Showbiz

Léa Seydoux pjesë e filmit “Dune: Part Two”

Aktorja e famshme franceze, Léa Seydoux, i është bashkuar kastës së aktorëve të filmit, “Dune: Part Two”, ku do ta portretizojë rolin e Lady Margot, një aleate e rëndësishme e kryepersonazhit Paul Atreides në luftën e tij me Shtëpinë e Harkonnen.

Regjisori i filmit me buxhet të lartë, Denis Villeneuve, pritet t’i fillojë xhirimet e vazhdimit të dytë në fund të vitit, derisa yjet e hollywoodit, Timothe Chalamet, Zendaya, Rebecca Ferguson, Josh Brolin, Javier Bardem, Stellan Skarsgard dhe Dave Bautista i përsërisin rolet e tyre. Përveç Leas, atyre iu bashkohen edhe disa aktorë të ri si, Austin Butler, Christopher Walken dhe Florence Pugh.

Villeneuve është duke e bashkëshkruar skenarin me skenaristin, Jon Spaihts. Ai gjithashtu vjen në rolin e producentit të këtij projekti të shumëpritur nga publiku, raporton portali “Variety”.

E njohur më së miri për perormancën e saj në filmat me agjentin sekret James Bond, “Spectre” dhe “No Time to Die”, Lea Seydoux së fundmi ka luajtur krahas aktorëve, Viggo Mortensen dhe Kristen Stewart, në filmin “Crimes of the Future”.

Filmi i parë “Dune” i arkëtoi 400 milionë dollarë nga shfaqja nëpër kinematë botërore. Suksesin e radhës e shënoi duke u bërë filmi më fitimprurës i platformës digjitale HBO Max. Tutje, filmi u nominua në dhjetë kategori për çmim “Oscar”, përfshirë këtu kategorinë “Filmi më i mirë”, si dhe i fitoi 6 shpërblime gjithsej.

“Dune” e rrëfen historinë e Paul Atreides, një djalosh i ri me aftësi të jashtëzakonshme, i cili duhet të udhëtojë në një prej planetëve më të rrezikshëm në univers, për ta siguruar të ardhmen e familjes së tij fisnike dhe të mbarë popullit. Por, konflikti pason me forcat keqdashëse për kontrollin e një burimi të quajtur “Melange”, i cili kur konsumohet mund ta përmirësojë shëndetin e njerëzve, e rrit jetëgjatësinë, është jetik për t’i ndihmuar udhëtimet në hapësirë dhe njëkohësisht është produkti më i kërkuar në të gjithë universin.