Showbiz

Komisioni Federal i Komunikimeve në SHBA mbyll hetimin ndaj Bad Bunnyt

Bad Bunny gjatë performancës në “Super Bowl”

Bad Bunny gjatë performancës në “Super Bowl”

Foto: Associated Press

Këngëtari i mirënjohur, Bad Bunny, është liruar nga hetimi i Komisionit Federal të Komunikimeve në SHBA (FCC), pas ankesave për performancën e tij në “Super Bowl”.

Hetimi nisi pasi kongresmeni republikan nga Florida, Randy Fine, i dërgoi një letër kryetarit të FCC-së, Brendan Carr, duke e quajtur performancën “të neveritshme” dhe duke pretenduar se “nuk duhej të lejohej kurrë të transmetohej në televizion”.

Fine kundërshtoi në veçanti vargun “el perico es blanco” nga kënga “NUEVAYoL” , duke theksuar se ai i referohet kokainës.

Megjithatë, disa nga këngët e artistit, si “Tití Me Preguntó”, “Monaco” dhe “Safaera”, u transmetuan me ndërhyrje, ku u hoqën referencat për akte seksuale. Në fund, FCC nuk gjeti bazë për masa të mëtejshme.

Burime për The New York Post kanë thënë se agjencia “e ka mbyllur çdo shqyrtim shtesë, përveç nëse dalin prova të reja”.

Edhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka reaguar ashpër ndaj spektaklit në rrjetin e tij Truth Social.

“Shfaqja e pauzës ndërmjet dy pjesëve të lojës 'SuperBowl' është absolutisht e tmerrshme, një nga më të këqijat, NDONJËHERË! Nuk ka kuptim, është fyerje për madhështinë e Amerikës dhe nuk përfaqëson standardet tona të suksesit, kreativitetit apo përsosmërisë. Asnjë nuk kupton asnjë fjalë që ky djalë po thotë dhe vallëzimi është i neveritshëm, sidomos për fëmijët e vegjël që po shikojnë në të gjithë SHBA-në dhe në mbarë botën. Kjo ‘Shfaqje’ është thjesht një ‘shuplakë në fytyrë’ për vendin tonë, i cili po vendos standarde dhe rekorde të reja çdo ditë, përfshirë tregun më të mirë të aksioneve dhe 401(k)-të në histori!”, ka shkruar Trump.

Bad Bunny, 31 vjeç, doli në skenë në stadiumin Levi’s në Santa Clara të Kalifornisë, pas pjesës së parë të ndeshjes mes Seattle Seahawks dhe New England Patriots, ku interpretoi disa nga hitet e tij më të njohura, përfshirë “Tití Me Preguntó”, “MONACO” dhe “BAILE INoLVIDABLE”.

Artisti, emri i vërtetë i të cilit është Benito Antonio Martínez Ocasio, pati edhe mysafirë të njohur në skenë. Mes tyre ishin Lady Gaga dhe Ricky Martin, ndërsa në spektakël u panë edhe figura si Pedro Pascal, Cardi B, Karol G dhe Jessica Alba.

“Ishte nderi im absolut të isha pjesë e performancëc se Benitos në ‘SuperBowl’. Faleminderit Benito që më ftove dhe faleminderit të gjithë kastit që më mirëpritët në skenën tuaj. Nuk do ta humbisja për asgjë në botë”, ka shkruar Lady Gaga në Instagram pas ngjarjes.