Showbiz

Swifti e feston përvjetorin e parë të albumit

Një vit pasi befasoi botën me albumin e saj të tetë, “Folklore”, Taylor Swift u dhuroi fansave një dhuratë të papritur për përvjetor të shtunën. Për kënaqësinë e miliona fansave, fituesja e 11 çmimeve “Grammy” publikoi versionin “origjinal” dhe orkestral të këngës “The Lakes”.

“Ka kaluar një vit qëkur kemi ikur nga bota reale së bashku dhe e kemi imagjinuar veten me pemë të larta dhe ajër të kripur. Aty ku ju lejohet të vishni këmisha nate me dantella që ju bëjnë të dukeni çdo ditë si një fantazmë viktoriane dhe askush nuk do t’ju shikojë, sepse thjesht nuk është askush aty. Jeni vetëm ju dhe kabina juaj imagjinare, dhe historitë që bëni për ta kaluar kohën”, ka thënë ajo.

"Për t’ju thënë faleminderit për gjithçka që keni bërë për ta bërë këtë album atë që është sot, doja t'jua dhuroja versionin origjinal të këngës “The Lakes”, ka thënë ajo. Ylli e ka përfunduar me fjalët: “Gëzuar 1-vjetorin për Rebekah, Betty, Inez, James, Augustine dhe për jetët që të gjithë krijuam rreth tyre. Gëzuar përvjetorin, “Floklor””.

Në dy fotografitë e papublikuara më parë, ajo u shfaq e relaksuar, gjersa shëtiste me dy pije në duar dhe një buzëqeshje të lehtë. Të dyja fotografitë me sa duket janë realizuar nga i dashuri Joe Alwyn, i cili më parë kishte postuar fotografi të vetes nga i njëjti vend ose një vend shumë i ngjashëm. Me daljen në treg, “Folklore” theu disa rekorde në listat muzikore javën e parë të publikimit dhe u bë albumi më i shitur i vitit 2020.

Në mars, në 63-vjetorin e “Grammy Awards”, ajo pranoi çmimin për albumin e vitit për “Folklore”, së bashku me bashkëpunëtorët Jack Antonoff, Aaron Dessner, Jonathan Low dhe Laura Sisk. Megjithëse i dashuri i saj, nuk ishte i pranishëm në ceremoni, u sigurua që ta falënderonte gjatë fjalimit kur e pranoi çmimin. Njëvjetori i “Folklore” vjen vetëm disa ditë pasi u bë e ditur se ajo nuk do të garojë me “Fearless (Taylor's Version)” në “Grammy” dhe “CMA Awards”. Këngëtarja tashmë i ka fituar katër çmime “Grammy” me “Fearless” të vitit 2008 dhe disa çmime “CMA”, dhe përkundër albumi të ri që përmban gjashtë këngë të reja, Swift vendosi të mos garojë për asnjë çmim në ceremonitë kryesore.