Showbiz

Përfundojnë xhirimet e filmit “Dune: Part Two”

Ai ka një rol kryesor në vazhdimin e shumëpritur kinematografik.

Aktori 26-vjeçar, Timothée Chalamet, i njoftoi adhuruesit se xhirimet e filmit “Dune: Part Two” tashmë kanë përfunduar, ndërsa e postoi një fotografi nga shkretëtira ku shihet buzëqeshur në shoqërinë e babait, Marc Chalamet.

Në muajin qershor, studioja filmike “Warner Bros” e ndryshoi datën e lansimit të këtij vazhdimi nga 20 tetori në 17 nëntor të vitit 2023, shkruan portali “Deadline”.

Krahas aktorit Timothee Chalamet, rolet në projektin e ardhshëm i përsërisin edhe yjet tjerë të hollywoodit si, Zendaya, Rebecca Ferguson, Josh Brolin, Javier Bardem dhe Stellan Skarsgard.

Një numër personazhesh të rinj janë bërë pjesë e filmit gjithashtu, duke përfshirë Princeshën Irulan të portretizuar nga aktorja britanike, Florence Pugh, Christopher Walken vjen në rolin e babait të saj, Perandori Shaddam, Austin Butler e luan rolin e Feyd-Rauthas dhe aktorja franceze, Lea Seydoux, vjen në ekran të madh si Lady Margot.

Filmi i parë “Dune” u publikua në tetor 2021 dhe në total i arkëtoi 401 milionë dollarë nga shitja e biletave nëpër kinematë botërore, duke u bërë kështu një sukses i shpejtë komercial. Ai e rrëfente historinë e Paul Atreides, një djalosh i ri me aftësi të jashtëzakonshme, i cili duhet të udhëtojë në një prej planetëve më të rrezikshëm në univers, për ta siguruar të ardhmen e familjes së tij fisnike dhe të mbarë popullit.

Projekti fantastiko-shkencor, i cili bazohet në romanin me të njëjtin emër të shkruar nga Frank Herbert, po ashtu i fitoi disa shpërblime të rëndësishme kinematografike, duke përfshirë gjashtë çmime “Oscar” dhe një “Globi i Artë”.