Showbiz

Trump për performancën e Bad Bunny në “SuperBowl”: Shuplakë në fytyrë për vendin tonë

Donald Trump

Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kritikuar ashpër performancën e këngëtarit latin, Bad Bunny, në “Super Bowl”, duke e cilësuar atë si “absolutisht të tmerrshme, një nga më të këqijat ndonjëherë”.

Në një postim në rrjetet sociale të dielën, Trump e quajti shfaqjen “një shuplakë në fytyrë për vendin tonë”, duke shtuar se nuk kishte “asgjë frymëzuese në këtë rrëmujë që quhet ‘Halftime Show’”, ka raportuar ABC News.

“Nuk ka asnjë kuptim, është një fyerje për Madhështinë e Amerikës dhe nuk përfaqëson standardet tona të Suksesit, Kreativitetit apo Ekselencës. Askush nuk kupton asnjë fjalë nga ajo që thotë ky djalë, dhe kërcimi është i neveritshëm, sidomos për fëmijët e vegjël që po e shikojnë në të gjithë SHBA-në dhe në mbarë botën”, ka shkruar Trump.

Artisti portorikan Bad Bunny ishte përballur me reagime kritike nga qarqe konservatore që prej momentit kur u njoftua vitin e kaluar si performues i “SuperBowlit”.

Fituesi i çmimit “Grammy” solli kulturën e Puerto-Ricos në skenën e Levi’s Stadium në Santa Clara, Kaliforni, duke interpretuar një përzgjedhje të hiteve të tij kryesisht në gjuhën spanjolle.

Shfaqja kulmoi me një moment simbolik, ku ai prezantoi vendet që përbëjnë kontinentet amerikane, duke nisur nga Kili në hemisferën jugore e deri në Kanada në veri, për ta përmbyllur me Puerto-Ricon, vendlindjen e tij.

Që në minutat e para, gjatë një prej tranzicioneve muzikore, Bad Bunny foli për rrugëtimin e tij drejt kësaj skene. I përkthyer nga spanjishtja, ai tha: “Jam këtu sepse kurrë, kurrë nuk reshta së besuari në veten time, dhe edhe ti, edhe ti, duhet të besosh në veten tënde.”

Ai këndoi ndërsa ecte në një skenografi të ndërtuar si fusha me kallam sheqeri, që përfaqësojnë rajonin e Karaibeve, përfshirë Puerto-Ricon dhe Kubën. Në një moment ndaloi edhe pranë një stende me akull të grirë tradicional.

Bad Bunny interpretoi disa nga hitet e tij më të njohura, përfshirë “BAILE INOLVIDABLE” dhe “NUEVAYoL”, para një skenografie që imitonte tregun e quajtur “La Marqueta”.

Në një tjetër moment simbolik, ai i dorëzoi një çmim “Grammy” një djali të vogël në skenë, si një homazh ndaj suksesit të tij të fundit.

Performanca u mbyll me fishekzjarre gjatë interpretimit të hitit “DtMF”.

Në skenë iu bashkua edhe artistja Lady Gaga, e cila performoi një version me ritme salsa të këngës së saj “Die With a Smile”. Më pas, në skenë u shfaq edhe ylli latin Ricky Martin.