Ushtruesja e detyrës së Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Valbona Disha-Haxhosaj, ka kërkuar nga prokurorët që ta shtojnë përkushtimin dhe vigjilencën në ushtrimin e detyrave dhe përgjegjësive të tyre, duke siguruar reagim me kohë dhe trajtim profesional të secilit rast.
Këto kërkesa ajo i ka adresuar gjatë një takimi me prokurorët pas caktimit në pozitën e ushtrueses së detyrës së kryeprokurores me vendim të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Disha-Haxhosaj ka marrë detyrën pas suspendimit të kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, ndaj të cilës është hapur edhe procedurë disiplinore pas vrasjes së Arlinda Zekajt.
“Me këtë rast, ajo ka theksuar se do të jetë në mbështetje të vazhdueshme të të gjithë prokurorëve të shtetit, duke ofruar bashkëpunimin dhe përkrahjen e saj në çdo situatë ku kërkohet ndërhyrja dhe mbështetja e udhëheqjes së Prokurorisë”, thuhet në komunikatë.
Në kuadër të organizimit të brendshëm dhe koordinimit të punës, me vendim të u.d. së Kryeprokurores, prokurori i shtetit Ermal Demhasaj është caktuar koordinator i rasteve të dhunës në familje, për një periudhë të pacaktuar.
“Po ashtu, u.d. e Kryeprokurores ka mbajtur takim edhe me stafin administrativ të Prokurorisë Themelore në Pejë, nga i cili ka kërkuar angazhim dhe intensitet të shtuar në punë, respektim të plotë të dispozitave ligjore dhe përmbushje profesionale të detyrave dhe përgjegjësive, me qëllim të shmangies së lëshimeve eventuale dhe menaxhimit sa më efikas të punëve dhe proceseve administrative në institucion”, thuhet tutje në komunikatë.