Kulturë

“Grammy”, festë e muzikës dhe skenë proteste e mesazhesh politike

Bad Bunny

“Nuk ka asgjë që nuk mund ta arrijmë. Faleminderit Zotit, faleminderit Akademisë, faleminderit të gjithë njerëzve që kanë besuar tek unë gjatë gjithë karrierës sime. Të gjithë atyre që punuan në këtë album, faleminderit. Faleminderit mami që më linde në Porto Riko, të dua”, ka thë Bad Bunny pasi ka pranuar çmimin për “Albumin e vitit” me “Debí Tirar Más Fotos” në ceremoninë e sivjetme “Grammy”

Foto: Associated Press

Ndarja e çmimeve në industrinë e muzikës ka përkuar me fushatën e deportimeve masive të administratës Trump në Minneapolis, duke i detyruar artistët të vendosin nëse dhe si t’i bashkohen revoltës kulturore në rritje, kundër masave të ashpra të emigracionit. Reagimi kundërshtues nga yjet më të mëdhenj të muzikës ishte i dukshëm të dielën, që nga tapeti i kuq i ceremonisë “Grammy” dhe gjatë gjithë mbrëmjes së transmetuar live në televizion

Ylli latin, Bad Bunny, fitoi çmimin për “Albumin e vitit” me “Debí Tirar Más Fotos” në ceremoninë e sivjetme “Grammy”, duke mbyllur një mbrëmje befasuese dhe historike. Është hera e parë që një album në gjuhën spanjolle fiton çmimin kryesor.

“Porto Riko, më besoni kur ju them se ne jemi shumë më të mëdhenj se 100 me 35”, ka thënë artisti në fjalimin e tij të pranimit në spanjisht, duke iu referuar një shprehjeje popullore portorikane për madhësinë e vogël të ishullit. “Dhe nuk ka asgjë që nuk mund ta arrijmë. Faleminderit Zotit, faleminderit Akademisë, faleminderit të gjithë njerëzve që kanë besuar tek unë gjatë gjithë karrierës sime. Të gjithë atyre që punuan në këtë album, faleminderit. Faleminderit mami që më linde në Porto Riko, të dua”.

Më pas e vazhdoi fjalimin në anglisht duke thënë: “Dua t’ia dedikoj këtë çmim të gjithë njerëzve që u detyruan të largohen nga atdheu i tyre për të ndjekur ëndrrat”.

Çmimin ia prezantoi Harry Styles — këngëtari britanik që kishte fituar çmimin kryesor në vitin 2023 me “Harry’s House”. Ai e kishte mposhtur Bad Bunnyn atë vit, i cili ishte nominuar për “Un Verano Sin Ti”, albumi i parë në gjuhën spanjolle i nominuar në këtë kategori.

Gjatë mbrëmjes u nderua edhe artistja, Olivia Dean, e cila fitoi çmimin e parë “Grammy” të karrierës, në kategorinë “Artistja më e mirë e re”

Mesazhe nga skena kundër ICE

Billie Eilish fitoi çmimin për “Këngën e vitit” me “Wildflower” dhe e shfrytëzoi momentin për t’iu bashkuar zërave të muzikantëve që kritikonin autoritetet e emigracionit.

“Asnjë njeri nuk është i paligjshëm në tokë të vjedhur”, tha ajo ndërsa pranoi çmimin për këngën nga albumi i vitit 2024, “Hit Me Hard and Soft”. “Është shumë e vështirë të dish çfarë të thuash dhe çfarë të bësh në këto momente, por ndihem shpresëplotë në këtë sallë. Zërat tanë kanë rëndësi. Njerëzit kanë rëndësi”, tha ajo, para se të mbyllte fjalimin me një sharje drejtuar Shërbimit Amerikan të Emigracionit dhe Doganave (ICE).

Emigracioni ishte një temë qendrore e mbrëmjes. Herën e parë që Bad Bunny doli në skenë — pasi fitoi çmimin për “Albumin më të mirë të muzikës urbane”— ai e përdori fjalimin për të dhënë një mesazh kundër ICE, duke theksuar anën njerëzore të çdo individi.
“Para se të falënderoj Zotin, do të them: ICE jashtë. Ne nuk jemi të egër, nuk jemi kafshë, nuk jemi jashtëtokësorë. Ne jemi njerëz dhe jemi amerikanë”.

Gjatë mbrëmjes u nderua edhe artistja, Olivia Dean, e cila fitoi çmimin e parë “Grammy” të karrierës, në kategorinë “Artistja më e mirë e re”. Ky që një moment historik për këngëtaren dhe kantautoren britanike, e njohur për zërin dhe stilin e saj unik. Dean, pjesë e një brezi në rritje vokalistësh të rinj të lindur në Britani të Madhe, u bë shumë e popullarizuar vitin e kaluar me albumin e saj të dytë romantik, “The Art of Loving”, i cili përfshinë këngë hite si, “Man I Need”, “A Couple Minutes” dhe “So Easy (To Fall In Love)”.

“Nuk e kam imagjinuar kurrë se do të isha këtu”, tha ajo, duke pranuar trofeun mes lotësh. “Dua të them se jam këtu si mbesë e një emigranti. Jam produkt i guximit dhe mendoj se këta njerëz meritojnë të festohen”, përfundoi këngëtarja.

Të gjitha këto deklarata u transmetuan drejtpërdrejt në kanalin “CBS”. Më herët gjatë ditës, në ceremoninë ku ndahen 86 çmime “Grammy” — artistët ishin po aq të drejtpërdrejtë në qëndrimet e tyre ndaj ICE dhe zbatimit të ligjeve të emigracionit.

Shaboozey, me lot në sy, e pranoi në skenë çmimin për “Performancën më të mirë country nga një dyshe apo grup”.
“Dua ta falënderoj nënën time, e cila sot është pensionuar pas 30 vitesh pune si infermiere e licencuar në një repart psikiatrik, si emigrante në këtë vend. Faleminderit mami. Emigrantët e ndërtuan këtë vend, fjalë për fjalë. Prandaj ky çmim është për ta. Faleminderit që sollët kulturën, muzikën dhe historitë tuaja”, përfundoi ai.

Kehlani, pasi fitoi “Grammyn” e saj të parë, e mbylli fjalimin po ashtu me sharje drejtuar ICE.

Kendrick Lamar, Lady Gaga, Jelly Roll, ndër fituesit e mëdhenj të mbrëmjes

Kendrick Lamar dhe SZA fituan çmimin “Incizimi më i mirë i vitit”, për këngën “Luther”. 

Ikona e muzikës, Cher, e prezantoi çmimin në skenë dhe gabimisht e shpalli fitues artistin e ndjerë, Luther Vandross, në vend të Kendrick Lamarit dhe SZA-s. 

Lamar fitoi gjithashtu çmimin e parë të ndarë gjatë mbrëmjes, atë “Albumi më i mirë rap” për albumin e tij “GNX”, duke e pranuar trofeun në skenë nga Queen Latifah dhe Doechii. 

“Është nder të jem këtu. Hip-hopi do të jetë gjithmonë këtu… kultura do të jetë gjithmonë me ne”, ka thënë ai para publikut të pranishëm në sallë. 

Kjo fitore bëri që ta thyej rekordin e yllit Jay-Z, duke u bërë reperi me më shumë çmime “Grammy” në karrierë. Jay-Z i ka 25 “Grammy”, por pas triumfit të mbrëmshëm, totali i çmimeve “Grammy” për Lamarin arriti në gjithsej 27.

Çmimi për “Albumin më të mirë pop” i shkoi Lady Gagas, për “Mayhem”, ndërsa çmimi për “Performancën më të mirë pop” u fitua nga Lola Young, për hitin e saj “Messy”.

Çmimi i ri për “Albumin e muzikës bashkëkohore country”, iu nda artistit, Jelly Roll, për incizimin e tij “Beautifully Broken”.

“Besoj se muzika ka fuqinë të ndryshojë jetën time”, ka thënë Jelly Roll, duke ia kushtuar pjesën më të madhe të fjalimit falënderimit ndaj Zotit.

Pharrell Williams u nderua me çmimin special të mbrëmjes, “Dr. Dre Global Impact Award”.

“Të gjithë ju në këtë sallë që besoni në fuqinë e muzikës afrikano-amerikane, faleminderit shumë”, tha ai mes emocionesh.

Me çmim për arritje jetësore u nderua edhe ikona amerikane e muzikës, Cher.

Një segment i fuqishëm “In Memoriam” në edicionin e 68-të të ceremonisë “Grammy”, nderoi trashëgiminë e D’Angelos dhe Roberta Flackut
 

Një përvojë koncertore live

Një segment i fuqishëm “In Memoriam” në edicionin e 68-të të ceremonisë “Grammy”, nderoi trashëgiminë e D’Angelos dhe Roberta Flackut. 

Lauryn Hill u shfaq në këtë skenë për herë të pare, që nga viti 1999, kur u bë artistja e parë e hip-hopit që fitoi çmimin kryesor “Albumi më i mirë”, me “The Miseducation of Lauryn Hill”.

Homazhi për D’Angelon ishte i pari: një përzierje këngësh si, “Brown Sugar” e interpretuar bashkë me Lucky Daye, “Lady” me Raphael Saadiq dhe Anthony Hamilton, dhe “Devil’s Pie” me Leon Thomasin. Më pas, Hill i kushtoi vëmendje trashëgimisë së Roberta Flackut, me këngë si, “The First Time Ever I Saw Your Face”, e sjell në skenë bashkë me Jon Batiste, “Where Is the Love” me John Legend dhe Chaka Khan, si dhe një ndërthurje të “Feel Like Makin’ Love” dhe “Killing Me Softly With His Song”, e interpretuar me yllin Wyclef Jean.

Performanca më avangarde e mbrëmjes ishte ajo e Tyler the Creator, me një përzierje të këngëve, “Thought I Was Dead”, “Like Him” dhe “Sugar On My Tongue”, e realizuar si një shfaqje teatrale.
Rosé dhe Bruno Mars e hapën ceremoninë “Grammy”, me një performancë elektrizuese të hitit “APT.”, Sabrina Carpenter e argëtoi turmën me “Manchild”, Justin Bieber përcolli emocione në skenë me interpretimin e këngës, “Yukon”, ndërsa pop-ylli Lady Gaga solli një version të rikonceptuar të hitit, “Abracadabra”.

Dalai Lama fitoi trofeun e parë “Grammy” për “Libër me zë, narracion dhe tregim”, duke mposhtur edhe gjyqtaren e Gjykatës Supreme, Ketanji Brown Jackson, e nominuar në këtë kategori. 
Kënga “Golden” nga filmi i animuar i Netflixit, “KPop Demon Hunters”, fitoi çmimin për këngën më të mirë të shkruar për media vizuale — hera e parë që një performancë e zhanrit K-pop fiton një çmim “Grammy”. 

Çmimi për “Filmin muzikor” shkoi për “Music for John Williams”, duke bërë që regjisori Steven Spielberg të fitojë trofeun e tij të parë “Grammy”, dhe ta fitojë zyrtarisht statusin prestigjioz “EGOT”, si një nga 27 apo 28 personat që kanë fituar çmimet “Emmy”, “Grammy”, “Oscar” dhe “Tony” gjatë karrierës së tyre.

Sezoni i çmimeve në industrinë e muzikës ka përkuar me fushatën e deportimeve masive të administratës Trump në Minneapolis, duke i detyruar artistët të vendosin nëse dhe si t’i bashkohen revoltës kulturore në rritje, kundër masave të ashpra të emigracionit.

Reagimi kundërshtues nga yjet më të mëdhenj të muzikës ishte i dukshëm të dielën, që nga tapeti i kuq i ceremonisë “Grammy” dhe gjatë gjithë mbrëmjes së transmetuar live në televizion.

Aktivistët e kaluan javën duke ushtruar presion mbi personazhet e famshëm që të mbanin distinktivë proteste kundër pranisë së Shërbimit Amerikan të Emigracionit dhe Doganave (ICE), duke bashkëpunuar me ekipet e tyre për të përhapur mesazhin dhe duke i shpërndarë ato në shumë evente para ceremonisë.

Billie Eilish, Finneas dhe Carole King mbanin distinktivë ndërsa u shfaqën në skenë. Edhe Justin dhe Hailey Bieber, të cilët zakonisht nuk flasin për politikën amerikane, i mbanin ato.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka sulmuar ashpër ceremoninë “Grammy 2026” dhe prezantuesin, Trevor Noah, duke e kërcënuar publikisht me padi pas një shakaje që komediani bëri gjatë transmetimit live.

Pas përfundimit të ceremonisë, Trumpi ka reaguar duke thënë se “Grammyt” ishin “më të këqijat ndonjëherë dhe pothuajse të pashikueshme”.