Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Arratisja nga vendi i kaosit etnik

Rexhep Qosja: “Serbia duhet ta ketë të qartë njëherë e përgjithmo

Rexhep Qosja: “Serbia duhet ta ketë të qartë njëherë e përgjithmonë: se në Kosovë ishte dhe mbetet një shtet pushtues. Ne kurrë nuk do të kemi një ndjenjë tjetër ndaj saj. Serbia nuk do të jetë në gjendje t’i marrë parasysh gjëra të tilla: ndjenjat e popullit shqiptar, sepse ndjenja të tilla po formohen gjithnjë e më me vendosmëri në politikën kombëtare të popullit shqiptar në tërësi”

Intervistën me akademik Rexhep Qosjen që po e sjellim para lexuesve e ka zhvilluar gazetari Jovan Radovanoviq dhe ajo është botuar në dy vazhdime: më 12 dhe 13 dhjetor të vitit 1991, në të përditshmen beogradase “Borba”. Është njëra ndër intervistat e para, por edhe të rralla të kohës, e publikuar në shtypin “jugosllav” në të cilën akademik Qosja e shpalos platformën e tij për zgjidhjen e “Çështjes shqiptare” në ish-Jugosllavi. Kujtojmë se në ato vite opinionet e krerëve të “alternativës kosovare” nuk arrinin të gjenin hapësirë në shtypin ndërkombëtar në radhë të parë për shkak të luftërave që kishin shpërthyer në ish-republikat jugosllave. Qëndrimet e akademik Qosjes të shpalosura në të përditshmen “Borba” të Beogradit, ashtu edhe siç pritej, nuk i shpëtuan fushatës së njohur antishqiptare të shtypit serb, të kontrolluar nga Sllobodan Millosheviqi

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Shqiptarëve u është imponuar sovraniteti jugosllav”

 “Sovraniteti jugosllav për shqiptarët është një sovranitet i imponuar dhe i dhunshëm. Ne nuk do të qetësohemi derisa të marrim statusin e kombit dhe Serbia duhet të ketë frikë nga vetja. Është në interes të të dy popujve, si atij serb ashtu edhe shqiptar, të heqin qafe regjimin e Millosheviqit”, ka thënë akademik Rexhep Qosja në fillim të bisedës duke vazhduar se “Jugosllavia tashmë është në një proces të përshpejtuar të shpërbërjes. Pra, nuk mund të flasim më për Jugosllavinë. Për momentin, ekziston ose ndoshta do të krijohet një lloj Jugosllavie e vogël, gjegjësisht Serbia e Madhe, por Jugosllavia nuk do të ekzistojë më. Jugosllavia ishte një gabim në historinë e Ballkanit dhe historia tani po e korrigjon atë gabim. Disa historianë kanë thënë se Jugosllavia ishte krijuar nga kaosi etnik dhe shpërbërja e saj ishte e pashmangshme. Kanë ikur kohët e perandorive dhe federatave artificiale. Prandaj, fati i Jugosllavisë është i lidhur me fatin e Bashkimit Sovjetik dhe të Çekosllovakisë. Nëse lejohet ekzistenca e Serbisë së Madhe, atëherë ky do të jetë një gabim edhe më i madh historik. Evropa do të detyrohet të ndërtojë edhe një tjetër padrejtësi, një tjetër iluzion, kundër të cilit, në të vërtetë, sot janë ngritur forcat e saj demokratike”.

Kështu i përgjigjet pyetjes sonë njëri prej intelektualëve më të shquar shqiptarë nga Kosova, akademiku Rexhep Qosja, i cili shihet si figura kryesore midis atyre shqiptarëve “radikalë” që po mbrojnë gjithnjë e më shumë opsionin e bashkimit të Kosovës me shtetin e Shqipërisë. Tani dhe menjëherë në vijim, Qosja thotë: “Shqiptarët nuk kanë asgjë për t’u ankuar për Jugosllavinë, megjithëse në shikim të parë duket se shpërbërja e saj pengon zgjidhjen e çështjes së tyre kombëtare, sepse në vend të një shteti, Jugosllavisë, Shqipëria dhe shqiptarët do të duhet të negociojnë me tri shtete – Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi. Pavarësisht sjelljes politike që na është imponuar që nga viti 1912 – kur territori shqiptar u pushtua nga Serbia dhe Mali i Zi, domethënë që nga viti 1918 – kur u krijua Jugosllavia, sovraniteti jugosllav për ne ka qenë dhe ka mbetur një sovranitet i imponuar dhe i dhunshëm. Mirëpo me shpërbërjen e Jugosllavisë, çështja kombëtare shqiptare në skenën politike ballkanike dhe evropiane aktualizohet si një çështje e vështirë, tragjike dhe kombëtare dhe më të cilën duhet të merren institucionet evropiane dhe ndërkombëtare. Parë historikisht, me shpërbërjen e Jugosllavisë nis ndërtimi i bashkimit kombëtar shqiptar. Kjo është logjika e historisë – vdekja e një shteti sjell në jetë disa shtete të tjera”.

Ju jeni njëri nga udhëheqësit e Forumit të Intelektualëve Shqiptarë. Deri vonë, thuhej se intelektualët shqiptarë po heshtin, por tani më nuk mund të thuhet kështu, sepse ata i kanë formuluar qëndrimet e tyre. Cilat janë ato qëndrime?

Qosja: Unë nuk jam udhëheqësi, asnjë nga udhëheqësit e ndonjë partie, as të ndonjë shoqate apo forumi. Në njëfarë mënyre nuk mundem të bëhem njeri i organizatës, i partisë. Njeriu i organizatës duket se pushon së qeni njeri i shpirtit. Organizimi, domethënë partia, është pjesë e popullit, e cila u vihet kundër organizatave, partive të tjera, që do të thotë pjesëve të tjera të popullit! Ndërsa unë dua të jem njeri i shpirtit, që do të thotë një njeri që komunikon shpirtërisht, pra vetvetiu komunikon politikisht, me të gjithë kombin. Nga pikëpamja politike mund të tingëllojë e pahijshme, por nga pikëpamja intelektuale – më shumë se e nevojshme. Intelektualët shqiptarë tashmë i kanë formuluar pikëpamjet e tyre: kombëtare dhe politike. Dhe të gjithë jemi pajtuar për dy gjëra: së pari, shqiptarët nuk do të qetësohen derisa të njihen si komb, që do të thotë ta gëzojnë të drejtën e vetëvendosjes, dhe së dyti, partitë janë mekanizma që degjenerojnë, kështu që duhet të ketë intelektualë që do t’ia thonë të vërtetën popullit.

Nuk frikësohemi, por ruhemi nga Serbia

Pikëpamjet e intelektualëve të pavarur shqiptarë, në raport me partitë politike, kur bëhet fjalë për Konferencën e Hagës, ndryshojnë. Ju lutem shpjegoni lexuesve se cilat janë këto dallime?

Qosja: Partitë politike të shqiptarëve në Jugosllavi nuk u shfaqën thjesht në Hagë, sepse partitë politike të shqiptarëve të Kosovës u shfaqën si një entitet politik më vete, dhe partitë politike të shqiptarëve nga Maqedonia gjithashtu u shfaqën si një entitet politik më vete. Kështu mund të shfaqeshin edhe partitë politike të shqiptarëve nga Mali i Zi, domethënë Serbia jugore (Presheva, Bujanovci, etj.). Shumica e intelektualëve besojnë se shqiptarët duhej të ishin paraqitur si një subjekt politik unik, nëpërmjet përfaqësuesve legjitimë që ata do t’i zgjidhnin vetë. Sepse çështja kombëtare shqiptare në Jugosllavi ekziston si një çështje unike kombëtare. Italianët, që jetojnë në Slloveni dhe Kroaci, hungarezët që jetojnë në Serbi, Kroaci dhe Slloveni, dhe myslimanët që jetojnë në Serbi dhe Mal të Zi (në Sanxhak) në Hagë u paraqitën të gjithë në mënyrë unike. Në përputhje me një paraqitje jounike të subjekteve politike shqiptare në Konferencën e Hagës, partitë politike të Kosovës, apo Kuvendi i Republikës së Kosovës, në fund të shtatorit organizoi referendum vetëm të shqiptarëve të Kosovës. Shumica e intelektualëve shqiptarë besojnë se, pavarësisht pengesave, duhej të ishte organizuar një referendum i të gjithë i shqiptarëve në Jugosllavi. Sepse, në Hagë, është duke u vendosur për Jugosllavinë dhe jo vetëm për një republikë apo një popull.

A kanë frikë shqiptarët nga Serbia?

Qosja: Serbia duhet të ketë frikë nga vetja, sepse vetëm në këta dhjetë vjetët e fundit, ajo u ka shkaktuar një oqean të këqijash shqiptarëve: padrejtësi, dhunë, abuzim, grabitje, persekutim, dëbim, rrahje, lëndime, vrasje, e kështu me radhë. Shqiptarët nuk kanë frikë nga Serbia, por shqiptarët kanë kujdes ndaj Serbisë! Ne jemi të kujdesshëm. Serbia e ka armatën, dhe ajo ushtri deri dje ishte Armata Popullore Jugosllave. Dhe ajo armatë është e armatosur deri në dhëmbë. Serbia ka forca të mëdha policore, dhe ato forca policore, kur ka nevojë, mund të armatosen edhe me pajisje ushtarake. Serbia ka Mbrojtje Territoriale. Serbia i ka armatosur deri në dhëmbë serbët dhe malazezët në Kosovë. Me një fjalë, Serbia është shtet ushtarako-policor, d.m.th. militarist. Ndërsa në anën tjetër, Serbia i vret dhe i persekuton shqiptarët vetëm për shkak të një revoleje. Serbia u zgjerua në Kosovë me ndihmën e ushtrisë, u mbajt nga ushtria dhe policia deri më sot, dhe Serbia mendon që edhe në të ardhmen në Kosovë të mbahet nga ushtria dhe policia. Shpresojmë se nuk do t’ia dalë që të ketë sukses për një kohë të gjatë në këtë drejtim, sepse mbajtja ushtarako-policore e shteteve sot është në kundërshtim me lëvizjet demokratike evropiane dhe në kundërshtim me arsyen historike. Por derisa lëvizje të tilla të arrijnë në Serbi dhe derisa një arsye e tillë të mbizotërojë mbi Serbinë, regjimi agresor serb mundet që për një kohë të shkurtër këtu të krijojë një kasaphane të madhe në Kosovë, në të cilën nuk do të ishte e mundur të njiheshin cilat do të ishin kufomat shqiptare dhe cilat serbe. Për këtë është në interes jo vetëm të popullit shqiptar, por edhe të popullit serb, që Serbia të çlirohet nga regjimi i sotëm i Millosheviqit, i cili e ka shndërruar Serbinë në një shtet agresiv, militarist – shtetin më të urryer në botën e sotme, i cili po bëhet i rrezikshëm për të gjithë Ballkanin, madje edhe më gjerë, sepse po përpiqet të arrijë integrimin në bazë fetare me Greqinë, Malin e Zi, Rumaninë dhe Bullgarinë nën protektoratin e Rusisë.

Pajtimi kombëtar është domosdoshmëri historike

Cili mund të jetë ndikimi i mbërritjes së “helmetave të kaltra” të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Jugosllavi në zgjidhjen e problemit të Kosovës?

Qosja: Jugosllavia është në luftë civile, e cila është etnike, fetare dhe politike dhe, së shpejti, mund të jetë edhe ndërshtetërore. Dhe ajo luftë kërcënon të zgjerohet gjithnjë e më shumë. Ardhja e “helmetave të kaltra” do t’i kursente popujt e ish-Jugosllavisë nga zgjerimi i kësaj lufte. Dhe, mbërritja e “helmetave të kaltra” do të sillte edhe më shumë shpresë në Kosovë për zgjidhjen e çështjes shqiptare. Apo, për fillimin e zgjidhjes së çështjes kombëtare shqiptare.

Cilat janë qëllimet e Kuvendit të Pajtimit dhe Bashkimit të Shqiptarëve, për të cilin është shkruar dhe folur ditët e fundit?

Qosja: Për disa muaj, po bëhen përpjekje që shqiptarët të tubohen në Kuvendin e Pajtimit dhe Bashkimit Kombëtar, pra në Kuvendin Gjithëshqiptar. Shqiptarët nuk janë kombi i parë, dhe nuk do të jenë kombi i fundit evropian që përpiqet të arrijë pajtimin kombëtar. Pajtimet kombëtare në momente të caktuara janë një domosdoshmëri historike, por edhe pjekuri historike e një kombi. Dhe shqiptarët tani gjenden në një moment të tillë historik kaq dramatik. Më shumë se çdo komb tjetër evropian, shqiptarët sot kanë nevojë për një Kuvend të tillë Mbarëkombëtar për shkak të padrejtësive të mëdha që popullit shqiptar i janë bërë nga fqinjët, dhe mbi të gjitha nga Serbia, ai ka mbetur një komb i ndarë, madje i përçarë deri më sot. Ajo ndarje e popullit dhe e vendit, i ka dobësuar energjitë kombëtare, mundësitë për zhvillim. Kjo ka ndikuar që shqiptarët sot të jenë populli më i varfër në Evropë. Shqiptarët në Kosovë, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, sot janë një popull i shtypur dhe i robëruar. Kosova është nën “gjendje rrethimi”. Megjithatë, Shqipëria, si pasojë e dekadave të diktaturës staliniste, po përjeton një krizë të vështirë politike, ekonomike, sociale dhe morale. Shqipëria është në një përçarje të madhe, madje tragjike politike. Ka një numër të madh shqiptarësh në botë që e gjetën veten atje, disa për shkak të persekutimit politik në Jugosllavi dhe në Shqipëri, dhe disa për shkak të varfërisë sociale. Siç mund ta shihni, ka shumë arsye që shqiptarët të mblidhen në Kuvendin Mbarëkombëtare të Pajtimit. Dhe unë shpresoj se ne do të mblidhemi në atë kuvend. Qëllimi i kuvendit është pajtimi kombëtar, që e gjithë energjia intelektuale, politike dhe morale e popullit të orientohet drejt realizimit të qëllimeve kryesore: zgjidhjes së drejtë të çështjes kombëtare, kapërcimit të krizës në të cilën ndodhet Shqipëria, dhe ndërtimit dhe institucionalizimit të demokracisë dhe sundimit të ligjit të popullit shqiptar. Megjithatë, të gjithë jemi të vetëdijshëm se qëllimet që Kuvendi Mbarëkombëtare Shqiptar do t’ia vendosë vetes nuk janë një ngjarje që mund të përfundojë menjëherë, por një proces që do të kërkojë kohë.

Pjesa e dytë e intervistës e publikuar më 13 dhjetor 1991:

Pas një periudhe të gjatë heshtjeje në opinion jugosllav, në një intervistë për gazetën “Borba”, paraqitet akademiku kosovar, Rexhep Qosja, i cili i sqaron pikëpamjet e krahut “radikal” të intelektualëve shqiptarë, të cilët sot vendosin si qëllim të tyre bashkimin me shtetin e Shqipërisë, tani dhe menjëherë. Zotëri Qosja dje i shpjegoi arsyet e Kuvendit Mbarëshqiptar, për të cilin pati shumë reagime në mediat jugosllave. Kjo është arsyeja pse pyetja jonë e parë, në vazhdim të bisedës, ishte:

Cilat forca politike janë pro atij Parlamenti dhe cilat janë kundër tij?

Qosja: Për Kuvendin Mbarëshqiptar kryesisht janë forcat politike që janë në pushtet në Shqipëri dhe pjesa më e madhe e popullit shqiptar në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe në diasporë. Forcat politike në pushtet janë për Kuvendin Mbarëshqiptar, sepse mendojnë se do t’i tubojnë disa pikë politike për zgjedhjet e ardhshme, ndërsa dhe populli është “për”, sepse mendohet që me pajtimin kombëtar mund të ndalet thellimi i mëtejshëm i krizës në shoqërinë shqiptare. Kundër Kuvendit Mbarëshqiptar nuk është askush, por për shtyrjen e datës së mbajtjes janë disa parti opozitare në Shqipëri dhe disa parti në Kosovë. Partitë opozitare të Shqipërisë, sipas bindjes sime të thellë, kanë frikë të panevojshme se partia në pushtet do të nxjerrë përfitime politike nga Kuvendi Mbarëshqiptar. Sepse prej këtij Kuvendi në fakt dobi mund të ketë vetëm një faktor: kombi shqiptar mbi kurrizin e të cilit po thyhen përçarjet politike, fërkimet, papajtueshmëritë e partive politike, të cilat kërkojnë gjithçka, por gjithçka, për vete, qoftë në përpjekje për të mbajtur pushtetin ose në përpjekje për të fituar pushtetin, duke harruar kështu përvojat e fundit politike: pikërisht të atyre që kërkuan gjithçka dhe e morën nga pushteti dhe ia sollën fatkeqësitë më të mëdha popullit të tyre.

“Ne nuk kemi ku të shkojmë nga Kosova. Serbia ka bërë disa përpjekje historike, politike, ushtarake dhe shtetërore për të na nxjerrë nga Kosova, por nuk ka pasur sukses, sepse ne kemi qenë pjesë e këtij vendi për mijëra vjet, rrënjët tona janë aq të thella këtu saqë ne kurrë nuk mund të shkëputemi prej kësaj toke”

Një akt demokratik me moral të lartë

Cilat forca intelektuale janë “për” dhe “kundër” Kuvendit Mbarëshqiptar?

Qosja: Me përjashtim të një numri shumë të vogël të atyre që ishin në shërbim të regjimit të mëparshëm në Shqipëri, ose atyre që luftuan kundër “kundërrevolucionit”, ose që e pritën vitin 1990 në Kosovë në heshtje të thellë, dhe tani me retorikën “demokratike” ata luftojnë kundër frikacakllëkut të tyre të djeshëm, nuk ka intelektualë të tjerë shqiptarë që deklarohen kundër Kuvendit Mbarëkombëtar. Megjithatë, duhet theksuar se përkrahësit më të qëndrueshëm të Kuvendit janë intelektualët më të shquar shqiptarë, si dhe ata që vuajtën padrejtësi dhe dhunë, d.m.th. që me jetën ose veprën e tyre përhapën pikëpamjet e demokracisë te populli shqiptar si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Dhe këtu nuk ka asgjë të çuditshme. Kuvendi Mbarëshqiptar është një akt demokratik shumë moral dhe ata që sakrifikuan në një mënyrë ose në një tjetër për hir të demokracisë, që do të thotë për lirinë e popullit të tyre, nuk mund t’i qëndrojnë kundër. Sepse ata nuk merren me kalkulime politike dhe demagogji: ata thjesht janë të orientuar drejt së ardhmes, e cila përcakton si mendimin ashtu edhe sjelljen e tyre politike dhe shoqërore.

A është e vërtetë se ju më tepër e promovoni bashkimin e Kosovës me Shqipërinë sesa Republikën e Kosovës?

Qosja: Është e saktë. Deri në këtë vit, deri në luftën serbo-kroate dhe shpërbërjen e Jugosllavisë, shumë shqiptarë besonin se duke e çuar përpara statusin politik dhe kushtetues-juridik të Kosovës në Republikë, mund të sigurohej barazia e një pjese të popullit shqiptar në Jugosllavi dhe kështu, deri diku, mund të qetësoheshin ndjenjat kombëtare shqiptare. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që me krijimin e Republikës së Kosovës do të zgjidhet çështja kombëtare shqiptare. Jo. Çështja kombëtare shqiptare në Jugosllavi është më e gjerë se çështja e Kosovës. Sot, është e qartë për të gjithë se Republika e Kosovës në asnjë rast nuk e zgjidh çështjen kombëtare të Kosovës, e lëre më çështjen kombëtare shqiptare. Jugosllavia pa Slloveninë, Kroacinë dhe Maqedoninë ose Jugosllavia vetëm pa Slloveninë dhe Kroacinë nuk do të jetë një Jugosllavi e vogël, por një Serbi e Madhe. Dhe të qenët nën sovranitetin e Serbisë, pavarësisht se si do të quhet ajo, çfarë kufijsh dhe si do të ishte e organizuar politikisht kushtetutërisht-ligjërisht, për ne shqiptarët do të thotë të jesh nën OKUPIM. Serbia duhet ta ketë të qartë njëherë e përgjithmonë: se në Kosovë ishte dhe mbetet një shtet pushtues. Ne kurrë nuk do të kemi një ndjenjë tjetër ndaj saj. Serbia nuk do të jetë në gjendje t’i marrë parasysh gjëra të tilla: ndjenjat e popullit shqiptar, sepse ndjenja të tilla po formohen gjithnjë e më me vendosmëri në politikën kombëtare të popullit shqiptar në tërësi.

Për ne është e vështirë, vërtet e vështirë me Serbinë, por edhe për Serbinë do të jetë gjithnjë e më e vështirë me ne. Ne nuk kemi ku të shkojmë nga Kosova. Serbia ka bërë disa përpjekje historike, politike, ushtarake dhe shtetërore për të na nxjerrë nga Kosova, por nuk ka pasur sukses, sepse ne kemi qenë pjesë e këtij vendi për mijëra vjet, rrënjët tona janë aq të thella këtu saqë ne kurrë nuk mund të shkëputemi prej kësaj toke. Më pastaj, i gjithë opinioni publik botëror gjithnjë e më shumë ka mirëkuptim për të vërtetën dhe të drejtat legjitime të shqiptarëve. Serbia do të jetë gjithnjë e më e shqetësuar për Kosovën për shkak të presionit të opinionit publik botëror: duke qenë absolutisht pa asnjë argument – as historik (sepse e drejta historike shqiptar në Kosovë është më e vjetër se ajo serbe), as demografik (sepse shqiptarë ka me dhjetëra herë më shumë sesa serbë dhe malazezë në Kosovë), as politik (sepse shqiptarët si komb shumicë kanë të drejtën e vetëvendosjes politike dhe territoriale). Pra, Serbia nuk mund ta justifikojë sovranitetin e saj shtetëror mbi Kosovën.

Loja brutale me faktet politike

Qosja: Serbia nuk mund ta justifikojë me të drejta historike praninë e saj shtetërore në Kosovë dhe praninë e saj shtetërore me të drejtën etnike në Vojvodinë, e cila historikisht ishte Hungari. Serbia nuk mund të luftojë për të vërtetuar të drejtën e vetëvendosjes së serbëve në Kroaci, në ato territore ku ata janë shumicë, dhe t’ua mohojë me forcë të njëjtën të drejtë shqiptarëve në Kosovë, të cilët janë shumicë absolute këtu. Serbia nuk do të jetë në gjendje të luajë me faktet politike kaq brutalisht pa ngritur kundër vetes edhe më shumë opinionin publik botëror, sanksionet politike dhe ekonomike botërore dhe ndoshta ushtarake. Nëse populli serb dëshiron të vlerësohet si popull demokratik, nëse populli serb dëshiron të vlerësohet si popull liridashës, nëse Serbia nuk dëshiron të jetë një shtet pushtues, atëherë duhet të bëjë atë që opinioni publik evropian dhe amerikan thënë të drejtën tani me gjysmë zëri po e kërkojnë – pra t’ia lejojë të drejtën e qytetërimit demokratik popullit shqiptar të Kosovës që ai të vetëvendosë politikisht dhe territorialisht. Dhe kjo do të thotë “t’i lejohet atij të bëjë atë që është e natyrshme dhe e drejtë të bëjë – të bashkohet me popullin e vet në Shqipëri; t’i lejojë atë që ua jep natyra të jenë bashkë”. Serbia te shqiptarët kurrë nuk do të ketë qytetarë që e shohin atë si shtetin e tyre, por sigurisht që do të ketë fqinj të mirë shtetin shqiptar, të cilit do t’i përkasë edhe Kosova. Serbia nuk do të jetë në gjendje t’i mbajë shqiptarët në pozicionin e pakicës kombëtare. Nëse kjo do të jetë ashtu, parë historikisht edhe për Serbinë, dhe jo vetëm për shqiptarët, është më mirë të pajtohen me bashkimin e shqiptarëve, sepse vetëm me bashkimin e shqiptarëve, çështja kombëtare shqiptare hiqet nga rendi i ditës edhe për Serbinë.

Pluralizmi tani është i dukshëm edhe në Kosovë. Jam i informuar se në këtë moment në Kosovë ka 15-16 parti politike. A është kjo një shenjë e dinamikës politike të Kosovës?

Qosja: Ndoshta në këtë moment ka shumë parti politike në Kosovë, por për mua ky numër nuk tregon shumë për dinamizmin e jetës politike në Kosovë.

Sa demokraci ka në pluralizmin aktual politik në Kosovë? Sa në Jugosllavi?

Qosja: Kosova është nën rrethim. Për çfarë lloj demokracie mund të flasim këtu? Një situatë e tillë nuk lejon që jeta jonë e brendshme politike të zhvillohet në mënyrë demokratike. Serbia u lejon partive tona politike aq aktivitet sa duhet për t’i treguar botës se megjithatë në Kosovë ka demokraci politike. Kështu pluralizmi politik i Kosovës instrumentalizohet në shërbim të Serbisë. Megjithatë, më tepër demokraci, nuk shihet diku tjetër: as në Serbi, Maqedoni, Mal të Zi. Për shembull, Serbia i ka rreth 60 parti, por megjithatë, atje akoma mbretëron sundimi njëpartiak. Sepse, në parlamentin “shumëpartiak” serb, të gjitha ligjet dhe masat vendosen nga socialistët e konvertuar nga Lidhja e Komunistëve të Serbisë. Demokracia serbe sot është një demokraci gjysmëkulturore ku mbretëron demagogjia, gënjeshtrat dhe dhuna.

Sipas mendimit tuaj, sa janë të profilizuara politikisht partitë në Kosovë kur bëhet fjalë për qasjen ndaj zgjidhjes së “Nyjës së Kosovës”?

Qosja: Sot, të gjitha partitë politike shqiptare kanë afërsisht të njëjtin qëndrim ndaj çështjes së Kosovës. Dhe ato e shprehën këtë qëndrim në deklaratën e Këshillit Koordinues të partive politike shqiptare në Jugosllavi. Megjithatë, deri më tani ka pasur disa dallime midis partive tona në lidhje me çështjen e Kosovës. Shqiptarët nuk i quajnë partitë e tyre kështu së koti: Partia Parlamentare e Kosovës – Lëvizja për Jugosllavinë. Partia Socialdemokrate e Kosovës – Lëvizja për Serbinë. Lidhje Demokratike e Kosovës – Lëvizja për Autonominë e Kosovës.

Mbetje anakronike të vetëqeverisjes

Dihet se në Kosovë u bënë përpjekje për të formuar Këshill Kombëtar të Shqiptarëve në Kosovë. Në vend të kësaj u formua Këshilli Koordinues i Partive Politike Shqiptare. Cila është arsyeja dhe pse u formua “qeveria e Kosovës” me një vonesë të tillë?

Qosja: Këshilli Koordinues i Partive Politike nuk u krijua si zëvendësim, dhe as nuk mund të jetë zëvendësim, për Këshillin Kombëtar Shqiptar. Këshillat koordinuese janë një mbetje anakronike e vetëqeverisjes socialiste. Këto janë forume që nuk mund të vendosin asgjë, dhe për këtë arsye nuk detyrojnë askënd të bëjë asgjë. Deri sa ekzistojnë Kuvendi dhe qeveria e Republikës së Kosovës, Këshilli Koordinues i partive tona është një dështim politik. Unë personalisht mendoj se ne do të duhej të kishim krijuar Këshillin Kombëtar Shqiptar menjëherë pas shpërbërjes nga Serbia të Kuvendit të Kosovës dhe Këshillit Ekzekutiv të Kosovës në korrik 1990. Nëse do ta kishin krijuar atë këshill, Serbia me siguri do të kishte më shumë punë për të bërë për shkak të Kosovës në Hagë sesa që në fakt kishte. Populli ynë thotë: nuk është kurrë vonë. Prandaj, unë shpresoj që ju nuk do ta vendosnit për kohë të gjatë në kllapa shprehjen “Qeveria e Kosovës”.

Cilat janë preokupimet dhe temat prioritare të intelektualëve dhe shkrimtarëve shqiptarë sot?

Qosja: Në kohën kur shqiptarët në Kosovë u privuan nga të gjitha burimet e tyre natyrore dhe atyre u mbeti vetëm ajri, kur të rinjtë tanë po na ikin në Evropën Perëndimore për të mos u zhdukur në luftën pushtuese serbe, kur shkollat dhe fakultetet tona u mbyllën, kur Akademia jonë e Shkencave dhe Arteve u shfuqizua, kur numri më i madh i familjeve nuk janë në gjendje t’i ushqejnë familjet e veta, kur fëmijët në vend që të lindin në maternitete, në shumicën e rasteve lindin në kushte të pamundura shëndetësore, kur qindra bashkëkombës arrestohen dhe maltretohen nëpër stacionet policore, kur na kërcënojnë me “knininxhat” e kapiten Draganit dhe kamat çetnike – në një kohë kur të gjitha hyrjet për në Kosovë përmes grykave të Ibrit, Rugovës dhe Kaçanikut janë të bllokuara nga forcat policore dhe ushtarake, dhe kjo do të thotë në kohën e rrethimit në Kosovë, kur populli shqiptar është një popull i robëruar, preokupimet e intelektualëve, shkrimtarëve dhe krijuesve të tjerë shqiptarë nuk mund të jenë as letrare, as artistike, as shkencore. Preokupimi i tyre kryesor, nëse jo i vetmi, është fati i popullit shqiptar në Jugosllavi. Mund të them se mua po më preokupon shumë kriza politike, shoqërore dhe shpirtërore në Shqipëri. Sepse, pavarësisht kufirit të sotëm, ne jetojmë shpirtërisht dhe kulturalisht jetën e një kombi të bashkuar, i cili nuk ka pushuar kurrë së besuari se një ditë do të jetojë si një komb i bashkuar.

Krahas Ismail Kadaresë, ju jeni njëri prej intelektualëve më të shquar shqiptarë. Sa ndikon kjo që të keni kujdes në komunikimin tuaj me publikun?

Qosja: Statusi intelektual – që kam në jetën e popullit të cilit i përkas, sigurisht që më imponon detyrime që duhet t’i respektoj dhe që i respektoj në komunikimin me publikun. Populli im më rriti dhe puna e jeta ime u përkasin atij.

Çfarë jeni duke punuar për momentin?

Qosja: Përveç obligimeve të mia të përditshme, të cilat zakonisht i kam paradite, jam duke e përgatitur një libër mbi çështjen shqiptare, të cilin, nëse nuk do të kem pengesa shtesë, do ta përgatis deri nga mesi i vitit tjetër.

Me kë është i mundur dialogu?

Duke pandehur se në një kohë jo të largët është i mundur dialogu midis serbëve dhe shqiptarëve, në cilat qarqe të intelektualëve dhe politikanëve serbë ju i shihni partnerët për dialog?

Qosja: Duke supozuar se dialogu midis shqiptarëve dhe serbëve është i mundur, unë i shoh partnerë për dialog patriotët e sinqertë serbë. Megjithatë, nuk i konsideroj patriotë serbë ata politikanë dhe intelektualë serbë që e përdorin Kosovën si kapital politik për të mbledhur pikë politike dhe për të krijuar autoritet të përkohshëm politik si patriotë serbë. Unë i konsideroj si patriotë serbë ata intelektualë dhe politikanë serbë që ndonjëherë, edhe pse me gjysmë zëri, thonë për shkak të asaj që po bën Serbia atje, Kosova është një turp serb dhe thonë me zë të ulët se parimet e drejtësisë, të drejtave dhe demokracisë po kompromentohen në Kosovë; që ndiejnë dhe thonë me zë të ulët se Serbia po përjeton një disfatë qytetëruese në Kosovë; që ndiejnë dhe thonë se Serbia në mënyrë të pashmangshme do të përjetojë një disfatë politike dhe historike në Kosovë; dhe që prej shqiptarëve nuk kërkojnë të jenë subjekte të nënshtruara, por fqinj sovran.

Vetëvendosja

Pikërisht për faktin se akademik Qosja njihet si promotor i zgjidhjeve “radikale” për Kosovën, në një moment e pyetëm nëse besonte në mundësinë e një zgjidhjeje paqësore të problemit të Kosovës.

 “Në rendin politik botëror që po lind” – u përgjigj Qosja – “çështjen e Kosovës, apo çështjen shqiptare, do ta zgjidhë vetë vetëdija shqiptare: këmbëngulja dhe vendosmëria e popullit shqiptar do të vazhdojë përballë vuajtjeve derisa të arrijë të drejtën që i takon legjitimisht si popullsi shumicë e Kosovës: të drejtën për vetëvendosje politike dhe territoriale. Madje jam i prirë të besoj se opinioni publik serb, përfundimisht do të bëhet më i hapur ndaj një të drejte të tillë të popullit shqiptar dhe do të heqë dorë nga Kosova ashtu siç hoqën dorë francezët nga Algjeria, ashtu siç heqin dorë rusët nga kolonitë e tyre në Bashkimin Sovjetik sot”.

Marrë nga gazeta “Borba”, 12 dhe 13 dhjetor 1991. Përzgjodhi dhe përktheu: Skënder Latifi