Botë

Izraeli sulmon Iranin, godet zonat bërthamore dhe ushtarake

iran

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se Izraeli kreu operacion ushtarak duke e arsyetuar se qëllimi është të frenohet kërcënimi i Iranit ndaj shtetit të tij

Foto: Associated Press

Izraeli të premten ka kryer sulme të paparalajmëruara nëpër zonat kyçe bërthamore dhe ushtarake të Iranit, duke vrarë katër komandantë ushtarakë dhe të sigurisë. Irani është kundërpërgjigjur me lëshimin 100 dronëve në drejtim të territorit izraelit. Sulmet ka ngjallur shumë reagime. Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka alarmuar Republikën Islamike që të pranojë marrëveshjen mbi programin e saj bërthamor, ose të përballet me më shumë sulme brutale. Ndërkohë që Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte e ka quajtur sulmin e Izraelit të njëanshëm. Të gjitha përditësimet rreth sulmit mund t’i lexoni këtu:

Izraeli ka sulmuar kryeqytetin e Iranit të premten dhe ka thënë se ka shënjestruar zonat bërthamore dhe ushtarake.  Ushtria izraelite ka thënë se 200 avionë luftarakë janë përdorur në sulmet mbi Iranin.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se Izraeli kreu operacion ushtarak duke e arsyetuar se qëllimi është të frenohet kërcënimi i Iranit ndaj shtetit të tij.

Ai ka paralajmëruar se sulmi do të vazhdojë deri në “eliminimin” e këtij kërcënimi.

Nga zonat e goditura ishte selia komanduese e Gardës Revolucionare Islamike në Teheran, duke vrarë komandantin e saj, Hossein Salami. Është vrarë edhe Ali Shamkhani, njeri i afërt i Khameneit dhe ish-kreu i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

VIDEO:

 

 

Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Iranit, Mohammad Bagheri, është vrarë po ashtu në sulm, raportoi AP. Zyrtarë të tjerë ushtarakë po ashtu kanë mbetur të vrarë.  

Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike ka konfirmuar se zona kryesore bërthamore e Iranit në Natanz është goditur nga Izraeli. E ka konfirmuar se termocentrali bërthamor iranian Bushehr, në bregdetin e Gjirit Persik, "nuk është shënjestruar dhe se nuk është vërejtur asnjë rritje e niveleve të rrezatimit në zonën e Natanzit".

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka paralajmëruar pasoja të rënda ndaj Izraelit.

Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, Effie Defrin, ka thënë se Irani ka lëshuar rreth 100 dronë drejt territorit izraelit, por se ata i kanë ndaluar.

Dronët iranian (Foto nga arkivi)

Gjendje emergjente është shpallur në Izrael.

Kreu i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka bërë thirrje për “përmbajtje maksimale” në Lindjen e Mesme, teksa ka dënuar sulmet e Izraelit.

Ministri i Jashtëm iranian ka bërë thirrje ndaj komunitetit ndërkombëtar që t’i dënojnë sulmet e Izraelit. Ai ka theksuar se sulmi “e ekspozon sigurinë botërore ndaj kërcënimit të paprecedentë”.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se ka qenë në dijeni për planet e Izraelit më parë, por e ka bërë të qartë se ushtria amerikane nuk luajti rol në operacion.

“Irani nuk mund të ketë një bombë bërthamore dhe ne po shpresojmë të rikthehemi në tavolinën e negociatave”, ka thënë ai.

Shefi i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se është “jashtëzakonisht e rëndësishme” që aleatët e Izraelit të punojnë në drejtim të depërshkallëzimit. 

“Mendoj se tani është jashtëzakonisht e rëndësishme për shumë aleatë, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të punojnë, përderisa po flasim, në drejtim të depërshkallëzimit. E di që ata po e bëjnë këtë dhe mendoj se kjo është tani rendi i parë i ditës”, ka thënë Rutte gjatë një konference për shtyp në Stokholm të Suedisë, duke i cilësuar veprimet e Izraelit si të njëanshme.

Kryeministri i Britanisë, Keir Starmer, i ka bërë thirrje Iranit dhe Izraelit që të depërshkallëzojnë tensionet urgjentisht.

“Përshkallëzimi nuk i shërben askujt në rajon”, ka thënë ai.

Autoritetet turke i kanë bërë thirrje Izraelit të ndalojë “veprimet agresive” pas sulmeve në Iran, që kanë ndodhur në kohën kur po mbahen negociatat e diskutime të gjera rreth programit bërthamor të Republikës Islamike.


“Izraeli duhet të ndalojë menjëherë veprimet agresive që mund të dërgojnë në konflikte të tjera”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë.

Jordania ka mbyllur përkohësisht hapësirën ajrore si masë sigurisë.

VIDEO:

Irani vendos flamurin e kuq të hakmarrjes 

Ndërkohë, Irani ka vendosur flamurin e kuq të hakmarrjes në xhaminë Jamkaran. 

VIDEO:

Izraeli sulmon Iranin, Teherani kundërpërgjigjet

4 o. më parë / 13 qer 2025 23:29
Një nga shpërthimet në Teheran. Foto: Associated Press

Një nga shpërthimet në Teheran

Photo: Associated Press

Izraeli ka goditur në zemër të kompleksit bërthamor, raketor dhe ushtarak të Iranit në orët e para të mëngjesit të së premtes, në një sulm të pashembullt që ka vrarë disa nga figurat më të fuqishme të Iranit dhe ka futur Lindjen e Mesme në një moment të ri dhe të rrezikshëm.

Sulmet ndaj programit bërthamor të Iranit dhe udhëheqësve të lartë ushtarakë mund të përfaqësojnë një pikë kthese në konfliktin e gjatë. Tani Izraeli është në pritje të një hakmarrjeje të madhe nga Irani. E rrezik real po shihet mundësia që rajoni të përballet me shpërthim të një lufte më të gjerë.

Më vonë gjatë ditës së premte, një pjesë e hakmarrjes së paralajmëruar u nis. Ushtria izraelite bëri të ditur se Irani ka lëshuar më shumë se 100 raketa drejt Izraelit dhe se Izraeli ka filluar “t’i ndërpresë” jashtë kufijve të tij. Disa raketa e depërtuan mbrojtjen e Izraelit, që në reagim kërcënoi edhe më shumë Iranin. Për mbrojtjen e Izraelit u raportua se ka ndihmuar edhe SHBA-ja me forcat e saj. Është raportuar edhe për të lënduar, ndërsa udhëheqësit izraelitë kanë planifikuar menjëherë përgjigjet për sulmet e Iranit.

Paraprakisht lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, e ka paralajmëruar Izraelin se do të përballet me “ndëshkim të ashpër” për sulmet dhe ka konfirmuar se disa komandantë dhe shkencëtarë iranianë janë vrarë.

Zëdhënësi i Forcave të Armatosura të Iranit ka thënë se si Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe Izraeli do ta “paguajnë shtrenjtë”, ndërsa ministri i Jashtëm Iranian, Abbas Araghchi, e ka klasifikuar sulmin “shpallje lufte”.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar të premten se SHBA-ja nuk ka qenë e përfshirë në sulmet e realizuara, tek ka theksuar se Izraeli e kishte njoftuar paraprakisht SHBA-në se besonte që “veprimi ishte i nevojshëm për vetëmbrojtjen e tij”.

Të enjten, presidenti Donald Trump veçse pati paralajmëruar për mundësinë se një konflikt masiv në Lindjen e Mesme mund të ndodhte “shumë shpejt”.

Tek ka shkruar në platformën e tij sociale “Truth Social”, Trump i ka bërë thirrje të premten Iranit që ta pranojë një marrëveshje bërthamore “para se të mos mbetet më asgjë”, duke sugjeruar se sulmet pasuese të Izraelit mund të jenë “edhe më brutale”.

Washingtoni zyrtar ka kërkuar prej kohësh ta kufizojë kapacitetin bërthamor të Teheranit. Madje këtë e bëri edhe në negociatat më të fundit që u zhvilluan në Romë muajin e kaluar, por që përfunduan pa marrëveshje. Rundi i gjashtë i bisedimeve mes SHBA-së dhe Iranit ishte planifikuar të zhvillohej të dielën në Oman – por ende nuk është e qartë nëse do të mbahet apo jo.

Sulmet e Izraelit u realizuan në kohën kur Teherani zyrtar kishte njoftuar se do të shtonte aktivitetet e tij bërthamore, pasi Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike miratoi një rezolutë që konstatonte se Irani nuk po u përmbahet zotimeve të veta për mospërhapjen e armëve bërthamore, kanë bërë të ditur zyrtarë të lartë amerikanë për CNN-in.

Gjatë një fjalimi televiziv, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se operacioni ushtarak kishte “goditur në zemër të programit të armëve bërthamore të Iranit”, dhe se objektivat përfshinin ndërtesën kryesore të pasurimit të uraniumit në Natanz, shkencëtarët bërthamorë iranianë dhe programin e raketave balistike të Iranit.

“Pak çaste më parë, Izraeli nisi operacionin ‘Luani që Ngrihet’, një operacion ushtarak i synuar për të zmbrapsur kërcënimin iranian ndaj vetë ekzistencës së Izraelit”, ka deklaruar Netanyahu të premten në mëngjes. “Ky operacion do të vazhdojë për aq ditë sa të jetë e nevojshme për të eliminuar këtë kërcënim”.

Shpërthime të shumta janë dëgjuar në Teheran, duke tmerruar banorët e tij, teksa disa video të verifikuara nga CNN-i kanë shfaqur flakë dhe tym që ngrihej nga ndërtesa në të gjithë qytetin. Hapësira ajrore e Iranit është mbyllur gjithashtu, sipas autoritetit të aviacionit civil të vendit.

Në deklaratën e ushtrisë izraelite u bë e ditur se avionë luftarakë izraelitë kishin përfunduar gjithashtu një “sulm në shkallë të gjerë” ndaj sistemeve të mbrojtjes ajrore në perëndim të Iranit.

“Si pjesë e sulmeve, dhjetëra radarë dhe lëshues raketash tokë-ajër u shkatërruan”, thuhet në deklaratën e lëshuar.

Sipas autoriteteve iraniane dhe mediave shtetërore, disa nga figurat më të fuqishme të Iranit janë vrarë. Ndër ta janë gjenerali Hossein Salami, komandanti i përgjithshëm i Trupave të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), si dhe gjeneralmajor Mohammad Bagheri, shefi i shtabit të forcave të armatosura të Iranit dhe oficeri më i lartë ushtarak i vendit.

Disa prej qindra raketave iraniane kanë depërtuar në mburojën ajrore të Izraelit. Foto: Associated Press

Gjithashtu mes të vrarëve janë edhe ish-shefi i sigurisë kombëtare, Ali Shamkhani – një këshilltar kyç i Ayatollah Khameneit, i cili ka shërbyer për gati një dekadë si sekretar i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare – dhe Amir Ali Hajizadeh, kreu i Forcave Ajrore të IRGC-së, i cili u vra së bashku me dy komandantë të tjerë të forcave ajrore.

Sipas agjencisë shtetërore Tasnim janë vrarë gjithashtu edhe gjashtë shkencëtarë bërthamorë iranianë.

Të premten, lideri suprem i Iranit menjëherë i ka emëruar komandantë të rinj për të drejtuar strukturat kyç ushtarake, përfshirë gjeneral brigade Mohammad Pakpour, i cili tani është kreu i ri i IRGC-së.

Sulmet e së premtes sugjerojnë se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, pa një mundësi për të realizuar objektivin afatgjatë të Izraelit për të shkatërruar programin bërthamor të Iranit.

Irani ndodhet në pozitën më të dobët ushtarake në dekada, për shkak të sanksioneve dërrmuese ekonomike, sulmeve të mëparshme izraelite ndaj mbrojtjes së tij ajrore dhe dobësimit të thellë të aleatëve të tij më të fuqishëm rajonalë, përfshirë Hezbollahun.

Zyrtarë amerikanë kishin thënë më parë për CNN-in se sulmet izraelite ndaj Iranit do të përfaqësonin një shkëputje të hapur nga qasja e mëparshme e Trumpit ndaj Lindjes së Mesme.

Të premten, Trumpi ka deklaruar për CNN-in se SHBA-ja mbështet Izraelin, përderisa e ka vlerësuar sulmin ndaj Iranit si “shumë të suksesshëm”.

Menjëherë disa shtete kanë alarmuar dhe kanë dënuar sulmet e Izraelit. Ministria e Punëve të Jashtme e Arabisë Saudite ka thënë se sulmi “minon sovranitetin dhe sigurinë dhe përbën shkelje të qartë të së drejtës ndërkombëtare”, ndërsa ambasada e Kinës në Iran e ka quajtur situatën komplekse dhe të rëndë.

Banorët në Iran janë përballur me natë të frikshme. “Njerëzit kanë raportuar për lëkundje toke, eksplodime të mëdha e fluturime të aeroplanëve luftarakë mbi kokë”, ka thënë Negar Mortazavi, bashkëpunëtore e lartë në Qendrën për Politika Ndërkombëtare.

Azzam, një shtetas iranian që jeton afër Saadat Abadit në Teheranin verior, një zonë e sulmuar nga Izraeli ka thënë se është zgjuar nga lëkundjet e shtëpisë. “Isha shumë i frikësuar, në pamundësi që të dija se çka po ndodhte”.

Izraeli ka shpallur gjendjen emergjente, duke mbyllur hapësirën ajrore, shkollat e duke ndaluar tubimet. “Dhjetëra mijëra” ushtarë izraelitë janë ftuar në përgatitje për përballje me hakmarrjen iraniane, ka njoftuar ushtria e Izraelit.

Frika nga lufta më e madhe

Analistët dhe ekspertët kanë paralajmëruar tash e sa kohë se sulmet e Izraelit ndaj kapaciteteve bërthamore iraniane mund të nxisin hakmarrje të ashpër nga Irani dhe kërcënojnë ta çojnë rajonin në luftë në shkallë të plotë.

Dhe nëse Izraeli e Irani përfshihen në një luftë në shkallë më të gjerë, rrezikon tërheqjen e SHBA-së brenda. SHBA-ja është aleati më i afërt dhe furnizuesi më i madh i armëve për Izraelin. Aktualisht janë 40 mijë trupa amerikane në Lindjen e Mesme. Indikacionet për rrezik u shfaqën në fillim të javës, kur SHBA-ja urdhëroi largimin e personelit jothelbësor nga vendet në Lindjen e Mesme.

Bazuar në mendimet e ekspertëve, sulmet izraelite ndaj zonave bërthamore të Republikës Islamike të Iranit ka gjasa të shënojnë fundin e negociatave bërthamore mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.

Objekti që ndodhet në qendër të ambicieve bërthamore të Iranit u përfshi nga flakët të premten, sipas imazheve të publikuara në rrjetet sociale, të cilat janë verifikuar nga CNN-i dhe televizioni shtetëror iranian.

Kompleksi bërthamor në Natanz, një qytet rreth 250 kilometra në jug të Teheranit, konsiderohet si objekti më i madh i pasurimit të uraniumit në Iran. Analistët kanë thënë se ky vend përdoret për të zhvilluar dhe montuar centrifuga për pasurimin e uraniumit – një teknologji thelbësore që e shndërron uraniumin në lëndë djegëse bërthamore.

Agjencia e Energjisë Atomike të Iranit ka konfirmuar se objekti në Natanz është dëmtuar. Kompleksi përfshin struktura mbi dhe nën tokë, por nuk është e qartë se cilat pjesë janë prekur nga sulmi, gjithsesi nuk është raportuar për viktima.

Udhëheqësi i agjencisë bërthamore të OKB-së, Rafael Grossi, ka deklaruar se nuk ka pasur nivele të larta rrezatimi në Natanz. Objektet e tjera bërthamore në Iran, si ato në Isfahan dhe Fordow, “nuk janë prekur”, ka shtuar Grossi në mesditën e së premtes. Por në mbrëmje, sipas një deklarate të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit nga sulmet nuk ka shpëtuar as objekti në Isfahan.

“Forcat tona kanë shkatërruar një strukturë për prodhimin e uraniumit metalik, infrastrukturën për konvertimin e uraniumit të pasuruar, si dhe laboratorë dhe infrastrukturë shtesë që shërbenin për programin atomik iranian”, thuhet në deklaratë.

Objekti në Isfahan konsiderohet si një ndër pikat më të rëndësishme të kapacitetit bërthamor të Iranit dhe punëson mijëra shkencëtarë, përfshirë edhe laboratorë të ndërlidhur me reaktorët kërkimorë kinezë.

Sulmi nga brenda

Sipas një zyrtari të sigurisë izraelite, shërbimi i inteligjencës “Mossad” kishte futur armë në Iran përpara sulmeve të së premtes, të cilat u përdorën për të goditur mbrojtjen nga brenda vendit.

Zyrtari ka thënë se “është ngritur një bazë për lëshimin e dronëve shpërthyes brenda Iranit dhe se këta dronë u aktivizuan gjatë sulmit të së premtes për të goditur lëshues raketash në një bazë pranë Teheranit”.

Ai ka shtuar gjithashtu se Izraeli kishte “futur armë precize në Iranin qendror dhe i kishte pozicionuar ato pranë sistemeve të raketave tokë-ajër”, dhe se kishte përdorur sisteme goditëse të vendosura në automjete.

Irani operon të ashtuquajturin “Boshti i Rezistencës” në rajon, i cili përfshin aleatë besnikë si Hezbollahu në Liban dhe Houthit në Jemen, si edhe grupe të ndryshme militante në Irak dhe Siri. Që nga fillimi i luftës së Izraelit në Gazë në vitin 2023, sulmet nga këto grupe satelite janë intensifikuar në shenjë solidariteti me palestinezët.

Vitin e kaluar, lufta e ftohtë shumëvjeçare mes Izraelit dhe Iranit u përshkallëzua përmes një sërë sulmesh me raketa nga të dyja palët. Në atë kohë, SHBA-ja e paralajmëroi Izraelin që të mos godiste infrastrukturën energjetike apo bërthamore të Iranit.

Operacioni i së premtes përfaqëson një përshkallëzim shumë më të madh se çdo veprim i mëparshëm. Analistja e sigurisë së CNN, Beth Sanner, ka thënë se eliminimi i Hossein Salamit është i krahasueshëm me eliminimin e kreut të shtabit të përbashkët të ushtrisë amerikane.

“Mund ta imagjinoni çfarë do të bënin amerikanët”, ka thënë ajo.

Sanner ka theksuar se Irani tanimë ndodhet “nën kërcënim ekzistencial”, dhe për këtë arsye, Izraeli pritet të përballet me “një hakmarrje masive, shumë më të madhe se ajo që ka parë në të kaluarën”.

MPJD-ja thirrje qytetarëve të Kosovës në Izrael të qëndrojnë në vende të sigurta

Përveçse në botë, tensionimi i situatës në Lindje të Mesme nxiti shqetësim edhe në Kosovë. Në Ministrinë e Punëve të Jashtme u kanë bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Izrael t’i shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të qëndrojnë në vende të sigurta. Në njoftimin e MPJD-së u theksua se kjo thirrje është adresuar në bashkëpunim edhe me Ambasadën e Kosovës në Izrael, duke e marrë parasysh përkeqësimin e situatës së sigurisë në Izrael dhe në rajon.

Irani: 78 të vdekur nga sulmet barbare të Izraelit, shumica gra e fëmijë

4 o. më parë / 13 qer 2025 23:14
sulmi i Izraelit

Photo: Associated Press

Ambasadori i Iranit në Kombet e Bashkuara, Amir Saeid Iravani, ka thënë në një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të premten se “sulmi barbar dhe kriminal” i Izraelit u ka marrë jetë 78 personave, që shumicë ishin civilë.

Sipas tij, shumica e të vrarëve ishin gra e fëmijë.

Ai ka thënë se Izraeli ka kryer akt agresioni duke qëlluar mbi qendra civilësh.

“Këto mizori përbëjnë akte të qarta të terrorizmit shtetëror dhe shkelje flagrante të të drejtës ndërkombëtare”, ka thënë Iravani.

Ai ka deklaruar se janë lënduar edhe 320 persona.

«Washington Post»: Sulmi i Izraelit ndaj Iranit ishte i suksesshëm. Por cili është qëllimi përfundimtar?

5 o. më parë / 13 qer 2025 22:43
Izrael

Në një editorial të redaksisë, «Washington Post» shkruan se sulmi ajror i Izraelit kundër infrastrukturës bërthamore të Iranit dhe udhëheqjes së tij ushtarake u konsiderua gjerësisht si një sukses operacional. «Pjesë të konsiderueshme të programit bërthamor janë dëmtuar ose shkatërruar, komandantë të lartë të Gardës Revolucionare janë vrarë, si dhe shkencëtarë kyç». Por, siç paralajmëron gazeta, pyetjet e mëdha sapo kanë filluar të shtrohen.

Fitorja taktike nuk përkthehet domosdoshmërisht në një strategji afatgjatë të qartë. Pyetja thelbësore që shtrohet është: a e ka Izraeli një plan për «ditën pas»? Dhe çfarë roli kanë SHBA-të në këtë dinamikë? Edhe pse çdo pengesë ndaj ambicieve bërthamore iraniane konsiderohet «fitore për sigurinë globale», sulmi i fundit mund të ketë pasoja të paparashikuara.

Një çështje kyçe është nëse Irani ende ka kapacitetin për të prodhuar centrifuga të avancuara për pasurim uraniumi. Ndërsa objektet në Natanz janë dëmtuar rëndë, uzina e Fordowit, ndërtuar thellë brenda një mali, mbetet e paprekur — dhe e paarritshme përveçse nga bomba të posaçme që SHBA-të nuk i kanë dhënë Izraelit. Editoriali i «Washington Post» paralajmëron se Irani mund të vendosë tani ta fshehë tërësisht programin bërthamor, të largohet nga Traktati për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore ose të dëbojë inspektorët e Ajencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atonike, të cilët gjithsesi kanë pasur vetëm qasje të kufizuar.

Goditja izraelite mund të sjellë efekt të kundërt: të shtyjë Iranin të përshpejtojë përpjekjet për të ndërtuar një armë bërthamore si mjet parandalues ndaj sulmeve të ardhshme — këtë herë me fshehtësi edhe më të madhe. Po ashtu, nuk dihet nëse ky poshtërim ushtarak do ta destabilizojë regjimin iranian, apo do të forcojë mbështetjen nacionaliste për të. Regjimi iranian ka investuar qindra miliarda dollarë dhe një pjesë të madhe të prestigjit të vet në programin bërthamor, duke sakrifikuar ekonominë që është gjymtuar nga sanksionet perëndimore.

Ende nuk është e qartë shkalla e përfshirjes së SHBA-ve në këtë sulm. Sekretari i Shtetit Marco Rubio deklaroi se Izraeli veproi i vetëm. Por presidenti Donald Trump deklaroi për «Wall Street Journal»: «Nuk kishim nevojë për paralajmërim — ne e dimë çfarë po ndodh.» Kjo mospërputhje shton dyshimet për një koordinim të heshtur amerikan me Izraelin. Sulmi ndodhi vetëm një ditë pasi përfundoi afati 60-ditor që Trump i kishte dhënë Iranit për një marrëveshje të re bërthamore. Ndaj lind dyshimi se kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu, me mbështetjen e heshtur të SHBA-ve, synoi të shkatërronte çdo shans për marrëveshje nëpërmjet forcës ushtarake.

Trump më pas deklaroi: «Iranianët ende mund të bëjnë një marrëveshje, përderisa u ka mbetur diçka.» Kjo përforcon perceptimin se Washingtoni dhe Jeruzalemi mund të jenë duke ndjekur një lojë të mirëmenduar diplomatike, ku njëra palë vepron si «polici i keq», tjetra si «polici i mirë».

Benjamin Netanjahu ka vite që paralajmëron për rrezikun ekzistencial që paraqet një Iran bërthamor për Izraelin. Sipas «Washington Post», kryeministri ndoshta ndjeu se momenti ishte i favorshëm për të goditur: pas sulmeve të Hamasit më 7 tetor 2023, perceptimi izraelit për sigurinë ka ndryshuar rrënjësisht. Për më tepër, Irani ndodhet në pozitën më të dobët rajonale në dekada: Hamasi është goditur rëndë në Gaza, Hizbollahu është dobësuar në Liban, dhe regjimi i Asadit në Siri është rrëzuar. Një goditje izraelite më e vogël vitin e kaluar kishte degraduar sistemet mbrojtëse ajrore të Iranit.

«Izraeli goditi kur kushtet ishin të pjekura», shkruan «Washington Post». Por mungesa e një strategjie të qartë për pasojat dhe roli i paqartë i SHBA janë alarmante. Gazeta paralajmëron drejtpërdrejtë Donald Trumpin: një president që është shprehur kundër përfshirjes në «luftëra të përjetshme» në Lindjen e Mesme, duhet t’i rezistojë çdo përfshirjeje të re.

40 njerëz po trajtohen në spitale izraelite pas sulmit të Iranit

5 o. më parë / 13 qer 2025 22:16
40 njerëz po trajtohen në spitale izraelite pas sulmit të Iranit

Pas kundërpërgjigjes së Iranit, 40 persona po trajtohen në spitale të ndryshme në Izrael, prej të cilëve dy janë në gjendje kritike, kanë bërë të ditur autoritetet shëndetësore izraelite.

Spitali Ichilov në Tel Aviv është duke trajtuar 18 pacientë.

Spitali Beilinson në Petah Tikva ka 7 pacientë, përfshirë një në gjendje kritike.

Spitali Sheba në Ramat Gan po trajton 15 persona, ndër ta edhe pacientin tjetër në gjendje kritike.

Lëndimet e të hospitalizuarve janë të natyrave të ndryshme, duke përfshirë plagë nga copëza shpërthyese, thithje të tymit dhe gjendje shoku.

Netanyahu i drejtohet popullit iranian: Po ua hapim rrugën drejt lirisë

5 o. më parë / 13 qer 2025 22:07
Benjamin Netanyahu

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, i është drejtuar popullit iranian të premten mbrëma, duke deklaruar se regjimi në Teheran jo vetëm që shtyp popullin e vet, por edhe kërcënon shkatërrimin e Izraelit.

“Popull krenar i Iranit, jemi në mes të njërës nga operacionet më të mëdha ushtarake në histori – Operacioni ‘Rilindja e Luanit’. Regjimi islamik, që ju ka shtypur për gati 50 vjet, po kërcënon shkatërrimin e vendit tonë – Shtetit të Izraelit”, ka thënë Netanyahu në fjalimin e tij.

Ai deklaroi se qëllimi i operacionit izraelit është të ndalet kërcënimi që, sipas tij, paraqet regjimi islamik përmes programit bërthamor dhe raketave balistike.

“Ndërsa e arrijmë qëllimin tonë, ne po ua hapim rrugën edhe juve drejt lirisë. Brenda 24 orëve të fundit, kemi likuiduar komandantë të lartë ushtarakë, shkencëtarë bërthamorë, objektin më të rëndësishëm të pasurimit të uraniumit të regjimit dhe pjesën më të madhe të arsenalit të raketave të tij balistike”, u shpreh Netanyahu.

Ai paralajmëroi se do të ketë edhe më shumë sulme ndaj Iranit, duke e përshkruar regjimin iranian si “të dobët dhe të papërgatitur”.

“Më shumë sulme janë rrugës. Regjimi nuk e di çfarë e ka goditur – dhe çfarë do ta godasë. Kurrë nuk ka qenë më i dobët. Kjo është mundësia juaj të ngriheni dhe të bëni të dëgjohet zëri juaj”, u shpreh ai.

Netanyahu përsëriti se lufta e Izraelit nuk është kundër popullit iranian, por kundër regjimit që e sundon atë.

“Lufta jonë është kundër regjimit islamik vrasës që ju shtyp dhe ju varfëron. Populli iranian dhe ai izraelit kanë qenë miq që nga koha e Kirut të Madh. Tani ka ardhur koha që populli iranian të bashkohet rreth flamurit dhe trashëgimisë historike, duke luftuar për lirinë nga një regjim i lig dhe shtypës. Popull trim i Iranit – drita e mposht errësirën”, përfundoi Netanyahu.

Intensifikohen sulmet Izrael-Iran

6 o. më parë / 13 qer 2025 21:22
Intensifikohen sulmet Izrael-Iran

Disa prej qindra raketave iraniane kanë depërtuar në mburojën ajrore të Izraelit

Photo: Associated Press

Orët e fundit kanë shënuar intensifikim të sulmeve ajrore midis Izraelit dhe Iranit.

Teksa Izraeli ka thënë se ka sulmuar një zonë tjetër nukleare në Iran, “hakmarrja” ka qenë me lëshimin e qindra raketave drejt Izraelit.

Izraeli ka thënë se i ka ndalur shumicën e sulmeve nga Irani, ndërsa ka raste që raketat kanë depërtuar sistemin e çeliktë të mbrojtjes ajrore.

Pos intensifikimit, sulmet nuk pritet të marrin fund shpejt.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka paralajmëruar se sulmet mund të zgjasin për disa ditë.

Izraeli paralajmëron Iranin: Kaloi vijat e kuqe

6 o. më parë / 13 qer 2025 21:19
Izraeli paralajmëron Iranin: Kaluat vijat e kuqe duke sulmuar qendrat civile

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi se Irani e ka kaluar vijën e kuqe duke lëshuar raketa ndaj qendrave të banuara civile në territorin izraelit.

Ai paralajmëroi se Teherani do të paguajë “çmim shumë të rëndë” për këto veprime, duke theksuar se sulmet ndaj popullsisë civile përbëjnë një akt të papranueshëm dhe me pasoja serioze.

Irani pak më herët lëshoi qindra raketa në territorin izraelit, duke thënë se ky është fillimi i një goditje të rëndë për Izraelin.

Irani thotë se ka sulmuar dhjetëra objektiva ushtarake dhe baza ajrore në Izrael

6 o. më parë / 13 qer 2025 21:02
Izrael

Irani ka njoftuar se ka kryer sulme ndaj “dhjetëra objektivave, qendrave ushtarake dhe bazave ajrore” izraelite, sipas një deklarate të lëshuar nga Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).

Sipas deklaratës, operacioni mban emrin “Premtimi i Vërtetë 3”, ndërsa autoritetet iraniane kanë paralajmëruar se më shumë detaje do të publikohen së shpejti.

Nuk dihen sa dëme janë shkaktuar.

«Irani është më i interesuar se kurrë për bombë atomike»

7 o. më parë / 13 qer 2025 20:42
Irani

Guido Steinberg, studiues i islamit dhe ekspert për Lindjen e Afërt në Fondacionin për Shkencë dhe Politikë (SWP) në Berlin, i cili këshillon qeverinë gjermane, vlerëson se përplasja mes Iranit dhe Izraelit ka hyrë në një fazë të re, ku diplomacia ka humbur rolin e saj dhe kalkulimet ushtarake dominojnë.

Pas revolucionit islamik të vitit 1979, marrëdhëniet dikur të ngushta mes Izraelit dhe Iranit nën Shahun, u shndërruan në armiqësi ideologjike. «Revolucioni ishte një ndërthurje e islamizmit shiit me një antiimperializëm pothuajse majtist», shpjegon Steinberg. Për regjimin e ri në Teheran, SHBA-të ishin armiku kryesor dhe Izraeli u perceptua si “urë” amerikane në Lindjen e Mesme.

Për të fituar ndikim rajonal dhe aleatë, Irani u përqendrua në kauzën palestineze dhe themeloi Hizbollahun në Liban. «Ishte mënyra më e lehtë për të fituar popullaritet në rajon: të urresh dhe luftosh Izraelin», thotë Steinberg.

Edhe pse në vitet 1980-të pati bashkëpunim të kufizuar ushtarak mes dy vendeve – për shkak të kërcënimit të përbashkët nga Iraku – armiqësia strategjike mbeti e pandryshuar. Ndërkohë, Hizbollahu u bë instrument i Iranit për të kërcënuar Izraelin në mënyrë indirekte. «Funksioni kryesor i Hizbollahut ishte të pengonte një sulm izraelit ndaj Iranit – sidomos mbi programin bërthamor», thekson Steinberg. Por kjo strategji tani ka rënë: «Në vitin 2024, Izraeli e ka dobësuar dukshëm Hizbollahun».

Për sa i përket programit bërthamor iranian, ai nisi në fund të viteve 80-të. «Që nga viti 2002, u bë e qartë se Irani synonte të ketë armatim bërthamor. Për Izraelin, ky është kërcënimi më i madh», paralajmëron Steinberg. Ndër momentet kyçe ai përmend ndërtimin sekret të impiantit Fordow (më 2009) dhe marrëveshjen ndërkombëtare të vitit 2015, e cila u prish nga Donald Trump më 2018. «Që nga ajo kohë, konfrontimi është bërë i pashmangshëm».

Ndërkohë, lufta në Siri shërbeu si skenë direkte e përplasjes: «Irani përforcoi praninë në Siri, Izraeli reagoi me më shumë se 1000 sulme ajrore. Kjo e çoi konfliktin në një nivel të ri». Fitorja izraelite në këtë front është sipas tij e dukshme: Hamas pothuajse është shkatërruar, Hizbollahu i dobësuar rëndë, dhe regjimi sirian i rrëzuar.

Sipas Steinberg, sulmet e fundit të Izraelit ndaj Iranit sinjalizojnë një pikë kthese: «Shpresa për diplomaci është shuar. Irani nuk ka qenë kurrë më i vendosur për të pasur një bombë. Nëse e kanë mundësinë, do të bëjnë gjithçka për ta arritur. Edhe Izraeli ka kaluar një vijë të kuqe – Netanjahu duket më i vendosur se kurrë për të vepruar ushtarakisht».

Tashmë, shton ai, gjithçka varet nga përmasat reale të goditjeve izraelite dhe nga mënyra se si Irani do të zgjedhë të përgjigjet.

Përgatiti: E.R.

Putini bisedon me liderët iranianë e izraelitë

7 o. më parë / 13 qer 2025 20:22
Vladimir Putin

Photo: Associated Press

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka biseduar në telefon me presidentin iranian, Masoud Pezeshkian, dhe me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, gjatë ditës së premte.

Në një njoftim për agjencinë e lajmeve Reuters, Kremlini zyrtar ka bërë të ditur se Putini i ka thënë presidentit iranian se Rusia “i dënon veprimet e Izraelit të ndërmarra në kundërshtim me Kartën e OKB-së”, si dhe shprehu ngushëllimet për të vdekurit.

Ndërkohë, tek ka biseduar me Netanyahun, Putini i ka theksuar atij “rëndësinë e rikthimit në procesin e bisedimeve dhe zgjidhjen e të gjitha çështjeve që lidhen me programin nuklear të Iranit vetëm nëpërmjet mjeteve politike dhe diplomatike”.

Sipas njoftimit të Kremlinit, Rusia do të qëndrojnë në kontakt të vazhdueshëm me të dyja vendet.

Irani nis hakmarrjen, lanson qindra raketa drejt Izraelit

7 o. më parë / 13 qer 2025 20:13
Sistemi izraelit “Iron Dome” duke ndalur raketat e Iranit në Tel Aviv të premten në mbrëmje

Sistemi izraelit “Iron Dome” duke ndalur raketat e Iranit në Tel Aviv të premten në mbrëmje

Photo: Associated Press

(E përditësuar 20:35) - Irani ka lëshuar “qindra raketa të ndryshme balistike” drejt Izraelit, në atë që Teherani e quajti fillimin e “përgjigjes shkatërruese” ndaj sulmeve izraelite ndaj vendit të premten në mëngjes.

“Pak çaste më parë, me lëshimin e qindra raketave të ndryshme balistike drejt territoreve të pushtuara, ka filluar operacioni ndaj sulmit të egër të regjimit sionist”, raportoi agjencia zyrtare e lajmeve e Iranit, IRNA.

VIDEO:

 

 


Ushtria izraelite ka njoftuar se Irani ka lëshuar raketa drejt territorit të Izraelit para pak kohe, në një veprim që shihet si hakmarrje për sulmet ajrore izraelite ndaj objekteve bërthamore iraniane. 

Sipas deklaratës të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), sistemet mbrojtëse ajrore janë vënë në funksion të plotë për të ndaluar kërcënimin e raketave iraniane.

Autoritetet izraelite kanë urdhëruar qytetarët të futen në strehimore dhe të qëndrojnë aty derisa të jepet një njoftim i ri.

Ky zhvillim shënon përshkallëzim të rrezikshëm në krizën mes dy vendeve dhe ngre shqetësime serioze për një konflikt të hapur rajonal.

Izraeli godet edhe një tjetër objekt bërthamor në Iran

7 o. më parë / 13 qer 2025 20:05
Izrael

Forcat Ajrore izraelite kanë kryer sulm të ri ajror mbi një objekt bërthamor në Isfahan, rreth 350 kilometra në juglindje të Teheranit, në kuadër të asaj që Izraeli e quan fazë të re në ndërprerjen e kapaciteteve bërthamore iraniane.

Sipas një deklarate nga Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF), sulmi ka shënjestruar vendin ku zhvillohej rikonvertimi i uraniumit të pasuruar, një proces kyç në prodhimin e armëve bërthamore.

“Forcat tona kanë shkatërruar një strukturë për prodhimin e uraniumit metalik, infrastrukturën për konvertimin e uraniumit të pasuruar, si dhe laboratorë dhe infrastrukturë shtesë që shërbenin për programin atomik iranian”, thuhet në deklaratë.

Objekti në Isfahan konsiderohet si një ndër pikat më të rëndësishme të kapacitetit bërthamor të Iranit dhe punëson mijëra shkencëtarë, përfshirë edhe laboratorë të ndërlidhur me reaktorët kërkimorë kinezë.

Ky është sulmi i dytë i madh i Izraelit ndaj infrastrukturës bërthamore të Iranit brenda një periudhe të shkurtër, duke thelluar shqetësimet për një përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve në Lindjen e Mesme

Gjithçka që dihet deri tash mbi sulmin e Izraelit ndaj Iranit

9 o. më parë / 13 qer 2025 18:10
Izraeli kryen një sulm të ri në bazën ajrore ushtarake në Tabriz të Iranit veriperëndimor, sipas mediave iraniane

Sulmohet baza ajrore ushtarake në Tabriz në veriperëndim të Iranit (Foto: TRT World)

Izraeli është duke vazhduar sulmet mbi Iranin, disa orë pasi ia vrau disa prej komandantëve kryesorë dhe shkencëtarëve nuklearë në sulmin e madh gjatë natës.

Por çka dihet deri tash? Pikat kryesore:

  • Izraeli pretendon se Irani ka ndërmarrë hapa për të armatosur programin e vet bërthamor – Irani e mohon.

  • Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei është zotuar për “hakmarrje të pamëshirshme” për sulmin. Irani ka lëshuar rreth 100 dronë në drejtim të Izraelit në mëngjes, sipas Ushtrisë së Izraelit. Ajo ka thënë se shumica e tyre janë ndalur.

  • Brenda Iranit, mediat kanë raportuar se civilë, përfshirë fëmijë, janë në mesin e të vdekurve nga sulmet e Izraelit – kjo nuk është verifikuar nga mediat ndërkombëtare.

  • Komandantët kryesorë iranianë janë vrarë, përfshirë shefin e shtabit të forcave të armatosura.

  • Shumë liderë botërorë kanë bërë thirrje për përmbajtje. Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka kërkuar Iranit “të arrijë marrëveshje” për programin bërthamor “para se të mos i mbetet gjë”.

Valë e re sulmesh nga Izraeli drejt Iranit

9 o. më parë / 13 qer 2025 18:08
Izraeli

Izraeli ka nisur një valë të re të sulmeve ndaj Iranit, ka raportuar BBC.

“Israeli Air Force” ka shkruar në X se po vazhdon t’i sulmojë lëshuesit e raketave dhe infrastrukturën në Iran.

Raportime ka pasur edhe në Iran. Sipas mediave atje, sulmet janë ndërprerë në Teheran dhe në qytetet tjera afër.

Mbrojtja ajrore e Iranit tashmë është aktivizuar, sipas raportimit të medias publike iraniane.

«Irani është tepër i infiltruar nga shërbimet izraelite të inteligjencës»

9 o. më parë / 13 qer 2025 17:59
izrael iran

Eksperti i raketave Fabian Hinz nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS) e quan goditjen e fundit ushtarake të Izraelit ndaj Iranit si të papritur për nga zgjedhja e objektivave: jo vetëm instalime bërthamore, por edhe komandantë të lartë ushtarakë dhe shkencëtarë të rëndësishëm iranianë janë vënë në shënjestër, tha ai në një intervistë për «Frankfurter Allgemeine Zeitung». 

Hinz tha se duket që izraelitët «po përpiqen të ripërsërisin modelin e luftës kundër Hizbollahut, duke eliminuar njëkohësisht si infrastrukturën ushtarake, ashtu edhe udhëheqësinë». Sipas tij Irani ka një problem thelbësor: «Irani është tepër i infiltruar nga shërbimet izraelite të inteligjencës për të qenë në gjendje të ndërtojë fshehurazi impiante të reja bërthamore.»

Hinz tha se një nga objektet kyçe të programit bërthamor, Fordow, nuk është goditur këtë herë, për arsye teknike, ngaqë ndodhet thellë nën një mal. Sipas Hinz, Izraeli mund ta çaktivizojë përkohësisht këtë objekt nëpërmjet sulmeve indirekte, ose të ndërmarrë aksione kibernetike apo me forca speciale – «edhe pse kjo e fundit do të ishte jashtëzakonisht e rrezikshme».

Një tjetër strategji efektive është dëmtimi i zinxhirit të furnizimit dhe eliminimi i shkencëtarëve: «Izraeli mund të shkaktojë dëme të mëdha nëpërmjet kësaj metode dhe ndoshta ka kapacitete që ne as nuk i njohim.»

Në lidhje me kërcënimet nga ana iraniane, Hinz thekson se Irani zotëron dronë, raketa balistike dhe raketa lundruese me rreze të mjaftueshme për të goditur Izraelin, por ka dyshime mbi saktësinë dhe numrin real të tyre. «Në tetor, raketat iraniane nuk arritën të shkaktojnë dëme të ndjeshme në objektiva ushtarake (izraelite). Por nëse do të godisnin qytete si Tel Avivi, edhe devijimi prej qindra metrash mund të sillte pasoja».

Lidhur me rolin e palëve të treta, Hinz pohon se ndihma amerikane është thelbësore. «Shtetet e Bashkuara mund të luajnë rol vendimtar me flotën detare dhe avionët luftarakë. Mbështetja e vendeve arabe është më shumë çështje politike – mund të ketë bashkëpunim të heshtur, siç është lejimi i përdorimit të hapësirës ajrore».

Hinz vlerësoi për gazetën gjermane se një përfshirje e Hizbollahut ose Huthi-ve jemenitas nuk do ta ndryshonte ndjeshëm balancën: «Hizbollahu është i dobësuar dhe raketat e tij janë me rreze më të shkurtër veprimi. Huthit nuk përbëjnë kërcënim të drejtpërdrejtë për Izraelin, por mund të godasin lundrimin ndërkombëtar dhe flotën amerikane nëse konflikti përshkallëzohet».

Përgatiti: E.R.

Netanyahu: SHBA-ja dinte për planet e Izraelit për sulm

10 o. më parë / 13 qer 2025 17:36
Trump & Netanyahu

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se Izraeli i kishte njoftuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për planet e veta për ta sulmuar Iranin, para se ta bënte aktin.

“Ua lë pozicionin amerikan amerikanëve. I kemi njoftuar para kohe. E dinin për sulmin. Çfarë do të bëjnë ata? Ia lë këtë presidentit Donald Trump. Ai i merr vendimet si i pavarur”, ka thënë Netanyahu në një video-mesazh.

“Nuk do të flas në emër të tij. Ai e bën këtë bindshëm dhe me vendosmëri. Ai ka thënë se Irani s’mund të ketë armë bërthamore. Ata nuk mund të kenë aftësi pasurimi”, ka thënë tutje ai.

Ushtria e Izraelit fillon stacionimin e trupave në të gjitha arenat e luftimit

10 o. më parë / 13 qer 2025 17:29
Izraeli

Photo: Associated Press

Izraeli ka nisur t’i stacionojë trupat ushtarake në të gjitha zonat e luftimit në shtet, teksa po i vazhdon sulmet ndaj Iranit. 

Ushtria ka ftuar rezervistët e njësive të ndryshme ushtarake si pjesë “të përgatitjeve për mbrojtje dhe sulm”.

Lëvizja vjen teksa Izraeli po përgatitet për kundërsulmet nga Irani apo satelitët e tij në kufijtë e Izraelit.

Çka është 60-ditëshi që po e përmend Trumpi për Iranin

10 o. më parë / 13 qer 2025 16:58
Donald Trump

Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, pati vendosur më 12 prill një afat 60-ditësh për negociatat me Iranin për armët bërthamore të kenë sukses. Kjo mbaroi të enjten.

“Irani është dashur të më dëgjonte mua kur i kam thënë – e dini se u kam thënë, nuk e di nëse e dini, por u kam dhënë një paralajmërim 60-ditësh dhe sot është dita e 61-të”, ka thënë ai për CNN-in të premten në mëngjes.

Trumpi pati paralajmëruar Iranin për mundësinë e një aksioni ushtarak, kur pati folur për letrën drejt Khameneit më herët gjatë vitit.

“Shpresoj që Irani, dhe unë u kam shkruar letër, duke u thënë se shpresoj që do të negocioni sepse nëse duhet të shkojmë ushtarakisht, do të jetë gjë e tmerrshme për ta”, pati thënë Trumpi në një intervistë për “Fox” më herët gjatë vitit. “Kam thënë, shpresoj se do të negocioni, sepse do të ishte shumë më mirë për Iranin”.

Zyrtarët amerikanë dhe njerëzit e përfshirë në negociatat me Iranin e dinin se presioni ishte duke u rritur për të finalizuar një marrëveshje teksa po afrohej ultimatumi. Por zyrtarët e SHBA-së kishin thënë se negociatat me Iranin do të tejkalojnë këtë ultimatum 60-ditësh.

Tani që Izraeli ka nisur ta sulmojë programin bërthamor të Iranit, e ardhmja e bisedimeve është e pasigurt, edhe pse amerikanët po shtyjnë idenë e vazhdimit.

Bota sërish në frikë nga armët bërthamore, cilat shtete kanë më shumë në vitin 2025?

11 o. më parë / 13 qer 2025 16:37
armë nukleare

Pas sulmit të fundit izraelit ndaj Iranit, që përfshiu shkatërrimin e objekteve bërthamore dhe eliminimin e figurave kyçe ushtarake e shkencore, bota përballet sërish me frikën nga përshkallëzimi i një konflikti që mund të përfshijë edhe përdorimin e armëve bërthamore.

Tensionet në Lindjen e Mesme, së bashku me përkeqësimin e marrëdhënieve mes fuqive të mëdha, po rrisin shqetësimet për mundësinë e përdorimit të arsenalit bërthamor në një përplasje të armatosur.

Sipas të dhënave më të fundit nga Federata e Shkencëtarëve Amerikanë (FAS), në fillim të vitit 2025, nëntë fuqitë bërthamore zotëronin gjithsej rreth 12,241 koka bërthamore, nga të cilat rreth 9,614 janë operacionalisht të vendosura në arsenalin ushtarak. Pjesa tjetër është në rezervë ose në pritje për çmontim.

Arsenalet më të mëdha

  • Rusia ka rreth 5,580 koka bërthamore, nga të cilat afërsisht 1,700 janë të vendosura strategjikisht
  • Shtetet e Bashkuara zotërojnë rreth 5,225 koka, një pjesë të vendosura, shumica në rezervë, dhe mbi 1,400 janë në proces çmontimi

Së bashku, SHBA-ja dhe Rusia kontrollojnë rreth 87–90 për qind të të gjitha armëve bërthamore në botë.

Fuqitë e tjera bërthamore

  • Kina: vlerësohet të ketë 500–600 koka, me tendencë të qartë për rritje të shpejtë. Aktualisht ka pak të vendosura, por ekspertët vlerësojnë më shumë operacionale
  • Franca ka rreth 290 koka, ndërsa Britania e Madhe ka afërsisht 225
  • Në Azinë Jugore: India ka rreth 172, dhe Pakistani afërsisht 170
  • Izraeli ka rreth 90, ndërsa Koreja e Veriut ka rreth 50 koka bërthamore

Megjithëse numri i përgjithshëm i kokave bërthamore po bie gradualisht, numri i atyre të vendosura operacionale – sidomos në disa shtete – po rritet sërish. Modernizimi i arsenaleve bërthamore është bërë prioritet: Rusia dhe SHBA-ja vazhdojnë rinovimin e armëve strategjike, ndërsa Kina po zgjeron ndjeshëm kapacitetet e saj bërthamore.

Gjithashtu, shqetësim shtesë paraqet edhe skadimi i marrëveshjes New START në vitin 2026, që mund të ketë pasoja destabilizuese. Marrëveshja New START është traktati i kontrollit të armëve bërthamore midis SHBA-së dhe Rusisë, që ka për qëllim kufizimin dhe monitorimin e arsenaleve strategjike bërthamore të të dyja palëve. Për herë të parë u nënshkruan në vitin 2010 dhe iu vazhdua për pesë vjet mandati në vitin 2021.

Edhe pse një luftë bërthamore ka gjasa të vogla të ndodhë, prania e mijëra kokave bërthamore dhe tensionet rrit rrezikun për stabilitetin global.

FOTO: FAS

Netanyahu mund të jetë larguar për në Greqi për shkaqe sigurie

12 o. më parë / 13 qer 2025 15:25
avionii iz

Aeroplani zyrtar i kryeministrit izraelit ka fluturuar nga Aeroporti Ben-Gurion të premten në mëngjes kur Izraeli nisi sulmin mbi zonat ushtarake dhe bërthamore të Iranit, raportuan mediat izraelite.

Aeroplani, që i shërben kryeministri Benjamin Netanyahut dhe presidentit Isaac Herzog për udhëtime zyrtare, u nis për në Athinë në mëngjes mes frikës për një sulm hakmarrës nga Irani, raportoi “The Jerusalem Post”.

Pak pasi aeroplani ishte nisur për Greqi, zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes njoftoi se Irani kishte lëshuar 100 dronë në territorin izraelit.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së mblidhet sot për Iranin

13 o. më parë / 13 qer 2025 14:50
OKB

Photo: Associated Press

Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të mblidhet të premten për të diskutuar situatën e fundit me sulmet e Izraelit mbi Iranin, kanë thënë diplomatët.

Takimi mbahet me kërkesën e Teheranit, raportoi The Guardian.

Irani ka kërkuar reagimin ndërkombëtar pasi Izraeli nisi sulmet mbi disa qytete, zona ushtarake e bërthamore.

Derisa kryeministri izraelit është zotuar se do të vazhdojë sulmet deri në “eliminimin e kërcënimit” iranian, lideri suprem iranian ka thënë se kundërpërgjigja do të jetë shkatërruese.

Izraeli mbyll ambasadat në mbarë botën pas sulmit ndaj Iranit

14 o. më parë / 13 qer 2025 13:56
flamuri i Izraelit

Autoritetet izraelite kanë vendosur të mbyllin të gjitha ambasadat e vendit në mbarë botën, teksa u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë vigjilentë dhe të mos shfaqin simbole hebraike apo izraelite në vendet publike, thuhet në deklaratat e postuara në faqet zyrtare të ambasadave ditën e premte, pas sulmeve të ndërmarra kundër Iranit.

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, në deklarata thuhej se Izraeli nuk do të ofrojë shërbime konsullore dhe u kërkoi qytetarëve të bashkëpunojnë me shërbimet lokale të sigurisë në rast të ndonjë aktiviteti armiqësor.

Nuk u dha asnjë afat kohor se sa do të zgjasë mbyllja e ambasadave. Një person që iu përgjigj telefonatës në ambasadën izraelite në Berlin nuk dha më shumë detaje.

“Në dritën e zhvillimeve të fundit, misionet izraelite në mbarë botën do të mbyllen dhe shërbimet konsullore nuk do të ofrohen”, thuhet më tej deklaratë.

Kancelari gjerman Friedrich Merz, i cili foli me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të premten, ka thënë se Gjermania po rrit masat e mbrojtjes për vendet hebraike.

Siguria u shtua jashtë Sinagogës së Madhe të Stokholmit, ku një furgon dhe një makinë policie ishin parkuar pranë godinës, sipas një dëshmitari të Reuters.

Irani kufizon qasjen në internet në të gjithë vendin

14 o. më parë / 13 qer 2025 13:52
Iran

Irani ka konfirmuar se autoritetet “kanë vendosur kufizime të përkohshme” në qasjen në internet në vend pas sulmeve të Izraelit.

“Për shkak të rrethanave të veçanta në vend dhe mes masat e marra nga autoritetet relevante, kufizime të përkohshme janë vendosur në internet”, ka thënë Departamenti i Teklonogjisë Informative, raportoi AP. 

Në Iran ka kufizime në përdorimin e gjerë të internetit dhe në kohë krizash, si tash, shërbimet ndalohen tërësisht.

Trump - Iranit: Pranoni marrëveshjen bërthamore ose do të ketë sulme edhe më brutale

15 o. më parë / 13 qer 2025 12:54
Donald Trump

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i ka bërë thirrje Republikës Islamike të Iranit që të arrijë marrëveshje mbi programin e saj bërthamor me SHBA-në, tek ka shtuar se ka ende kohë për vendin që të shmangë konfliktin me Izraelin. 

“Ka pasur tashmë shumë vdekje dhe shkatërrim, por ende ka kohë që kjo masakër, me sulmet e ardhshme tashmë të planifikuara që do të jenë edhe më brutale, të marrë fund”, ka shkruar presidenti amerikan në rrjetin social “TruthSocial”. 

“Irani duhet të arrijë një marrëveshje, përpara se të mos mbetet asgjë, dhe të shpëtojë atë që dikur njihej si Perandoria Iraniane. Mjaft me vdekje, mjaft me shkatërrim, THJESHT BËJE, PARA SE TË JETË SHUMË VONË. Zoti ju bekoftë të gjithëve!”, ka shtuar ai.

Ushtria e Izraelit kreu disa sulme në drejtim të Iranit të premten, duke shënjestruar bazat nukleare, fabrikat e prodhimit të raketave balistike dhe udhëheqësit ushtarakë gjatë operacionit që ka për qëllim të mos e lejojë Teheranin të zhvillojë armë bërthamore. 

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, kishte thënë të premten se sulmet e Izraelit në Iran ishin të njëanshme dhe se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë qenë të përfshira.

Vritet edhe një komandant, Khamenei cakton udhëheqësit e rinj

15 o. më parë / 13 qer 2025 12:54
komandnat

Izraeli ka thënë se ka vrarë gjeneralin Amir Ali Hajizadeh, kreun e programit raketor të Gardës Revolucionare të Iranit.

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Khamenei, ka caktuar komandantët e rinj pas vrasjes së atyre paraprakë.

Mohammad Pakpour u caktua komandant i Korpusit të Gardës Revolucionare të Iranit. Ai zëvendësoi Hossein Salamin, që u vra të premten.

Abdolrahim Mousaivi u caktua shef i Shtabit të Forcave të Armatosura për ta zëvendësuar Mohammad Bagherin e vrarë.

Dhe Ali Shadmani zëvendësoi Gholam Ali Rashidin si komandant i rangut të lartë në Gardën Revolucionare paraushtarake të Iranit.

                

Izraeli nis sulm tjetër në Iran

16 o. më parë / 13 qer 2025 11:56
Izraeli kryen një sulm të ri në bazën ajrore ushtarake në Tabriz të Iranit veriperëndimor, sipas mediave iraniane

Sulmohet baza ajrore ushtarake në Tabriz në veriperëndim të Iranit (Foto: TRT World)

Një sulm i ri i Izraelit ka nisur në qytetin e Tabrizit, ka raportuar media shtetërore iraniane.

Raportohet se Aeroporti i Tabrizit “aktualisht është nën sulm të rëndë nga Izraeli”.

Media të tjera iraniane raportuan po ashtu për sulmin në Tabriz, transmetoi CNN.

Raportohet se Izraeli po ashtu ka goditur sërish zonën bërthamore në Natanz.

VIDEO:

 

Armët u futën në Iran përpara sulmit - Izraeli tregon si e sulmoi nga brenda Teheranin

16 o. më parë / 13 qer 2025 11:14
mossad

Fotografi nga droni

Zyrtarët izraelitë të sigurisë kanë thënë se agjencia e spiunazhit, Mossad, ka kontrabanduar armë në Iran para sulmeve të së premtes, dhe ato u përdorën për të shënjestruar mbrojtjen iraniane nga brenda, raportoi AP.

Zyrtarët kanë thënë se një bazë për lëshimin e dronëve shpërthyes u vendos brenda Iranit dhe se dronët u aktivizuan gjatë sulmit të së premtes me cak lëshuesit e raketave në një bazë iraniane në Teheran.

Ata shtuan se Izraeli çoi armë precize në Iranin qendror dhe i kishte pozicionuar ato pranë sistemeve të raketave tokë-ajër. Thanë se kishin vendosur edhe sisteme sulmi. Ato ishin aktivizuar me fillimin e sulmit duke shënjestruar mbrojtjen e Iranit.  

VIDEO:

SHBA: S’jemi përfshirë në sulmet e Izraelit në Iran

17 o. më parë / 13 qer 2025 10:57
Marco Rubio

Photo: Associated Press

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka thënë të premten se sulmet e Izraelit në Iran ishin të njëanshme dhe se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë qenë të përfshira. 

“Sonte, Izraeli ndërmori veprime të njëanshme kundër Iranit. Ne nuk jemi të përfshirë në sulme kundër Iranit dhe përparësia jonë kryesore është mbrojtja e forcave amerikane në rajon”, ka thënë Rubio përmes një njoftimi.

Sipas tij, administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, ka ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për të garantuar sigurinë e personelit dhe ushtarëve amerikanë në rajonin e Lindjes së Mesme.

“Izraeli na njoftoi se beson që ky veprim ishte i nevojshëm për vetëmbrojtjen e tij. Presidenti Trump dhe administrata kanë ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të mbrojtur forcat tona dhe mbeten në kontakt të ngushtë me partnerët tanë rajonalë. Më lejoni të jem i qartë: Irani nuk duhet të synojë interesat ose personelin e SHBA-së”, ka vazhduar ai.

Ndësa presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se ka qenë në dijeni për planet e Izraelit më parë, por e ka bërë të qartë se ushtria amerikane nuk luajti rol në operacion.

“Irani nuk mund të ketë një bombë bërthamore dhe ne po shpresojmë të rikthehemi në tavolinën e negociatave”, ka thënë ai.

Irani thotë se është dëmtuar impianti bërthamor

17 o. më parë / 13 qer 2025 10:48
natanz

Organizata e Energjisë Atomike e Iranit ka thënë se një pjesë e impiantit të pasurimit bërthamor në Natanz është dëmtuar gjatë sulmeve të Izraelit. Por, sipas saj, nuk ka pasur rrjedhje të rrezatimit bërthamor apo ndotje kimike.

Ndërkohë, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike ka thënë se tri zonat bërthamore në Iran nuk ishin ndikuar nga sulmet izraelite. Këto tri zona janë: Fordow, Isfahan dhe Bushehr.

Por, zona më e madhe bërthamore, Natanz, është konfirmuar se është goditur, por nuk ka pasur ngritje të niveleve të rrezatimit.

Fordow dhe Natanz janë në nëntokë. Irani ka shpenzuar vite duke forcuar strukturat bërthamore në rast të sulmeve ushtarake.

Shefi i NATO-s i cilëson të njëanshme veprimet e Izraelit, bën thirrje për depërshkallëzim

17 o. më parë / 13 qer 2025 10:42
Rutte

Photo: Associated Press

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i ka cilësuar veprimet e Izraelit në Iran si të njëanshme.

Ai ka thënë të premten se është “jashtëzakonisht e rëndësishme” që aleatët e Izraelit të punojnë në drejtim të depërshkallëzimit, pasi Ushtria izraelite goditi rreth 100 shënjestra në Iran, përfshirë bazat ushtarake dhe bërthamore të Teheranit zyrtar, ka raportuar The Guardian.

“Mendoj se tani është jashtëzakonisht e rëndësishme për shumë aleatë, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të punojnë, përderisa po flasim, në drejtim të depërshkallëzimit. E di që ata po e bëjnë këtë dhe mendoj se kjo është tani rendi i parë i ditës”, ka thënë Rutte gjatë një konference për shtyp në Stokholm të Suedisë.

Rritet çmimi i naftës pas sulmit të Izraelit në Iran

17 o. më parë / 13 qer 2025 10:24
nafta

Çmimet globale të naftës kanë pësuar rritjen më të madhe ditore në vit, në reflektim të frikës për një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme që mund të çojë në ndërprerje të furnizimit me energji.

Nafta e papërpunuar u shtrenjtua menjëherë në vlerë prej 4.3 për qind për fuqi.

Sipas Reutersit, këto janë fitimet më të mëdha brenda ditës që nga marsi 2022, një muaj pasi Rusia nisi luftën në Ukrainë.

Irani zotohet për hakmarrje: Përgjigja jonë do të jetë vdekjeprurëse

17 o. më parë / 13 qer 2025 10:01
iran

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Khamenei, ka thënë se Izraeli do të marrë një “ndëshkim të rëndë”, teksa është zotuar se Irani do të hakmerret.

Ai ka thënë se nga sulmi i Izraelit kanë mbetur të vrarë disa komandantë dhe shkencëtarë.

“Për këtë krim, regjimi zionist i ka përgatitur vetes një fat të hidhur dhe të dhimbshëm, të cilin patjetër se do ta shohë”, ka thënë Khamenei.

Ndërsa, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Iranit ka lëshuar një deklaratë përmes së cilës ka thënë se përgjigja e Iranit për sulmet e Izraelit do të jetë “shkatërruese”.

“Tani që regjimi okupator zionist i ka kaluar të gjitha vijat e kuqe, nuk ka limite në përgjigjen e Iranit”, thuhet në deklaratën e Shtabit të Përgjithshëm

 

“Kjo nuk do të jetë një demonstrim i thjeshtë i aftësisë teknologjike. Këtë herë, përgjigja jonë do të jetë vdekjeprurëse”, ka thënë ushtria iraniane.  

Izraeli thotë se ka përfunduar sulmi në shkallë të gjerë mbi Iranin

18 o. më parë / 13 qer 2025 09:40
iran

Photo: Associated Press

Ushtria e Izraelit ka thënë se ka përfunduar një sulm të gjerë mbi mbrojtjen ajrore në perëndim të Iranit.

Sipas ushtrisë, janë shkatërruar dhjetëra instalime radarësh dhe lëshues raketash tokë-ajër.

Izraeli ka sulmuar kryeqytetin e Iranit të premten me 200 avionë luftarakë dhe ka thënë se ka shënjestruar zonat bërthamore dhe ushtarake. 

Nga zonat e goditura ishte selia komanduese e Gardës Revolucionare Islamike në Teheran, duke vrarë komandantin e saj, Hossein Salami, sipas mediave vendase. Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Iranit, Mohammad Bagheri, është vrarë po ashtu në sulm, raportoi AP. Zyrtarë të tjerë ushtarakë po ashtu kanë mbetur të vrarë.  

Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike ka konfirmuar se zona kryesore bërthamore e Iranit në Natanz është goditur nga Izraeli. E ka konfirmuar se termocentrali bërthamor iranian Bushehr, në bregdetin e Gjirit Persik, "nuk është shënjestruar dhe se nuk është vërejtur asnjë rritje e niveleve të rrezatimit në zonën e Natanzit".

Anulohen fluturime pas sulmit të Izraelit në Iran

18 o. më parë / 13 qer 2025 09:34
Aeroplani

Ilustirm

Photo: Associated Press

Disa linja ajrore të mëdha ndërkombëtare, përfshirë linjat e Emirateve të Bashkuara Arabe, Etihadit, Katarit, Air India dhe Luftanasa, kanë anuluar, shtyrë fluturimet ose ndryshuar drejtimet pas sulmit të Izraelit në Iran të premten.

Linja ajrore Siriane ka pezulluar po ashtu fluturimet pasi Jordania dhe Iraku kanë mbyllur hapësirat ajrore, raportoi AP.

Siria po ashtu ka lajmëruar mbylljen e hapësirës së saj ajrore.

Irani thotë se ka të drejtë të hakmerret ndaj Izraelit, akuzon SHBA-në për bashkëpunim

19 o. më parë / 13 qer 2025 08:16
iran

Photo: Associated Press

Irani ka të drejtë të hakmerret ndaj Izraelit, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme, duke e akuzuar Washingtonin se e ka ndihmuar në sulmin e së premtes.

Irani “nuk do të hezitojë ta mbrojë vendin”, thuhet në deklaratë.

Ministria ka deklaruar se sulmet e Izraelit nuk do të mund të bëheshin pa ndihmën e SHBA-së, e cila shtoi se është përgjegjëse për pasojat nga veprimet e Izraelit.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se ka qenë në dijeni  paraprakisht për sulmin, por ka mohuar se SHBA-ja ka pasur rol në të.  

Ushtria izraelite ka thënë se Irani ka nisur rreth 100 dronë drejt territorit të saj, por se po punon që t’i ndalojë.