nata, ferrin nga ku kishte shpëtuar”. Ndonëse i mërguari nuk paraçlirohet kurrë nga kjo vërtitje marramendëse mes nostalgjisë e së vërtetës së kthimit. Mbase as Kunderës vetë kurrë nuk iu shqit kjo vërtitje. Por nostalgjia nuk e forcon veprimin e kujtesës së realitetit; përkundrazi, e shtyn njërin që të thellohet në mallëngjim, e që detyrimisht sforcon kujtesën në përmasa që e shkëpusin atë nga realiteti.
Kontributi në zhanrin e romanit
I pyetur nëse është e drejtë të thuhet që janë dy prototipa të kompozimit të novelave të tij: polifonia, e cila i bashkon elementet e ndryshme në një arkitekturë të bazuar në numrin shtatë; dhe një shfaqje komike, që është e njëllojtë, teatrore, dhe që i shkon përgjatë asaj që është zor e mundur; nëse mund të ekzistojë një Kunderë jashtë këtyre dy prototipave, ai përgjigjet: “Unë gjithnjë ëndërroj për një pabesi të papritur të përmasave të mëdha. Por deri më tani, nuk kam arritur që t’i shqitem bigamisë sime”.
Ambicia e tij e kahershme ishte të përbashkojë seriozitetin maksimal të një çështjeje me lehtësinë maksimale të trajtës. Nga kjo ndërthurje mes një trajte të shthurur dhe një çështjeje serioze, Kundera beson që zbulon të vërtetën e jetëve tona dhe sa të parëndësishme janë ato. Në këtë formë, sipas tij, ne përjetojmë “lehtësinë e padurueshme të të qenit.” Këtu vjen sërish në pah raporti i këmbyeshëm, i përmendur më lartë, që titujt e librave të Kunderës kanë mes vete. Të gjithë, në një formë apo tjetrën, trajtojnë lehtësinë e padurueshme të të qenit, të vërtetat e jetëve tona që i hasim në rrethana krejtësisht personale e pa ndonjë rëndësi, dhe atyre të vërtetave që luajnë rol të madh në skenën e historisë. Përjetimi i kësaj ndjesie është po ashtu në raport të këmbyeshëm me natyrën e shkrimeve të Kunderës; të parën njeriu e përjeton thjesht nga të jetuarit, ndërkohë që të dytën, përmes leximit të Kunderës.
Shkrimi si kompozim i muzikës
Kundera ndërlidh mënyrën e shkrimit të tij me atë të kompozimit të veprave muzikore. I ati i tij ishte pianist, dhe Kundera ishte rritur me frymën e veprave moderne të muzikës klasike të Stravinskyt, Schoenbergut e Bartokut. Por njëri që e kishte fascinuar gjithnjë atë, ishte kompozitori çek, Leoš Janáček, të cilin ai e vlerësonte si një kompozitor modern të paparë, të pakrahasueshëm e të paklasifikueshëm. Ai ishte përherë i mahnitur me atë se si Janáček përdorte një paravënie të ashpër në vend të tranzicioneve; përsëritje në vend të varianteve, dhe që gjithnjë u shkonte gjërave mu në thelb, duke cilësuar kështu që vetëm ato nota që përbënin diçka krejtësisht thelbësore, ishin të denja për të ekzistuar. Kundera gjykon që e njëjta vlen edhe për zhanrin e romanit, elementet përbërëse të të cilit shkrim duhet të jenë thelbësore, dhe secili ndërrim skene thërret për një parashtrim krejtësisht të ri, përshkrim e shpjegim të pavarur, e të vetëqëndrueshëm. Vetëm ato vepra të cilat shpërfaqin një fragment të panjohur deri atëherë të qenies njerëzore janë të denja të ekzistojnë. “Të jesh shkrimtar nuk është të predikosh të vërtetën; është të zbulosh të vërtetën”. Kundera mëton të bëjë të njëjtën që, sipas tij, Janáček bën në veprat e tij: ta çlirojë romanin nga automatizmi i teknikave të të shkruarit romanesk, të tjerrjeve romaneske të fjalëve.
Një karakteristikë tjetër e rëndësishme e Kunderës është se ai i shkruan romanet e tij në trajtën e varianteve. Po ashtu, ato variante ndërtohen kryesisht mbi një arkitekturë të bazuar në numrin shtatë; shtatë variante përbrenda një romani. Kjo formë e të shkruarit gjithsesi shpie që shkrimtari të heqë dorë nga e mundësia e të përçuarit, të së ashtuquajturës filozofi të tijën, tek lexuesi. Përse Kundera heq dorë nga ushtrimi (kushtimisht) i këtij lloj autoriteti mbi lexuesin, e madje edhe rebelohet kundër këtij koncepti të “filozofisë së shkrimtarit”, duke kompozuar shkrimet e tija siç kompozohet muzika – variante të natyrave të ndryshme me tranzicione të hovshme mes tyre, të mbajtura bashkë pak nga tema, motive, e fjalë që herë-herë rishfaqen nga varianti në variant?
Ai beson fuqishëm që shkrimtari nuk mund të përçojë filozofinë e tij te lexuesi, ngaqë ky i pari nuk ka një të tillë. Kundera merr për shembull atë që ne dëshirojmë ta quajmë “filozofia e Kafkës, apo Çekhovit” (e shumë të tjerëve), por këto, sipas tij, janë ide që këta i shkruajnë, dhe idetë janë vërtitje intelektuale e endje e paradokseve, apo improvizime, por jo filozofi. Ndërkohë që, filozofët që shkruajnë romane, Kundera i cilëson si pseudoshkrimtarë të zhanrit të tillë, të cilët e shfrytëzojnë këtë formë për të shprehur filozofitë e tyre. Siç nuk arrijnë shkrimtarët e zhanrit të romanit të përçojnë një filozofi të veçantë të tyren te lexuesi, njashtu nuk munden as filozofët që shkruajnë romane që zbulojnë e përjetojnë atë të cilën romani e përbën në vete dhe më vete (shembuj janë Voltaire, Camus).
Për të analizuar përbrenda shtatëshes së famshme të varianteve të Kunderës, në shkrimet e tij dallohet thekshëm po ashtu ndarja e kapitujve me numra (përbrenda varianteve), pra të dalluar si kapituj më vete. Thurjet letrare të Kunderës duket që ngaherë përcjellin frymën e të kompozuarit muzikë. Kapitujt për Kunderën janë si njësitë e një pjese muzikore. Ka pjesë ku njësitë (kapitujt) janë të gjatë, të tjerë ku ata janë të shkurtër, dhe të tilla të një gjatësie të çrregullt. Secila pjesë ka një temp të vetin, po ashtu: mund të jetë moderato, presto, andante, e të tjera. Ai, ashtu siç arriti të çlirohej nga pesha e vendit të tij amë (lidhja me të), duket që njëherësh arriti të çlirohej edhe nga pesha e përputhjes me traditat formale të të shkruarit. Si pasojë, romani i Kunderës është vepër me fluiditet masiv, tranzicione të pasforcuara mes formës së tregimit, esesë, e të tjera.
Zhanri i romanit
Por, si bëhet që shkrimi në variante – siç bën Kundera me ide jo doemos të ndërlidhura me njëra-tjetrën, e me ndryshime drastike nga skena në skenë – futet nën kategorinë e romanit? Në parim, zhanri i romanit karakterizohet nga vazhdimësia, rrjedha e tregimit, dinamika e ndërlidhja mes pjesëve që janë tërësisht të dhëna pas përçimit te lexuesi, në formë unike, ngjarjen e romanit. Po i njëjti parim kërkon personazhe kryesore, stil të veçantë të narracionit, dinamikë të dallueshme, e të tjera elemente, që e bëjnë romanin përjetim të një ngjarjeje specifike për lexuesin. Megjithëkëtë, Kundera arrin të fusë shkrimin e tij te zhanri i romanit përmes rebelimit kundër etiketimeve e definicioneve që i janë dhënë këtij zhanri, e që detyrimisht e ka kufizuar atë me limite të vetëkrijuara. Kundera mëton, edhe njëherë, ta çlirojë romanin nga limitet që i janë vënë ndërkohë, pak me hir, pak me pahir.
Për ta bërë këtë, ai shkruan pa harmoni mes aktesh; harmonia mes akteve është shtylla ku lexuesi mbështetet tek lexon romanin (harmonia mund të qëndrojë edhe në mosunitetin e ngjarjes, siç bën stili francez i të 50-ve, nouveau roman). Kundera e rrëzon këtë shtyllë, por e mban lexuesin në këmbë, madje tërësisht të varur pas kësaj shthurjeje të ngjarjes së romanit. Në shkrimet e tij nuk ka as harmoni përbrenda subjektit, as mungesë të harmonisë; shkrimi i tij është kombinim i padefinueshëm, i paqasshëm teorikisht, i paparashikueshëm. Ai nuk ka kornizë, dhe ashtu mbështetet vetëm në koherencën mes temave që shtjellohen përbrenda dhe variacioneve të tyre, e cila është e vetmja lidhje reciproke mes pjesëve, dhe ajo mjafton për ta quajtur shkrimin e tij zhanër të romanit. Romanin Kundera e cilëson si “përsiatje në ekzistim e sipër, e parë përmes personazhesh imagjinare. Trajta është liri e pafund. Gjatë historisë së tij, zhanri i romanit kurrë nuk ka ditur të përfitojë nga mundësitë e pafundme që ka. Kështu zhanri i romanit ka humbur shansin e vet”.
Ai që shkruan romane për Kunderën është një “eksplorues i ekzistencës”, dhe jo një parashikues a historian. Si rrjedhojë, ai parashtron pyetje, por s’e parapëlqen të mendojë për përgjigjet. Tek “Arti i romanit”, Kundera shkruan: “Jashtë romanit, ne ndodhemi në sferën e konfirmimeve, pohimeve: gjithsecili është i sigurt për paraqitjet e tij: politikani, filozofi, portieri. Ama përbrenda universit të romanit asnjëri nuk konfirmon dot gjë: është ajo sfera e lojës dhe e hipotezës. Në roman, atëherë, të menduarit, reflektimi, janë në thelb zbavitje e kureshtjes, hipotetik”. Ky lloj mendimi josistematik, hipotetik, ironik, e i lënë pa përmbyllje, është e kundërta e diskursit që shoqëron logjikën e ngurtë të disa formave të tjera të të shkruarit, apo fushave të tjera të të menduarit. Romani për Kunderën është liri prej asaj që është e imponuar, e detyruar; liri prej regjimeve të dhunshme, prej çdo gjëje autoritare. Shkrimi i romanit është çlirim nga përsiatja për të dhënë përgjigje, e për të gjetur zgjidhje. Përkundrazi, shkrimi i romanit është parashtrimi i pyetjeve.
Shkrimtari me orgjinë çekosllovake, por i adaptuar nga Franca; i mërguar në atë që e përqafoi si atdhe të tijin; rezistent ndaj famës, por i famshëm shumë; kundërshtar i ideologjive, ithtar i artit të pyetjes, pa kërkuar përgjigje; as i djathtë, as i majtë, por i dhënë theksueshëm kundër totalitarizmit. I tërhequr, por shumë i gjallë. Shkrimtar romanësh, me vepra pa pothuajse asnjë tipar romani. I fascinuar me muzikën, por e paparamendueshme ta kalojë jetën me muzikën; i dhënë krejtësisht pas shkrimit. Ky është Milan Kundera; mbase duke jetuar vitet e pleqërisë së tij në ritmet e festivalit të parëndësisë: një përvojë ku s’para ndodh shumë; një ndejë, pak mall i njëanshëm, pak teke e përshtatje, por prapë, një përvojë që të mban të gjallë, ani pse s’përbën asnjë rëndësi më vete.
Ky shkrim u botua për herë të parë në Shtojcën për Kulturë të “KOHËS Ditore” më 20 maj, 2017. Ribotohet me ndërhyrje të vogla, me lejen e autores