Një këngë e papublikuar më parë e reperit të njohur, Eminem, “Everybody's Looking At Me”, ka mbërritur për herë të parë në platformat e muzikës online.
Ky projekt është pjesë e projektit muzikor “STANS: THE OFFICIAL SOUNDTRACK”, që shoqëron dokumentarin e ri të prodhuar nga vetë Eminem, me emrin “STANS”, ka raportuar FemaleFirst.
Kënga është prodhuar nga bashkëpunëtori i tij i hershëm, producenti i mirënjohur Dr. Dre dhe hapet me një freestyle të vitit 2002 të reperit Funkmaster Flex, duke e rikthyer publikun në periudhën e albumit të famshëm “The Eminem Show”.
Prej kohësh është përfolur se kjo këngë ishte material i lënë mënjanë nga ai album, pasi përfshin edhe elemente nga “The Kiss (Skit)”.
Skitet janë zakonisht segmente të shkurtra humori, dialogu apo rrëfimi, që përdoren në mes të këngëve për të shtuar atmosferë ose për të treguar një histori më të gjerë të albumit.
Në “The Kiss (Skit)”, Eminem, luan një situatë ku ai zbulon të dashurën e tij duke e tradhtuar. Ky moment lidh tematikisht disa këngë të albumit, sepse tregon tensionin dhe xhelozinë që pastaj reflektohen në tekstet e tij.
Pra, kur thuhet se kënga e re “Everybody’s Looking At Me” ka elemente nga “The Kiss (Skit)”, nënkuptohet që është ndoshta një pjesë e shkruar gjatë së njëjtës periudhë dhe ka të njëjtën ngjyrë narrative emocionale.
Tani, pas më shumë se 20 vjetëve, ajo publikohet e plotë, me tingullin karakteristik të Dr. Dre dhe komentet e pakompromis të Eminemit për famën, vëzhgimin publik dhe kaosin e jetës së yjeve.
Publikimi përkon me premierën e dokumentarit “STANS”, që trajton ndikimin kulturor të fansave të tij dhe po shfaqet në platformën Paramount+.
Përveç hiteve si “Not Afraid” dhe “Stan” me artisten, Dido, në kolonën zanore janë përfshirë edhe këngë më të rralla.
Dokumentari sjell historinë e reperit me zërin e tij dhe përmes rrëfimeve të figurave të njohura si Ed Sheeran dhe Dr. Dre. Eminem tregon hapur edhe për betejën me varësinë nga ilaçet.
Ai kujton momentin e rëndë kur ishte në prag të vdekjes duke thënë se u zgjua në spital dhe nuk dinte çfarë kishte ndodhur.
“U zgjova me tuba në trup dhe nuk mund të lëvizja. Pas mbidozës, u ktheva në shtëpi me mendimin se më duhej të bëja diçka … se do të vdisja nëse nuk ndryshoja asgjë”.