Presidenti amerikan, Donald Trump, është bërë kritiku më i ri konservator që e kundërshton zgjedhjen e këngëtarit portorikan Bad Bunny si artistin që do të performojë në spektaklin e futbollit amerikan, “Super Bowl”.
Në një intervistë për Newsmax, Trump e quajti vendimin “plotësisht qesharak”, ka raportuar The New York Times.
“Nuk e di kush është ai. Nuk e di pse e kanë bërë këtë, është çmenduri. Ata po e fajësojnë një promovues që e kanë punësuar për të zgjedhur artistët. Mendoj se është plotësisht qesharake”, ka thënë Trump
Zgjedhja e artistëve për performancën e “Super Bowl” bëhet nga (Federata e Futbollit Amerikan) NFL, në bashkëpunim me Apple Music dhe Roc Nation, kompaninë e themeluar nga reperi Jay-Z.
Bad Bunny, fitues i trefishtë i çmimit Grammy që këndon kryesisht në spanjisht, u shpall artisti kryesor i këtij viti në fund të muajit shtator. Albumi i tij më i fundit, “Debí Tirar Más Fotos”, u publikua në janar, dhe ai do të jetë latinoamerikani i parë burrë që udhëheq këtë performancë gjigante. Fundjavën e kaluar, ai gjithashtu drejtoi hapjen e sezonit të ri të emisionit të mirënjohur, “Saturday Night Live”.
Këtë vit, artisti ka përdorur platformën e tij për të kritikuar politikat e imigracionit të Trumpit. Ai ka deklaruar se në turneun e fundit nuk përfshiu asnjë qytet në territorin kontinental të SHBA-së nga frika se agjentët e Imigracionit dhe Doganës (ICE) do të bastisnin sallat ku do të performonte.
Vetëm tre ditë pas njoftimit për performancën e tij në “Super Bowl” që do të mbahet më 8 shkurt në Santa Clara, Kaliforni, një zyrtar i administratës Trump ka thënë se agjentët e ICE “do të jenë në ndeshje”.
“Nuk ka vend në këtë shtet ku mund të ofrosh strehim të sigurt për njerëzit që janë këtu në mënyrë të paligjshme. As në ‘Super Bowl’, as askund tjetër”, ka deklaruar Corey Lewandowski, këshilltar kryesor i sekretares së Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, në një paraqitje në “The Benny Show”.
“Do t’ju gjejmë. Do t’ju arrestojmë. Do t’ju fusim në një qendër ndalimi dhe do t’ju deportojmë”, ka thënë Lewandowski
Në të njëjtin program disa ditë më vonë, vetë Noem përsëriti qëndrimin e tij, ndërsa prezantuesi Benny Johnson ka sugjeruar se zgjedhja e Bad Bunnyt mund të jetë “mesazh” nga NFL për administratën Trump.
“Ata janë të dështuar, dhe ne do të fitojmë, dhe Zoti do të na bekojë”, ka thënë ajo.
NFL nuk ka dhënë ende ndonjë koment zyrtar.
Megjithatë, zgjedhja e Bad Bunnyt është pritur me entuziazëm nga Zaileen Janmohamed, president dhe CEO i Bay Area Host Committee.
“Jemi të bindur se Bad Bunny do të ofrojë përvojë të paharrueshme për fansat në Levi’s Stadium dhe për publikun global. Kjo zgjedhje e forcon edhe më shumë pozitën e Bay Area si destinacion për ngjarje të nivelit botëror, dhe presim një shfaqje spektakolare që do të reflektojë shpirtin unik dhe larminë e rajonit tonë”, ka thënë ai në një deklaratë.