Aktorja e njohur e Hollywoodit, me prejardhje latine, Sofia Vergara, e ka luajtur rolin e trafikantes më të madhe të drogës në Kolumbi, Griselda Blanco, në serialin “Griselda” që shfaqet në platformën “Netflix”.
Djali i të ndjerës Blanco, e ka akuzuar Vergaran “për portretizimin e nënës së tij në mënyrë të parespektueshme”.
“Sofia Vergara nuk është konsultuar me asnjë nga anëtarët e familjes tone Blanco, në shenjë respekti për të kërkuar detaje nga ne për të interpretuar rolin e mamasë sime. Kur mësova për projektin ‘Griselda’ ekipi im i ka ofruar ndihmë atyre dhe Sofias dhe u kanë ofruar shërbimet e mija për konsultim”, ka thënë për “Fox News” djali i të ndjerës, Michael Corleone Blanco.
Ai pretendon se ekipi i Vergaras, e cila është producente ekzekutive e serialit, i ka thënë agjentëve të Blancos se nuk ka vend në këtë projekt për t’u konsultuar me pjesëtar të familjes së tij.
“Ekipi i Sofias dhe Netflix nuk kanë treguar respekt për mendimin e familjes dhe e bënë projektin vet, duke fituar të ardhurat në mënyrë komerciale”, ka thënë ai.
Tutje Blanco ka deklaruar se ai dhe avokatët e tij i kanë dërguar një letër me anë të së cilës kanë kërkuar respekt bazik nga Vergara dhe Netflix, të cilët nuk kanë shprehur interesim për “pajtim”.
Ai ka treguar se është duke punuar në një libër që është i bazuar në historinë e vërtetë të ngjarjes.