Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Travis Scott nuk do të përballet me akuza penale

Një juri në gjykatën e Teksasit ka refuzuar të padisë reperin, Travis Scott, rreth aksidentit që ndodhi në vitin 2021 në festivalin e muzikës “Astroworld” në Houston, me ç’rast e humbën jetën dhjetë persona. Lajmin e konfirmoi avokati i tij.

Kent Schaffer bëri të ditur se juria është mbledhur për ta shqyrtuar rastin dhe përfundimisht ka vendosur të mos e padisë klientin e tij për çfarëdo akuze penale që rrjedh nga koncerti. Schaffer tha se nuk ishte i sigurt se cilat akuza kishte marrë në shqyrtim juria.

“Ai asnjëherë nuk i ka inkurajuar njerëzit të bëjnë dika që mund të ketë rezultuar me lëndimin e të tjerëve”, deklaroi Schaffer duke shtuar se po ndihet i çliruar me këtë vendim të fundit.

Policia e Houstonit dhe zyrtarët federalë kanë hetuar nëse, Scott, kompania promovuese e koncerteve “Live Nation” dhe persona të tjerë të përfshirë në organizimin e festivalit “Astroworld”, kishin marrë masa të mjaftueshme sigurie për ta parandaluar një aksident të tillë masiv.

Schaffer tha se ndien keqardhje për ata që humbën jetën në festival dhe familjet e tyre, por sipas tij, Travis nuk është përgjegjës për atë që ndodhi dhe ngritja e kallëzimeve penale kundër tij nuk do t’ua lehtësojë dhimbjen.

Përgatiti: Edona Binaku