Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Akordet e Kosovës” kulmon me 15 zëra të rinj në skenë

“Akordet e Kosovës” kulmon me 15 zëra të rinj në skenë

“Është ndjenjë shumë e mirë dhe një motivim për të ardhmen”, ka thënë Dalina Haxhiu pas marrjes së çmimit. Ajo ka treguar se kënga flet për ëndrrat që nuk flenë kurrë dhe për rëndësinë e mosdorëzimit. “Mesazhi kryesor është të mos dorëzohemi”, ka theksuar ajo

Nata e tretë, kësaj here është kthyer në hapësirë të prezantimit të talenteve të fëmijëve. Dalina Haxhiu është shpallur fituese e edicionit të parë të “Akordeve për Fëmijë”, të dielën mbrëma, me këngën “Ëndrra ime s’fle”, përmes së cilës ka përcjellë mesazhin e këmbënguljes dhe të mosdorëzimit përballë ëndrrave. Me këtë mbrëmje është mbyllur në tërësi edicioni i katër i Festivalit të Këngës në RTK, një tjetër vit ku këngët fituese nuk kanë për adresë garën evropiane të këngës “Eurosong”

Pesëmbëdhjetë zëra të rinj kanë sjellë tjetër dimension të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës. Nata e tretë, kësaj here është kthyer në hapësirë të prezantimit të talenteve të fëmijëve. Dalina Haxhiu është shpallur fituese e edicionit të parë të “Akordeve për Fëmijë”, të dielën mbrëma, me këngën “Ëndrra ime s’fle”, përmes së cilës ka përcjellë mesazhin e këmbënguljes dhe të mosdorëzimit përballë ëndrrave. Me këtë mbrëmje është mbyllur në tërësi edicioni i katër i Festivalit të Këngës në RTK, një tjetër vit ku këngët fituese nuk kanë për adresë garën evropiane të këngës “Eurosong”. Megjithatë, për organizatorët ky ka qenë një tjetër edicion i realizuar me sukses. 

Hapja e natës së fëmijëve është bërë nga kori “Okarina”, nën drejtimin e sopranos Elikoha Hysaj-Shala, me interpretimin e këngës “Mallëngjimi” të Muharrem Qenës. Në skenën shumëngjyrëshe, të shoqëruar me projeksione vizuale, 15 fëmijët kanë interpretuar këngë me tema që preknin ëndrrat, dëshirat, të ardhmen dhe nevojën që zëri i tyre të dëgjohet.

Programin e ka udhëhequr këngëtarja Adea Pula, e cila e ka ndarë me publikun edhe përvojën e saj të parë në këtë skenë. Ka kujtuar se ishte ngjitur po aty, në sallën “1 Tetori” si fëmijë, kur kishte interpretuar një këngë për paqen në moshën 4-vjeçare, pa e kuptuar plotësisht atë që po këndonte. Kësaj radhe, nën shoqërimin e korit “Okarina”, ka interpretuar “E duam lumturinë”, këngën e njohur të Parashqevi Simakut.

Përveç këngëve garuese, programi është pasuruar edhe me paraqitjen e orkestrës “Amadeus”, e cila ka interpretuar veprën “Malësorja”, si dhe me performancat e Uran Hamitit me këngën “Zemra flet”. Një nga momentet më të veçanta të mbrëmjes ka qenë rikthimi i Adelina Ismajlit në skenën e “Akordeve të Kosovës”. Dyzet vjet pas debutimit në festivalin e dikurshëm, këngëtarja ka interpretuar “Ne jemi bukuria e atdheut”. 

Përzgjedhja e fituesve është bërë nga juria e përbërë nga këngëtarja shkodrane Orjeta Lero Kelaj dhe Shqipe Halili-Spahiu, redaktore e peogramit për fëmijë dhe të rinj në RTK, ndërsa kryetare e jurisë ka qenë Adelina Ismajli. Çmimi për tekstin më të mirë është ndarë për këngën e interpretuar nga Aksa Sulejmani me titull “Lëshoni pëllumbat” me tekst të Valon Gashit.

Çmimi i tretë, "Okarina e Bronztë" për fëmijë, i është ndarë Marin Kerit për këngën “Ëndrrat s’kanë kufij”, ndërsa çmimin e dytë, Okarinën e Argjendtë për Fëmijë, e ka fituar Rita Krasniqi me këngën “Soprano”. 

Çmimin kryesor, Okarinën e Artë për Fëmijë, e ka ndarë për Dalina Haxhiun kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu. 

“I falënderoj 15 këngëtarët që sivjet na kanë bërë javën të bukur për nisjen ne politikë”, ka thënë ajo midis tjerash në skenë. 

“Është ndjenjë shumë e mirë dhe një motivim për të ardhmen”, ka thënë Dalina Haxhiu pas marrjes së çmimit. Ajo ka treguar se kënga flet për ëndrrat që nuk flenë kurrë dhe për rëndësinë e mosdorëzimit. “Mesazhi kryesor është të mos dorëzohemi”, ka theksuar ajo. 

Në mesin e 15 paraqitjeve garuese kanë qenë edhe Afrina Macula me “Superstar”, Afrona dhe AndronaThaqi me “Për çdo fëmijë”, Alika Ajeti me “Jemi bota vetë”, Blin Tufa me “Magji”, Kenza Pllana me “Buzëqeshje jete”, Luana Duli me “Ëndrrat”, NuarLlapashtica me “Fitorja akullorja”, Shega Krasniqi me “Vajza e okarinave”, Kanarinë Kovanxhiu me “Jam vetvetja”, Mia Muçaj me “Lart e më lartë” dhe AeliaBerisha me “Kjo jam unë”. Për të gjitha këto paraqitje, Orkestrën e ka udhëhequr mjeshtrja Lindita Isufi.

Për dirigjenten Lindita Isufi, pjesëmarrja në këtë skenë ka qenë tejet domethënëse. Në skenën e “Akordeve të Kosovës” kishte marrë pjesë në vitin 1981, kur ishte vetëm gjashtë vjeçare. Pas shumë vitesh, është rikthyer në të njëjtën skenë, kësaj radhe si dirigjente e orkestrës.

Edicioni i sivjetmë ka shënuar edhe rikthimin e emërtimit historik “Akordet e Kosovës”, një element që drejtori artistik i festivalit, Florent Boshnjaku, e ka cilësuar si mënyrë për të vlerësuar traditën muzikore të vendit. Ai ka thënë se nata e fëmijëve e ka përmbyllur festivalin me një atmosferë të veçantë

“Ishte kënaqësi të isha dirigjente në këtë mbrëmje kaq të mrekullueshme, me fëmijët në skenë. Unë e kam nisur rrugëtimin tim muzikor që në fëmijëri, pikërisht në skenën e ‘Akordeve të Kosovës’, prandaj rikthimi im kësaj radhe, pas shumë vitesh, në cilësinë e dirigjentes, ishte një rastësi shumë e bukur dhe një kënaqësi e veçantë për mua”, ka thënë Idrizi. 

Ajo ka vlerësuar nivelin e interpretimeve dhe temat që kanë trajtuar këngët, duke theksuar se secila prej tyre ka përcjellë një mesazh.

“Mendoj se të gjithë ishin fitues dhe më të mirët. Uroj që rikthimi i ‘Akordeve të Kosovës’ të vazhdojë dhe festivali të ketë jetë të gjatë, sepse do ta pasurojë fondin e këngëve për fëmijë. Gjithashtu, do t’u japë mundësi fëmijëve të rriten artistikisht në këtë skenë dhe, ndoshta, disa prej tyre të bëhen muzikantë në të ardhmen”, ka thënë ajo.

Edicioni i sivjetmë ka shënuar edhe rikthimin e emërtimit historik “Akordet e Kosovës”, një element që drejtori artistik i festivalit, Florent Boshnjaku, e ka cilësuar si mënyrë për të vlerësuar traditën muzikore të vendit. Ai ka thënë se nata e fëmijëve e ka përmbyllur festivalin me një atmosferë të veçantë, duke vlerësuar se skena të tilla u kanë munguar fëmijëve të talentuar në Kosovë.

“Mendoj se ka qenë diçka e jashtëzakonshme. Jam jashtëzakonisht i lumtur që sivjet e kemi rikthyer fillimisht emërtimin ‘Akordet e Kosovës’. Kjo nënkupton se kemi një histori muzikore në këtë vend dhe, me këtë edicion, kemi respektuar dhe vlerësuar atë histori dhe traditën muzikore që kemi pasur”, ka thënë Boshnjaku.

Ka veçuar interpretimet e drejtpërdrejta të shoqëruara nga Orkestra.

“Sonte kanë shkëlqyer të gjithë fëmijët. Kanë qenë jashtëzakonisht të mirë. Mendoj se një mbrëmje e tillë i ka munguar shumë Kosovës, sepse kemi shumë fëmijë të talentuar dhe, nëse t’u jepet mundësia të prezantohen në një skenë të tillë, ata vërtet e meritojnë”, është shprehur Boshnjaku, i cili për të katërtën herë është në krye të pjesës artistike të këtij Festivali. 

Por, përtej rikthimit të emrit dhe hapësirës së krijuar për këngëtarët e rinj, festivali është mbyllur edhe këtë vit pa një lidhje me garën evropiane të këngës “Eurovision”, në të cilën fituesja e festivalit nuk do ta përfaqësojë Kosovën.