Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Swift publikon albumin e dytë të befasishëm brenda vitit

Këngëtarja amerikane, Taylor Swift, ka bërë të ditur se do ta publikojë albumin e saj të dytë, të befasishëm për vitin 2020.

“Evermore” është përshkruar si “simotra” e albumit delikat e zbavitës “Folklore”, të cilin këngëtarja e kishte publikuar gjatë muajit korrik. I incizuar gjatë kohës së karantinës, ky album i kryesoi listat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa bëri që Swift të nominohet edhe për gjashtë çmime “Grammy”, përfshirë edhe atë për albumin e vitit.

Swift ka thënë se koleksioni i ri me 17 këngë, i cili do të publikohet pas mesnatës të së enjtes, është pjesë e sesioneve të njëjta.

“Për ta thënë troç, thjesht nuk mund të ndaleshim duke shkruar”, ka thënë ajo. “Nëse mundohemi ta themi në mënyrë më poetike, duket se kemi qenë duke qëndruar në skaj të rrënjëve folklorike dhe kishim një zgjedhje: të kthehemi dhe të ecim prapa apo të udhëtojmë përpara në pyllin e kësaj muzike. Zgjodhëm të futemi edhe më thellë”.

“Kurrë nuk kam bërë diçka të tillë”, ka theksuar ajo, duke shtuar se “në të kaluarën albumet i ka trajtuar si pjesë të një epoke”. “Andaj kam vazhduar me planifikimin e tjetrit, pas publikimit të albumit të parë”.

Edhe Swifti e feston përvjetorin e parë të albumit Showbiz Swifti e feston përvjetorin e parë të albumit

“Folklore” ishte album më ndryshe i këngëtares. Duke e krijuar atë, ajo ka thënë të jetë ndier më sikur po rikthehej. “E dua ikjen që e kam gjetur në këto përralla imagjinare/joimagjinare”, ka thënë Swift.

“Më kanë pëlqyer mënyrat se si i keni mirëpritur ëndërrimet dhe tragjeditë e përrallat epike të humbjes së dashurisë, dhe se si e keni gjetur veten në to. Kështu që, thjesht vazhdova e shkrova”.

Sikurse “Folklore”, albumi i ri përmban bashkëpunime me artistët Bon Iver dhe Aaron Dessner, por edhe treshe e rokereve “Haim”, të cilat janë njëherësh rivalet e Swiftit për kategorinë e albumit të vitit në kuadër të çmimeve “Grammy”.

Ylli muzikor ka thënë gjithashtu se ka qenë edhe regjisore e klipit për këngën “Willow”, i cili do të publikohet po ashtu në mesnatën e 11 dhjetorit.

Edhe “Folklore” i Taylor Swift, albumi i parë i 2020-s me mbi një milion kopje të shitura Showbiz “Folklore” i Taylor Swift, albumi i parë i 2020-s me mbi një milion kopje të shitura

“Evermore” e përmbyll një vit të stërngarkuar për kantautoren, e cila me albumet e saj e ka mbushur boshllëkun e koncerteve të pezulluara shkaku i pandemisë së COVID-19.

Artistja 30-vjeçare ka filluar edhe riincizimin e tërë materialit nga albumi i saj i gjashtë, pasi që disqet e këtij albumi ishin shitur vitin e kaluar pa dëshirën e saj. Ajo ka shpalosur frytet e para të këtyre sesioneve – që janë një riprodhim besnik i këngës së saj të famshme “Love Story” – në një reklamë televizive javën e kaluar.