Showbiz

Travis Scott e mbajti koncertin e parë nga tragjedia e vitit të kaluar

Ylli amerikan i repit, Travis Scott ka performuar në koncertin e parë publik, prej tragjedisë së vitit të kaluar kur 10 persona e humbën jetën në festivalin e tij muzikor “Astroworld” në Texas.

Reperi i famshëm, i cili është në lidhje romantike me yllin televiziv, Kylie Jenner, performoi në skenën e klubit të natës “E11EVEN” në Miami.

Mbrëmjen e filloi në kabinën e DJ-it para se të rrëmbente mikrofonin dhe t’i interpretonte hitet e tij më të njohura, si “Sicko Mode”, “Goosebumps”, “Antidote”. Gjatë njërës këngë, në skenë Scott u shoqërua edhe nga reperi dhe këngëtari tjetër i famshëm, Quavo.

Ueb faqja “TMZ” raportoi se të pranishëm në turmën e njerëzve ishin edhe disa yje të muzikës, si will.i.am, Logan Paul, Busta Rhymes, Future dhe ish i dashuri i Kylie Jenerit, Tyga.

Travis Scott pritet të jetë ndër performuesit kryesor në festivalin e muzikës “Primavera” në Amerikën Jugore, i cili viziton shtete të ndryshme si Brazili, Kili dhe Argjentina. Ndër artistët tjerë pjesë e kësaj ngjarjeje janë, Lorde, grupi “Arctic Monkeys” dhe Bjork.

Sipas portalit “TMZ”, reperi planifikon t’i rezervojë edhe disa koncerte ekstra gjatë kësaj vere.