Këngëtari latin Ricky Martin ka lavdëruar publikisht këngëtarin portorikan, Bad Bunny, pas suksesit të madh që pati në “Grammy Awards”.
Bad Bunny, 31 vjeç, fitoi tre çmime “Grammy” në ceremoninë e mbajtur në Los Angeles, Albumi i Vitit në kategorinë latine, Albumi më i Mirë i Muzikës Urbane dhe Performanca më e Mirë Globale e Muzikës.
Pas këtij suksesi, Ricky Martin ka shkruar një artikull në gazetën portorikane El Nuevo Día, me titullin: “Kur njëri prej nesh ka sukses, të gjithë kemi sukses”, ka raportuar FemaleFirst.
Ricky Martin, 54 vjeç, i lindur në San Juan të Porto Rikos, iu drejtua drejtpërdrejt Bad Bunnyt në shkrimin e tij.
“Benito, vëlla, të të shoh duke fituar tre çmime Grammy, njëri prej tyre për albumin e vitit me një produksion tërësisht në spanjisht, më preku thellë. Jo vetëm si artist, por si një portorikan që ka ecur në skena anembanë botës duke mbajtur me vete gjuhën, theksin dhe historinë e tij”, ka shkruar Martin.
Këngëtari i hitit “Livin’ La Vida Loca” ka theksuar se suksesi i Bad Bunnyt ka një domethënie shumë më të madhe sesa thjesht muzikore, pasi ai ka qëndruar besnik ndaj origjinës së tij.
“E di shumë mirë çfarë do të thotë të kesh sukses pa hequr dorë nga vendi prej nga vjen. E di sa e rëndë është kjo, sa kushton dhe çfarë sakrifikon kur vendos të mos ndryshosh vetëm sepse të tjerët ta kërkojnë. Prandaj ajo që ke arritur nuk është thjesht një sukses historik në muzikë, por një fitore kulturore dhe njerëzore. Fitove pa e ndryshuar ngjyrën e zërit tënd. Fitove pa i fshirë rrënjët e tua. Fitove duke qëndruar besnik ndaj Porto Rikos”, ka thënë ai.
Ndërkohë, Bad Bunny pritet të ngjitet këtë fundjavë në skenën e Super Bowl Halftime Show, një nga momentet më të ndjekura televizive në botë.
Këngëtarja legjendare Gloria Estefan është e bindur se ai do të shkëlqejë.
Estefan, 68 vjeç, e cila ka performuar vetë në Super Bowl Halftime Show në vitet 1992 dhe 1999, tha për E! News se ai do të ndikojë në të gjithë botën në ata pak minuta të performancës.
“Në ato pak minuta, ai do të ketë mundësinë të ndikojë botën, sepse janë miliarda njerëz që po e shikojnë, gjë që sigurisht të bën nervoz. Ai do ta shkatërrojë skenën, jam e sigurt.”, ka thënë ajo.