Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Macroni fton udhëheqësit e Lindjes së Mesme dhe Zelenskyn në samitin e G7-s

Emmanuel Macron

Foto: Associated Press

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka deklaruar se homologu i tij ukrainas do të marrë pjesë në samitin e G7-s, i cili do të mbahet javën e ardhshme në Francë. 

Ai ka thënë se ftesa për Zelenskyn bëhet për të "rindërtuar konsensusin" mbi mbështetjen për Ukrainën. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ndërkohë, udhëheqësit e katër shteteve arabe do të ftohen për bisedime mbi konfliktin e Lindjes së Mesme, ka thënë Macroni.

Shtëpia e Bardhë e ka konfirmuar për "Le Monde" në maj se presidenti Donald Trump do të marrë pjesë poashtu. 

Të ftuarit do të marrin pjesë në seancat të martën në samitin e Grupit të Shtatë ekonomive kryesore, Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara, që do të mbahet në vendpushimin francez buzë liqenit Evian, nga 15 deri më 17 qershor. 

Pjesëmarrja e presidentit, Volodymyr Zelensky "është shumë e rëndësishme për ne sepse duhet të rindërtojmë konsensusin brenda G7-s në mbështetje të Ukrainës mbi aspektet e ndryshme të luftës" me Rusinë, duke përfshirë nevojën për "negociata", ka thënë Macroni, një referencë për opinionet e ndryshme midis udhëheqësve evropianë dhe presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Për të adresuar luftën e nisur nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kundër Iranit në fund të shkurtit, udhëheqësit e Egjiptit, Arabisë Saudite, Katarit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe do të ftohen gjithashtu në një seancë të veçantë të martën.

Bisedimet do të përqendrohen në mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, e cila ka "një ndikim të vërtetë në ekonomitë tona" për shkak të çmimeve në rritje të karburantit, dhe në "negociatat mbi Iranin", ka thënë Macroni. Ai i ka bërë këto komente gjatë një diskutimi me përfaqësuesit e shoqërisë civile në pallatin presidencial Elysée.

Pas një darke për udhëheqësit e G7-s të hënën dhe dy seancave të përqendruara në krizat në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, "partneriteti Veri-Jug" do të jetë në agjendë po ashtu, ka shtuar Macroni. 

"Përveç FMN-së, Bankës Botërore dhe Bankës Afrikane të Zhvillimit, ne do të sjellim në këtë seancë partnerë me të cilët kemi ndërtuar këtë agjendë, në veçanti Korenë e Jugut, Indinë, Kenian dhe Brazilin”, ka thënë po ashtu Macroni. 

Samiti do të përfshijë gjithashtu diskutime me kompani teknologjike nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera.