Showbiz

Publiku po e pret me entuziazëm lansimin e “Dune: Part Two”

Nuk është fshehtësi që “Dune” ishte një nga filmat më të dashur të publikut në vitin 2021.

Projekti i adaptuar nga romani fantastiko-shkencor i Frank Herbertit, vjen me regji të regjisorit vizionar, Denis Villeneuve, si dhe e përfshin një kastë aktorësh të listës A në Hollywood.

Me titull, “Dune: Part Two”, vazhdimi i dytë synon ta përsërisë suksesin e filmit të parë dhe tashmë po konsiderohet një nga projektet më të mirëpritura nga publiku anembanë botës për vitin 2023.

Image

Në trailerin e sapolansuar kryepersonazhi Paul Atreides rikthehet më i pjekur dhe më i guximshëm se kurrë, teksa tenton ta dominojë një krimb rëre. Ai tashmë e ka filluar një jetë të re në mesin e njerëzve nga shkretëtira, si dhe e ka ndërtuar një raport më të afërt me luftëtaren Chani.

Krahas aktorit 27-vjeçar, Timothee Chalamet, rolet në projektin e ardhshëm i përsërisin edhe yjet e tjera, si: Zendaya, Rebecca Ferguson, Josh Brolin, Javier Bardem dhe Stellan Skarsgard. Një numër personazhesh të reja janë bërë pjesë e filmit gjithashtu, duke përfshirë princeshën Irulan të portretizuar nga aktorja britanike, Florence Pugh, Christopher Walken vjen në rolin e babait të saj, perandori Shaddam, Austin Butler e luan rolin e Feyd-Rauthas dhe aktorja franceze, Lea Seydoux, vjen në ekran të madh si Lady Margot.

Filmi i parë “Dune” u publikua në tetor 2021 dhe në total i arkëtoi 401 milionë dollarë nga shitja e biletave nëpër kinematë botërore, duke u bërë kështu një sukses i shpejtë komercial.

“Dune: Part Two” lansohet nëpër kinema më 3 nëntor të këtij viti.