Kulturë

“Toka e babës” midis konfliktit të trashëguar dhe tjetërsimit të njeriut

Në një rrëfim të ngjeshur me metafora dhe ndjeshmëri të thellë, Jetlira Avdiaj në romanin e saj “Toka e babës” – i përuruar të premten nga Botimet KOHA në Panairin e Librit – e vendos lexuesin përballë realitetit emocional të një shoqërie që shpesh i mbështjell plagët me heshtje. Ajo flet për ftohtësinë brenda familjes, për përplasjet që ndodhin në emër të tokës e të nderit, dhe për mungesën e ndjeshmërisë që e largon nga njerëzit më të afërt

Përmes një rrëfimi të fuqishëm që fillon me një metaforë të thjeshtë – dy zogj që kërkojnë vendin më të bukur në botë – shkrimtarja e re Jetlira Avdiaj, laureate e shpërblimit “Rexhai Surroi” vitin e kaluar me romanin “Toka e babës”, e ka zhvilluar romanin në një zhytje të thellë shpirtërore në tokën që e formon njeriun me plagët që ajo lë. 

E të premten, në ditën e tretë të Panairit të 25-të të Librit në Prishtinë, në mjediset e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve vëmendjen e ka marrë promovimi i këtij romani, një vepër që depërton thellë në konfliktet familjare, trashëgiminë dhe identitetin personal.

Në një rrëfim të ngjeshur me metafora dhe ndjeshmëri të thellë, Avdiaj e vendos lexuesin përballë realitetit emocional të një shoqërie që shpesh i mbështjell plagët me heshtje. Ajo flet për ftohtësinë brenda familjes, për përplasjet që ndodhin në emër të tokës e të nderit, dhe për mungesën e ndjeshmërisë që e largon nga njerëzit më të afërt. Përmes personazhit të Platorit – simbol i një brezi të humbur në heshtjen e brendshme – ajo prek fate të përbashkëta që nuk janë vetëm personale, por kolektive. Në thelb, “Toka e babës” bëhet një rrëfim për peshën që bartet si trashëgim dhe për paaftësinë për ta shkëputur ciklin e gabimeve që përsëriten ndër breza.

Qysh si dorëshkrim, kur kishte marrë shpërblimin “Rexhai Surroi” për letërsi në dhjetorin e vjetëm, profesoresha universitare, Blerta Ismajli, në emër të jurisë pati thënë se kishin vendosur të shpërblejnë një vepër letrare që lexuesin e ballafaqon me një temë thelbësore për të gjithë, përkatësinë familjare.

“Në romanin e vlerësuar sot, në plan të parë qëndron konflikti rreth tokës familjare dhe trashëgimisë, por i cili ka zënë fill me raportin e lënduar mes nënës dhe birit. Rikthimi te rrënjët dhe synimi për ta poseduar tokën në vendlindje – si tentim për t’u rilidhur me rrënjët familjare dhe ato atdhetare – janë strumbullari rreth të cilit zhvillohet konflikti që përshkon të gjithë romanin”, pati thënë profesoreshë Ismajli derisa e kishte lexuar arsyetimin.

Në fjalën e saj gjatë promovimit, autorja ka theksuar se ky nuk është thjesht një tregim për trashëgiminë materiale, por një pasqyrim i heshtur i dhunës emocionale, mungesës së komunikimit dhe peshës së padukshme që bart njeriu në emër të tokës, nderit dhe familjes.

“Romanin ‘Toka e babës’ nuk e filloj si një luftë familjare që baba la kur i mbylli sytë, por e filloj me dy zogj që donin ta dinin se cili ishte vendi më i bukur në botë. Vendi më i bukur në botë – dheu që i ushqeu rrënjët tona dhe na bëri të palëkundshëm është vendi ku i kemi rrënjët, toka e babës, toka ku jemi rritur, ku i kemi hedhur hapat e parë, ku jemi rrëzuar për herë të parë, me gurët e së cilës na janë gërvishtur gjunjët e na janë gjakosur”, ka thënë autorja Jetlira Avdiaj.

Shkrimtarja ka treguar se në roman flet edhe për dukurinë e jetës dinamike, për shkak të së cilës shpesh injorohen familjarët.

“E dini, jemi duke jetuar një jetë dinamike sa kur kthehemi në shtëpitë tona jemi të harxhuar për të thënë qoftë edhe një fjalë me anëtarët e familjes. Përkundrazi ndihemi të penguar prej tyre. Kur dalim jashtë derës së oborrit, jemi njerëzit më të dashur për të huajt”, ka shtuar ajo.

Jetlira Avdiaj: “Jemi duke jetuar një jetë dinamike sa kur kthehemi në shtëpitë tona jemi të harxhuar për të thënë qoftë edhe një fjalë me anëtarët e familjes. Përkundrazi ndihemi të penguar prej tyre. Kur dalim jashtë derës së oborrit jemi njerëzit më të dashur për të huajt” (Foto: Driton Paçarada)

Për këtë dukuri, ajo ka thënë se duhet fajësuar veten, në vend se t’i fajësojmë baballarët, si dhe përmes këtij rrëfimi ka bërë thirrje që të devijohet rruga e “babait” kur hetohet se është e gabuar.

“Për tokën e babës nuk mund t’i fajësojmë baballarët tanë. Për tokën e babës që e ujisim me gjak fajin duhet t’ia drejtojmë vetes, sepse e dimë se baba veproi gabim dhe duke e ditur gabimin e tij, vazhdojmë të ecim po atyre gjurmëve pa ndalur, pa e shkëputur gabimin, sepse një grusht dhe më shumë ta ushqen egon më shumë sesa vëllai e motra pranë”, ka thënë Avdiaj.

Përmes personazhit të Platorit, ajo ka treguar se është munduar t’i nxjerrë në dritë të gjithë ata që janë të mbytur në oqeanin e harresës e të indiferencës.

“E shkrova me një frymë, ashtu si zhytësi që me një frymë zhytet dhe prek fundin e oqeanit dhe pa e lëshuar frymën shkon drejt sipërfaqes. Platorin e gjeta në fund të oqeanit, aty nuk arrin as drita e diellit e në atë fund të oqeanit janë edhe qindra mijëra Platorë që nuk dinë të notojnë drejt sipërfaqes, drejt dritës së diellit. Dikë e mbyti nëna duke i zgjedhur fëmijët e tyre për më të dashur, dikë e mbyti baba duke e ruajtur krenarinë prej burri të shtëpisë, dikë e mbyti lakmia, interesi, egoja. Shumë të tjerë i mbyti e është duke i mbytur toka e babës dhe si tokë e si identitet, tokë që nuk ka qenë kurrë e jona, e kurrë nuk do të jetë”, ka reflektuar ajo gjatë diskutimit me redaktorin e librit, Binak Kelmendi, në panelin e udhëhequr nga gazetari Shaban Maxharraj. 

Shkrimtari e kritiku Kelmendi e ka vlerësuar romanin si një vepër me strukturë klasike dhe me një linjë narrative të qartë, ku çdo element i rrëfimit i shërben thellimit të temës kryesore.

“Këtë roman e ka shkruar një e re tashmë pothuajse me përvojë shkrimtareje, mendoj të jetë roman klasik, për shkak se e gjithë ngjarja ka një bosht dhe një linjë kryesore të zhvillimit, rreth të cilave dhe përmes të cilave shtjellohen edhe idetë e tjera sporadike se po plotësojnë temën kryesore të romanit. Është klasik, sepse personazhi kryesor mban në duar penjtë e të gjitha zhvillimeve të ngjarjeve që i trajton romani”, ka thënë redaktori i librit, Binak Kelmendi, gjatë promovimit.

Shkrimtari e kritiku Binak Kelmendi (i pari nga e djathta) e ka vlerësuar romanin si një vepër me strukturë klasike dhe me një linjë narrative të qartë, ku çdo element i rrëfimit i shërben thellimit të temës kryesore (Foto: Driton Paçarada)

Ai ka theksuar se përvoja profesionale e autores si juriste i jep një dimension shtesë romanit, sidomos në mënyrën se si i trajton temat e padrejtësive të heshtura në familje, hises në trashëgimi dhe shkeljes së ndjenjave në emër të krenarisë. “Toka e babës” është cilësuar si një rrëfim i mprehtë dhe i dhimbshëm për identitetin dhe raportet që shpesh lëndojnë më shumë sesa lidhin, pikërisht brenda mureve të shtëpisë.

“Duke qenë juriste me profesion, autorja e romanit në këtë libër arrin të krijojë skena e skema letrare që ndonjëherë mund të duken shumë të ngjashme me faqe romanesh me shkrim realistik, por që në këtë roman gjithmonë kanë një autenticitet tipik shqiptar: dëshira, lakmia e sidomos përpjekja për t’u hequr nga pjesa e hisesë në trashëgimi ndonjëherë nga pjesëtarë të familjes”, ka shtuar Kelmendi.
Promovimi i romanit “Toka e babës” ka dëshmuar edhe një herë fuqinë e letërsisë për të hapur tema të mprehta shoqërore e familjare, duke u kthyer në pasqyrë të heshtur të realiteteve që nuk artikulohen lehtë në jetën e përditshme. Përmes ngjarjes dhe figurave simbolike, libri jo vetëm që thërret për reflektim, por nxit edhe ndjeshmëri të re mbi përkatësinë, identitetin dhe “çmimin” e trashëgimisë. 

Botimet KOHA, që këtë vit në Panairin e Librit paraqitet me katër tituj të rinj dhe me mbi 150 vepra gjithsej, vazhdon të sjellë zëra që prekin tema me peshë e që ndërtojnë ura mes lexuesit dhe një bote në ndryshim të vazhdueshëm.