Shkrimtari me origjinë çeke, Milan Kundera, ka vdekur në moshën 94-vjeçare, ka njoftuar të mërkurën biblioteka që mban koleksionin e tij personal.
“Milan Kundera vdiq dje në Paris pas një sëmundjeje të gjatë”, ka thënë Anna Mrazova, zëdhënëse e Bibliotekës Morovian, shkruan “Reuters”.
Kundera u lind në qytetin e Bërnos, por emigroi drejt Francës më 1975 pasi u përjashtua për kritikimin e pushtimit sovjetik të Çekosllovakisë më 1968.
Ai ka marrë vlerësime të larta për stilin e përshkrimit të temave dhe personazheve që lundronin midis realitetit të përditshëm dhe botës së ëndrrave. Rrallë ka dhenë intervista, duke besuar se shkrimtarët duhet të flasin përmes punës së tyre.
Romani i tij i parë, “Shakaja”, u publikua më 1967 dhe ofroi portretin e ashpër të regjimit komunist çekosllovak. Ky konsiderohej hapi i parë në rrugën e përjashtimit të Kunderës.
Edhe
Universiteti i Tiranës përjetëson emrin e Ismail Kadaresë edhe në Bibliotekë
Ai pati thënë më 1976 për “Le Monde” se cilësimi i veprave të tij si politike është thjeshtëzim i tepërt dhe errësim i rëndësisë së tyre të vërtetë.
Vepra e tij më e madhe konsiderohet “Lehtësia e padurueshme e qenies”.
Pas 40-vjetësh larg vendlindjes, Kundera dhe bashkëshortja e tij Vera rifituan shtetësinë çeke më 2019.
Biografia:
Lindi në një familje të klasës së mesme shumë të kulturuar. Babai i tij, muzikologu dhe pijanisti Ludvík Kundera (1891-1971), ishte nxënës i kompozitorit të famshëm Leoš Janáček. Babai i mësoi Kunderës të luante në piano që në moshë të re. Me vonë Kundera studioi muzikë për njëfarë periudhe. Influenca e muzikës, ashtu si referenca të shpeshta mbi të, mund të gjenden në shumë vepra të Kunderës.
Kundera e përfundoi shkollën e mesme në Bërno më 1948. Më pas ai vazhdoi studimet e larta për letërsi dhe estetikë pranë Fakultetit të Arteve në Universitetin Charles. Pas dy vitesh studime u transferua në Fakultetin e Filmit të Akademisë së Arteve të Bukura ne Pragë. Më 1950 Kundera u detyrua t’i ndërpriste studimet për arsye politike.
Pas diplomimit më 1952 u caktua si profesor i letërsisë botërore pranë Akademisë së Filmit. Kundera i përkiste brezit të të rinjve çekë që nuk e kishin provuar Republikën Demokratike Çekosllovake të paraluftës. Rritja e këtij brezi u karakterizua prej eksperiencës së fituar nga Lufta e Dytë Botërore dhe pushtimi gjerman. Përvoja e totalitarizmit gjerman krijoi një imazh bardh e zi të botës tek ky brez (komunizëm dhe fashizëm) dhe, për rrjedhojë, shtyu një pjesë të madhe të tyre të aktivizoheshin pranë rretheve Marksiste dhe te anëtarësoheshin në Partinë Komuniste.
Edhe
Vdiq shkrimtari Avdi Shala, një nga emrat më të njohur të letërsisë shqipe për fëmijë
Milan Kundera u anëtarësua në Partinë Komuniste Çekosllovake, e cila ishte në pushtet në vitin 1948, kur ishte ende një adoleshent. Më 1950 bashkë me një tjetër shkrimtar çek, Jan Trefulka, Kundera u përjashtua nga partia për “aktivitete kundër partisë”. Trefulka e përshkruan incidentin në novelën e tij Pršelo jim štěstí (Lumturia ra mbi ta) ndërsa Kundera u frymëzua nga kjo ngjarje për të shkruar novelën e tij të parë Žert (“Shakaja”, 1967). Milan Kundera u ripranua në Partinë Komuniste më 1956. Më 1970 ai u përjashtua nga partia për herë të dytë.
Kundera së bashku me artistë dhe shkrimtarë të tjerë si Václav Havel, ishte i përfshirë në Pranverën e Pragës së vitit 1968. Gjatë kësaj periudhe reformizmi dhe optimizmi i pakët u shtypën nga pushtimi i Çekosllovakisë nga Bashkimi Sovjetik në gusht të 1968. Kjo e ndau nga kultura dhe jeta çeke, ndaloi përkthimin e librave të tij të shkruar në frëngjisht në çekisht (publikimi ose ripublikimi i librave të tij të vjetër në Republikën Çeke u lejua vetëm pas 1989).Kundera ka jetuar në Francë prej vitit 1975 dhe ka fituar nënshtetësinë franceze më 1981.