Një shpërthim i fuqishëm në një veturë në Moskë ka plagosur Sergei Zavorotny, ish-këshilltarin e ish-kryeministrit ukrainas, Mykola Azarov, i cili njihet për qëndrimet e tij pro-ruse.
Lajmi është bërë i ditur nga Komiteti Hetimor i Rusisë, sipas të cilit Zavorotny ndodhej në timonin e veturës kur bomba shpërtheu të premten në mëngjes. Ai është dërguar në spital, ku po merr trajtim mjekësor.
Zavorotny kishte shërbyer si këshilltar i Azarovit deri në vitin 2014, kur ky i fundit dha dorëheqje nga posti i kryeministrit të Ukrainës dhe u largua drejt Rusisë.
Shpërthimi në Moskë ndodhi vetëm një ditë pas një incidenti të ngjashëm në Shën Petersburg, ku një bombë e vendosur në një veturë vrau një kolonel të ushtrisë ruse.
Sipas raportimeve të pakonfirmuara në mediat ruse, Zavorotny ka humbur krahun e majtë dhe ka pësuar lëndime në tru, si dhe ka thyer brinjët dhe këmbën e djathtë.
Autoritetet ruse kanë nisur hetimet për shpërthimin në Moskë. Komiteti Hetimor ka bërë të ditur se do të kryhen disa ekspertiza, përfshirë ekzaminime mjekësore dhe analiza për praninë e lëndëve shpërthyese.