Showbiz

Këshilltari i Trumpit e kundërshton performancën e Bad Bunnyt në “Super Bowl”

Bad Bunny

Bad Bunny

Foto: Associated Press

Bad Bunny do të bëhet artisti i parë që performon vetëm në spanjisht në spektaklin e njohur “Super Bowl Half Time Show”, por ish-menaxheri i fushatës së Donald Trump, Corey Lewandowski, ka paralajmëruar se agjentë të ICE (Shërbimi për Migracion dhe Dogana në SHBA) do të jenë të pranishëm në këtë ngjarje kombëtare, ka raportuar Rolling Stone.

Gjatë një interviste për podkastin “The Benny Show” me Benny Johnson, Lewandowski u pyet nëse “ICE do të kryejë zbatim ligjor gjatë ‘Super Bowl’ për performancën e Bad Bunnyt”.

“Askund nuk mund të ofrosh strehë të sigurt për njerëzit që janë në këtë vend në mënyrë të paligjshme. As në ‘Super Bowl’ dhe asnjë vend tjetër. Ne do t’ju gjejmë, do t’ju ndalojmë, do t’ju vendosim në një qendër paraburgimi dhe do t’ju deportojmë. Kjo është situatë reale nën këtë administratë, e cila është krejt ndryshe nga ajo që ishte më parë”, ka thënë Lewandowski.

Ai zgjedhjen e Bad Bunnyt si artist për performancën në “Super Bowl”, e quajti “turpëruese” dhe e akuzoi se ai “e urren Amerikën”, duke sugjeruar se kishte shumë “grupe muzikore dhe artistë të tjerë të mëdhenj që mund të performonin në këtë ngjarje”.

“Nëse ka të huaj të paligjshëm, nuk më intereson nëse është koncert për Johnny Smith, Bad Bunny apo dikë tjetër, ne do ta zbatojmë ligjin kudo sepse duam që amerikanët të jenë të sigurt. Ky është urdhër i presidentit. Nëse jeni në këtë vend në mënyrë të paligjshme, bëni vetes një të mirë: shkoni në shtëpi”, ka shtuar ai.

Megjithatë, Bad Bunny është një nga artistët më të njohur dhe të ndjekur në botë.

Ai është fitues i çmimit “Grammy”, ishte artisti më i dëgjuar në platformën transmetuese Spotify tre vjet radhazi, dhe albumi i tij “Un Verano Sin Ti” është më i dëgjuari në historinë e platformës.

Albumi i tij i fundit, “Debí Tirar Más Fotos”, ka çuar disa këngë të tij në vendin e parë të toplistave Billboard Hot 100, Apple Music dhe Spotify gjatë këtij viti, dhe u bë albumi i parë i vitit 2025 që kaloi 7 miliardë dëgjime në Spotify.

Para se të shpallej si artist që do të performojë në “Super Bowl 2026”, Bad Bunny ka shpjeguar pse nuk përfshiu Shtetet e Bashkuara në turneun e tij botëror “Debí Tirar Más Fotos”, duke lidhur këtë vendim me deportimet masive të administratës Trump që synonin latinoamerikanët.

“Pash shumë arsye që të mos shfaqesha në SHBA, dhe asnjë prej tyre nuk ishte nga urrejtja, kam performuar atje shumë herë. Të gjitha shfaqjet kanë qenë të suksesshme dhe madhështore”, ka thënë këngëtari.

Ai ka shtuar se shqetësohej se ICE mund të ishte jashtë koncertit të tij.

“Ishte diçka për të cilën po flisnim dhe ishim shumë të shqetësuar”, ka thënë artisti.

Lajmi se Bad Bunny, i cili është kritik i hapur i politikave të Presidentit Trump, do të performojë në “Super Bowl” ka shkaktuar zemërim te banda MAGA, por pavarësisht mendimeve të konservatorëve, ai mbetet një nga artistët më të ndjekur në botë, dhe performanca e tij në skenën më të madhe kombëtare do të forcojë edhe më shumë rekordin e tij.