Në Kolumbi, shumë vajza të reja si Isabella rekrutohen në industrinë e transmetimeve live për të rritur dhe përballen me kushte të rënda pune. Studio të ndryshme përdorin metoda të padrejta, përfshirë përdorimin e dokumenteve false dhe presionin për të kryer akte të papërshtatshme. Ndërkohë, modelet përballen me pagesa të ulëta, abuzime dhe mungesë mbrojtjeje ligjore. Ky fenomen shqetësues është pjesë e një problematike globale që kërkon rregullime më të forta dhe vëmendje të veçantë.
Një pasdite, teksa Isabella po largohej nga shkolla, dikush i dha një fletushkë në dorë. “A do të fitosh para me bukurinë tënde?” shkruhej aty.
Ajo thotë se një studio që kërkonte modele dukej se po synonte nxënëse adoleshente në zonën e saj në Bogota, kryeqytetin e Kolumbisë.
Në moshën 17 vjeçe, me një djalë dyvjeçar për ta mbajtur, kishte nevojë urgjente për para, kështu që shkoi të mësonte më shumë.
Sipas saj, vendi ku shkoi rezultoi të ishte një studio transmetimi në internet me përmbajtje të ndjeshme për të rritur, që funksiononte në një shtëpi, në një lagje të varfër – me tetë dhoma të dekoruara si dhoma gjumi.
Studiot janë nga ato që duken të vogla me pak investim deri tek të mëdhatë me dhoma të veçanta, që kanë drita, kompjuterë, kamera dhe internet. Modelet kryejnë akte seksuale që transmetohen drejtpërdrejt te shikuesit në mbarë botën. Shikuesit u dërgojnë mesazhe modeleve dhe bëjnë kërkesa përmes personave të quajtur monitorë, të cilët janë ndërmjetës midis tyre.
Të nesërmen, Isabella, emri i vërtetë i së cilës nuk përdoret, thotë se filloi punë - edhe pse në Kolumbi është e paligjshme që studiot të punësojnë modele me kamera nën moshën 18 vjeçe.
Ajo i tha BBC-së se nuk kishte asnjë kontratë të shkruar që detajonte se sa do të paguhej ose cilat ishin të drejtat e saj. “Më vendosën në transmetim, pa më thënë asgjë, vetëm ku është kamera, le të vazhdojmë”.
Isabella thotë se studioja shpejt i sugjeroi të bënte një transmetim të drejtpërdrejtë nga shkolla, kështu që teksa shokët e klasës përreth saj po mësonin anglisht, ajo nxori në heshtje telefonin dhe filloi të filmonte veten në tavolinën e saj.
Ajo përshkruan se si shikuesit filluan t’i kërkonin të kryente akte specifike seksuale, kështu që i kërkoi mësuesit leje për të shkuar në tualet dhe, e mbyllur në një kabinë, bëri atë që ia kishin kërkuar klientët.
Mësuesja e saj nuk e kishte idenë se çfarë po ndodhte, “kështu që fillova ta bëja nga klasat e tjera”, thotë Isabella. “Vazhdoja të mendoja, ‘Është për fëmijën tim. Po e bëj për të’. Kjo më dha forcë”.
“Llogari të ricikluara dhe dokumente false”
Industria globale e transmetimeve në internet me përmbajtje për të rritur është në rritje të shpejtë.
Numri i shikimeve mujore të platformave të tilla është më shumë se trefishuar që nga viti 2017, duke arritur gati 1.3 miliard në prill të vitit 2025, sipas firmës analitike Semrush.
Kolumbia vlerësohet se ka tani më shumë modele se çdo vend tjetër – rreth 400.000 – si dhe 12.000 studio transmetimi, sipas Fenalweb, një organizatë që e përfaqëson sektorin e transmetimeve për të rritur në vend.
Këto studio i regjistrojnë performancat e modeleve dhe i shpërndajnë ato në platformat globale online, të cilat i transmetojnë për miliona shikues që paguajnë për të ndjekur, bëjnë kërkesa, japin shpërblime ose u dërgojnë dhurata modeleve.
Shumë prej modeleve që punojnë në studio e bëjnë këtë, sepse nuk kanë privatësi, pajisje teknike apo lidhje të qëndrueshme interneti në shtëpi – veçanërisht kur janë të reja në moshë, në kushte të vështira ekonomike apo ende jetojnë me prindërit.
Performues të ndryshëm i thanë BBC-së se shpesh studio të tilla përpiqen të tërheqin persona me premtimin për të fituar para lehtësisht, në një vend ku një e treta e popullsisë jeton në varfëri.
Modelet shpjeguan se ndërsa disa studio janë të organizuara mirë dhe ofrojnë mbështetje teknike e ndihmë për punonjësit, keqtrajtimi dhe abuzimi janë të zakonshëm në studio të tjera që veprojnë pa etikë.
Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, i ka përshkruar pronarët e këtyre studiove si “zotër të skllevërve” që mashtrojnë gra dhe vajza, si Isabella, duke i bindur se mund të fitojnë para të mira.
Katër nga platformat më të mëdha të transmetimit të përmbajtjes nga këto studio – BongaCams, Chaturbate, LiveJasmin dhe StripChat – që janë me bazë në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara, kanë kontrolle të brendshme për të garantuar se performuesit janë 18 vjeç ose më të rritur. Ligjet në BE dhe në SHBA e ndalojnë shpërndarjen e përmbajtjes eksplicite me persona nën moshën 18 vjeç.
Por, sipas modeleve që kanë folur për BBC-në, këto kontrolle mund të anashkalohen lehtësisht nëse një studio dëshiron të punësojë vajza të mitura.

Ato thonë se një mënyrë për ta bërë këtë është duke “ricikluar” llogari të vjetra të modeleve që kanë qenë me moshë madhore, por që nuk janë më aktive, dhe t’i kalojnë ato te vajza më të reja.
Isabella thotë se në këtë mënyrë ajo arriti të shfaqej në platformat “Chaturbate” dhe “StripChat” kur ishte ende 17 vjeçe.
“Pronarja e studios më tha se nuk kishte problem që isha nën moshë”, thotë Isabella, e cila tani është 18 vjeçe. “Ajo e përdori llogarinë e një gruaje tjetër, dhe unë fillova të punoja me identitetin e saj”.
Modele të tjera që kanë folur me BBC-në, treguan se u janë dhënë karta identiteti false nga studio. Njëra prej tyre, Keiny, thotë se kjo ia mundësoi të shfaqej në BongaCams kur ishte 17 vjeçe.
Milley Achinte, përfaqësuese e BongaCams në Kolumbi, i tha BBC-së se platforma nuk lejon persona nën moshën 18 vjeç të performojnë dhe se i mbyll menjëherë llogaritë që e shkelin këtë rregull. Ajo shtoi se platforma i verifikon dokumentet e identitetit nëpërmjet një faqeje zyrtare të qeverisë kolumbiane dhe, nëse një modele i kontakton dhe njofton se është larguar nga studioja, ata ia japin fjalëkalimin që ta mbyllë llogarinë e saj.
Në një deklaratë, Chaturbate tha se e ka “ndaluar kategorikisht” përdorimin e dokumenteve të falsifikuara, dhe se modelet duhet të dërgojnë rregullisht fotografi të vetes pranë një dokumenti identiteti të lëshuar nga qeveria, të cilat kontrollohen si në mënyrë digjitale, ashtu edhe manuale.
“StripChat”, gjithashtu, e dërgoi një deklaratë duke thënë se ka një “politikë të tolerancës zero ndaj modeleve nën moshë”, dhe se performuesit “duhet të kalojnë një proces të detajuar verifikimi të moshës”, duke shtuar se ekipi i brendshëm i moderimit bashkëpunon me shërbime të jashtme për ta “verifikuar identitetin e modeleve”.
Ata theksuan se llogaritë e ricikluara nuk mund të përdoren në platformën e tyre, dhe se ndryshimet e fundit në rregulla kërkojnë që mbajtësi i llogarisë të jetë i pranishëm në çdo transmetim. “Kështu, nëse një modele e hap një llogari të re për të punuar në mënyrë të pavarur, llogaria origjinale e saj bëhet joaktive dhe e papërdorshme nga studioja”.
Platforma “LiveJasmin” nuk u përgjigj kërkesave të BBC-së për koment.
“Shikuesve u pëlqen kur dukesh më e re”
Keiny është tani 20 vjeçe dhe punon nga dhoma e saj në shtëpi, në Medellín – duke transmetuar përmes një studioje tjetër, që i ofron qasje në platformat ndërkombëtare të mëdha.
Nëse nuk do të ishte për pajisjet moderne – disa drita rrethore, një kamerë dhe një ekran i madh – kjo dhomë do të dukej si ajo e një fëmije. Ka shumë lodra të buta, njëbrirësh rozë dhe arushë pelushi.
“Shikuesve iu pëlqen më shumë kur dukesh e re në pamje”, thotë ajo.
“Ndonjëherë mendoj se kjo është problematike. Ka klientë që kërkojnë të sillesh si një fëmijë i vërtetë – dhe kjo nuk është në rregull”.
Ajo tregon se hyri në këtë punë për ta ndihmuar familjen financiarisht, pasi prindërit e saj vendosën të divorcohen.
Babai i saj është në dijeni për atë që ajo bën dhe, sipas saj, e mbështet.
Duke reflektuar mbi të kaluarën, Keiny mendon se ishte shumë e re kur filloi, në moshën 17-vjeçare, por megjithatë nuk është kritike ndaj punëdhënësve të saj të mëparshëm.
Përkundrazi, ajo beson se ata e ndihmuan të futej në një punë që sot i siguron një të ardhur mujore prej rreth 2.000 dollarësh, shumë më tepër se paga minimale në Kolumbi, e cila është afërsisht 300 dollarë në muaj.

“Falë kësaj pune po e ndihmoj mamanë, babain dhe motrën time – gjithë familjen”, thotë ajo.
Këtë këndvështrim e përkrahin edhe disa studio, të cilat duan të tregojnë se kujdesen për mirëqenien e modeleve të tyre.
BBC-ja e vizitoi një nga më të mëdhatë – AJ Studios – ku e prezantuan një psikolog të brendshëm, i punësuar për ta mbështetur shëndetin mendor të modeleve. Gjithashtu, u tregua edhe një hapësirë spa, që ofron pedikurë, masazhe dhe mbushje buzësh me “çmim të zbritur” ose si shpërblime për “punonjësin e muajit” – një titull që jepet për fituesit më të mëdhenj ose ata që janë bashkëpunues dhe i ndihmojnë kolegët.
Gjobë për ndalesë në tualet
Por, siç ka theksuar edhe presidenti i vendit, jo çdo modele trajtohet mirë apo arrin të fitojë të ardhura të mjaftueshme. Industria po pret të shohë nëse ligji i ri i punës do ta hapë rrugën për rregullore më të forta.
Modelet dhe studiot i thanë BBC-së se platformat e transmetimit zakonisht marrin 50% të të ardhurave që i paguajnë shikuesit, studiot marrin 20–30%, dhe modelet marrin pjesën që mbetet. Kjo do të thotë se nëse një shfaqje gjeneron 100 dollarë, modelja zakonisht merr midis 20 dhe 30 dollarë. Ato shpjegojnë se studio të pandershme shpesh përvetësojnë shumë më tepër.
Modelet thonë se ka raste kur kanë qenë të lidhura në platforma për deri në tetë orë dhe kanë fituar vetëm 5 dollarë – gjë që mund të ndodhë kur ka pak shikues.
Të tjera tregojnë se janë detyruar të transmetojnë deri në 18 orë pa pushim dhe janë gjobitur nëse e ndalnin për të ngrënë apo për të shkuar në tualet.
Sofi, një nënë e dy fëmijëve nga Medellín, kishte punuar si kameriere në një klub nate, por u largua nga ajo punë pasi u lodh nga fyerjet e klientëve, dhe filloi të punojë si modele në internet.
Por, 26-vjeçarja tregon se në një studio ku punoi, u vu nën presion për të kryer akte seksuale të dhimbshme dhe poshtëruese, përfshirë edhe performime me tri vajza të tjera.
Ajo shpjegon se këto kërkesa vinin nga klientët dhe miratoheshin nga “monitorët” e studios – punonjës që veprojnë si ndërmjetës mes modeleve dhe shikuesve.
Sofi thotë se i kishte thënë studios se nuk donte t’i kryente këto akte, por ata i thanë se nuk kishte zgjidhje.
“Në fund u detyrova ta bëja, sepse përndryshe do të ma mbyllnin llogarinë,” shton ajo, duke shpjeguar se kjo do të thoshte që nuk do të mund të punonte më në atë platformë.
Sofi vazhdon të punojë në studio të tilla sepse, sipas saj, një rrogë e zakonshme në Kolumbi nuk do të mjaftonte për ta mbajtur veten dhe dy fëmijët e saj. Ajo tani po kursen për t’i ndjekur studimet në drejtësi.
“Më mashtruan”
Pas dy muajsh të lodhshëm, duke u zgjuar në orën 05:00 të mëngjesit për ta përballuar punën në internet, shkollën e mesme dhe përkujdesjen për djalin e saj të vogël, Isabella thotë se mezi priste të merrte pagesën e parë.
Por, pasi platforma dhe studioja e morën pjesën e tyre, Isabella tregon se u pagua vetëm 174.000 peso kolumbiane (rreth 42 dollarë) – shumë më pak nga sa priste. Ajo beson se studioja i dha një përqindje shumë më të ulët nga ajo që ishte rënë dakord dhe i përvetësoi pjesën më të madhe të të ardhurave të saj.
Ishte një shumë qesharake, thotë ajo, duke shtuar se një pjesë të saj e përdori për të blerë qumësht dhe pelena. “Më mashtruan”.
Isabella, e cila ende është në shkollë, punoi si modele transmetimi vetëm për disa muaj përpara se të hiqte dorë.
Mënyra se si u trajtua në atë moshë ka lënë pasoja të thella emocionale tek ajo. Ajo thotë se nuk mund të ndalonte së qari, ndaj nëna e saj i organizoi një takim me një psikologe.
Ajo dhe gjashtë ish-punonjëse të tjera të studios janë bashkuar për ta dorëzuar një ankesë zyrtare në zyrën e prokurorit të shtetit. Së bashku ato e kanë akuzuar studion për shfrytëzim të të miturve, shfrytëzim në punë dhe abuzim ekonomik.
“Ka video të mia që ende qarkullojnë në internet, edhe pse isha nën moshë,” thotë ajo, duke shtuar se ndihet e pafuqishme për t’i hequr ato. “Jam prekur shumë dhe nuk dua të mendoj më për këtë”.