Ylli i ri në skenën muzikore, Tate McRae, thotë se kënga e saj e fundit, “She’s All I Wanna Be”, e përcjell një emocion shumë të vërtetë nga brendësia e saj.
“Kënga e ka shkruar në një kohë kur isha në humor vërtet të tmerrshëm sepse po e krahasoja veten me të gjitha këto vajza të bukura në internet. E fillova këtë proces të shkrimit të këngës duke qenë plotësisht e vetëdijshme se kisha dyshime për veten time, dhe në kokën time qarkullonte mendimi se doja të isha si ato femrat e bukura të Instagramit. Pra, tekstin dhe melodinë e këngës e krijova plotësisht e vetme. Më pas përfundova duke i a dërguar atë me email producentit tim, të cilin e pyeta nëse mund ta kthenim në një këngë të zhanrit punk, vetëm sa për argëtim. Por, doli të jetë një këngë mjaft e bukur dhe e veçantë”, shpjegoi pop artistja kanadeze.
Këngëtarja 18-vjeçare shpreson që të ketë mundësi të lidhet më shumë me adhuruesit, duke i shfaqur ndjenjat e saj më të sinqerta përmes muzikës.
“Arsyeja pse shkruaj muzikë për mua është e qartë, sepse është një mënyrë për t’u çliruar. Por, pastaj ku e lansojë atë për publikun anembanë botës, gëzohem edhe më shumë kur e shoh që ajo po i bënë fansat e mi të ndihen më pak të vetmuar. Edhe mua më bënë të ndihem njësoj sepse kur shoh që njerëzit lidhen me muzikën time, e kuptoj që nuk jam e vetmja që po ndihem në këtë mënyrë. Muzika është universale, dhe kjo është një gjë shumë e bukur. Prandaj edhe dua që përmes saj të flas për gjëra reale sepse në të kundërtën, ku është qëllimi i gjithë kësaj”, tha këngëtarja.
McRae asnjëherë nuk është frikësuar të jetë reale me publikun. Para se të bëhej artiste e njohur, në vitin 2011 ajo e krijoi kanalin e saj në YouTube ku fillimisht postonte video të vallëzimit. Para se të bëhej këngëtare, ajo ishte një valltare e suksesshme e cila në moshën 13-vjeçare konkurroi në emisionin, “So You Think You Can Dance?”. Pastaj, në vitin 2017 ajo filloi t’i postojë disa këngë të cilat i kishte shkruar në dhomën e saj të gjumit.
Videoklipi i ri përkon goxha me jetën reale të këngëtares, pasi e sjell atë duke vallëzuar dhe interpretuar në të njëjtën kohë. Kënga “She’s All I Want To Be” është pjesë e albumit debutues të McRaes, i cili pritet të lansohet në muajt e ardhshëm.
“Kryesisht jam e emocionuar sepse shumë shpejt do ta filloj turneun muzikor, dhe pastaj jam në përgatitje e sipër të lansimit të albumit, gjë që është jashtëzakonisht e frikshme. Prandaj, për momentin në kokë po më sillen shumë gjëra, dhe ky muaji i fundit ka qenë çmendurisht i ngarkuar për mua”, përfundoi McRae.
Kënga “She’s All I Wanna Be” tashmë është publikuar në YouTube dhe në platformat tjera muzikore.