Aktorët Ryan Gosling dhe Will Ferrell pritet të bashkëpunojnë në një film të ri komedi-aksion të titulluar “Tough Guys”, i cili është në zhvillim nga Amazon MGM Studios.
Gosling, 44 vjeç, thuhet se ka ndihmuar në përfshirjen e Ferrell në këtë projekt, pasi vetë ishte i entuziazmuar nga skenari, i shkruar nga Daniel Gold. Të dy aktorët kanë bashkëpunime të mëparshme me Amazon MGM. Gosling do të luajë edhe në filmin e tyre fantastiko-shkencor “Project Hail Mary”, që del vitin e ardhshëm, ndërsa Ferrell, 58 vjeç, ka qenë pjesë e komedisë romantike “You're Cordially Invited” më herët këtë vit, ka raportuar Female First.
Të dy pritet të angazhohen edhe si producentë. Gosling përmes kompanisë “General Admission”, ndërsa Ferrell përmes “Gloria Sanchez Productions”.
Ndërkohë, Ryan Gosling do të luajë edhe në një film të ri të sagës “Star Wars”, të titulluar “Star Wars: Starfighter”, nën regjinë e Shawn Levy, i cili është i njohur për “Deadpool & Wolverine” dhe “Night at the Museum”.
Levy është entuziast për këtë bashkëpunim:
“Nëse ke mundësinë të përfshish Ryan Gosling në një projekt, bëje. Ai e bën gjithçka më të mirë dhe më ‘cool’. Nuk e kam parë më parë këtë kombinim, Ryan Gosling dhe ‘Star Wars’, dhe kjo më emocionon vërtet”, ka thënë Levy pwr Deadline.
Lajmi për pjesëmarrjen e Gosling u konfirmua në një ngjarje “Star Wars Celebration” në Tokio, në muajin prill.
“Në fillim dëgjova një thashetheme se filmi im do të kishte në rol kryesor Ryan Gosling dhe, besoni, për mua kjo ishte ëndërr e bërë realitet. Sot dua t’jua konfirmoj këtu, se ai thashethem është 100 për qind i vërtetë”, ka thënë Levy.
Gosling ka treguar se ky është një projekt që e ka në zemër që nga fëmijëria.
“E dua ‘Star Warsin’ qëkur isha fëmijë. Mund ta shihni edhe nga çarçafët e mi të fëmijërisë”, ka thënë aktori, duke i treguar audiencës një fotografi nga fëmijëria e tij.
Ai tutje ka thënë se skenari është i jashtëzakonshëm.
“Ka personazhe origjinale dhe një histori plot zemër e aventurë. Dhe nuk ka regjisor më të përshtatshëm për këtë histori sesa Shawn”, ka thënë ylli.