Aktori Ben Stiller ka reaguar ashpër ndaj një kërkese të kongresmenit republikan Randy Fine, i cili i kërkoi Komisionit Federal të Komunikimeve (FCC) në SHBA që të nisë një “hetim të plotë dhe të menjëhershëm” ndaj performancës së Bad Bunny në “SuperBowl”.
Fine, përfaqësues i Floridës në Kongres, publikoi në platformën X një letër drejtuar kryetarit të FCC-së.
“Nuk ka rëndësi nëse e thua në spanjisht. Të inkurajosh fëmijët të përdorin kokainë në një transmetim live është krim. Nuk ka rëndësi kush po këndon. Transmetimi i fjalës me ‘F’ gjatë ‘SuperBowl’ është i paligjshëm. Të dyja këto gjëra ndodhën gjatë transmetimit të së dielës… I bëj thirrje FCC-së të kryejë një hetim të thellë dhe të aplikojë dënimet maksimale të lejuara nga ligji. Çdo gjë më pak do të ishte sinjal se paturpësia tolerohet për sa kohë është fitimprurëse”, ka shkruar ai.
Deklaratat e tij shkaktuan reagime të shumta në rrjetet sociale, përfshirë nga figura të njohura të Hollywoodit.
Stiller ishte ndër më të zëshmit, ka shkruar Variety.
“Fokusi i hetimit: si arriti Bad Bunny të shkëlqejë në një nivel kaq të lartë dhe të realizojë shfaqjen më të ndjekur dhe më të prodhuar për përfshirje dhe dashuri ndonjëherë? Hetuesit do të eksplorojnë burimin e talentit të jashtëzakonshëm të Bunnyt, karizmën e tij jashtë çdo norme dhe një zemër edhe më të madhe”, i është përgjigjur ai Finet me ironi.
Pas kësaj, disa mbështetës të Fines sulmuan Stillerin në rrjetet sociale, por aktori nuk hezitoi t’u përgjigjej.
Një përdorues e akuzoi se jeton në “flluskën e Hollywoodit”.
“Faleminderit. Jetoj dhe jam nga New Yorku, jam mirënjohës për familjen time dhe ju uroj gjithë të mirat”, ju përgjigj Stiller shkurt.
Një tjetër komentues pretendoi se performanca e Bad Bunnyt nuk ishte më e ndjekura, duke përmendur reperin Kendrick Lamar.
“Kendrick ishte fantastik gjithashtu”, ia ktheu Stiller.
Ndërsa ndaj një komenti ofendues, ai u përgjigj: “Ju uroj gjithë të mirat. I dua miqtë dhe familjen time (asnjë kriminel mes tyre) dhe ju uroj vetëm gjëra të mira për miqtë dhe familjarët tuaj”.
Reagimi i Stiller pasoi edhe qëndrimin e prezantuesit Andy Cohen, i cili gjithashtu ironizoi kritikët e Bad Bunny në rrjetet sociale pas “SuperBowlit”.
Performanca e artistit portorikan ka shkaktuar debat të fortë politik në SHBA, por një pjesë e madhe e figurave publike e kanë mbrojtur si një shfaqje që promovon përfshirje, kulturë latine dhe dashuri.