Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, i është drejtuar popullit iranian të premten mbrëma, duke deklaruar se regjimi në Teheran jo vetëm që shtyp popullin e vet, por edhe kërcënon shkatërrimin e Izraelit.
“Popull krenar i Iranit, jemi në mes të njërës nga operacionet më të mëdha ushtarake në histori – Operacioni ‘Rilindja e Luanit’. Regjimi islamik, që ju ka shtypur për gati 50 vjet, po kërcënon shkatërrimin e vendit tonë – Shtetit të Izraelit”, ka thënë Netanyahu në fjalimin e tij.
Ai deklaroi se qëllimi i operacionit izraelit është të ndalet kërcënimi që, sipas tij, paraqet regjimi islamik përmes programit bërthamor dhe raketave balistike.
“Ndërsa e arrijmë qëllimin tonë, ne po ua hapim rrugën edhe juve drejt lirisë. Brenda 24 orëve të fundit, kemi likuiduar komandantë të lartë ushtarakë, shkencëtarë bërthamorë, objektin më të rëndësishëm të pasurimit të uraniumit të regjimit dhe pjesën më të madhe të arsenalit të raketave të tij balistike”, u shpreh Netanyahu.
Ai paralajmëroi se do të ketë edhe më shumë sulme ndaj Iranit, duke e përshkruar regjimin iranian si “të dobët dhe të papërgatitur”.
“Më shumë sulme janë rrugës. Regjimi nuk e di çfarë e ka goditur – dhe çfarë do ta godasë. Kurrë nuk ka qenë më i dobët. Kjo është mundësia juaj të ngriheni dhe të bëni të dëgjohet zëri juaj”, u shpreh ai.
Netanyahu përsëriti se lufta e Izraelit nuk është kundër popullit iranian, por kundër regjimit që e sundon atë.
“Lufta jonë është kundër regjimit islamik vrasës që ju shtyp dhe ju varfëron. Populli iranian dhe ai izraelit kanë qenë miq që nga koha e Kirut të Madh. Tani ka ardhur koha që populli iranian të bashkohet rreth flamurit dhe trashëgimisë historike, duke luftuar për lirinë nga një regjim i lig dhe shtypës. Popull trim i Iranit – drita e mposht errësirën”, përfundoi Netanyahu.
