Aktori Timothée Chalamet nuk e ka përjashtuar mundësinë e rikthimit në një vazhdim të filmit “Call Me by Your Name”, por ka pranuar se një projekt i tillë duket pak i mundshëm.
Aktori 30-vjeçar u bë i njohur përmes rolit të Elio Perlman në filmin e vitit 2017, me regji të Luca Guadagninos, bazuar në romanin me të njëjtin emër të Andre Aciman.
Në një intervistë për revistën Vanity Fair, Chalamet u pyet nëse do të pranonte të luante në vazhdimin e filmit, të frymëzuar nga romani “Find Me”, i publikuar në vitin 2019.
“Për këtë pyetje, nuk duhet thënë kurrë kurrë. Por jam rritur me bindjen se nuk duhet t'u rikthehesh lehtësisht projekteve që kanë një rëndësi kaq të veçantë për njerëzit”, u shpreh aktori, ka shkruar Femalefirst.
Megjithatë, ai nuk e fshehu dëshirën për të bashkëpunuar sërish me regjisorin Luca Guadagnino.
“Të punoja përsëri me Lucan? Menjëherë, pa u menduar dy herë”, ka thënë Chalamet.
Aktori ka zbuluar gjithashtu se ka në plan një projekt të ri me një regjisor të njohur, por nuk ka dhënë detaje.
“Kam një projekt me një regjisor të jashtëzakonshëm. Është një zgjedhje kaq e natyrshme, saqë, nëse bëhet publik, besoj se do ta kuptoni menjëherë pse”, ka treguar ai.
Filmi “Call Me by Your Name” u bë një sukses ndërkombëtar dhe mori vlerësime të shumta, ndërsa Chalamet fitoi nominimin e tij të parë për "Oscar" falë këtij interpretimi.
Regjisori Guadagnino kishte shprehur më herët dëshirën për të bashkëpunuar sërish me aktorin, duke e cilësuar marrëdhënien e tyre profesionale si një bashkëpunim intensiv dhe frymëzues.
Një vazhdim i filmit ishte diskutuar edhe më parë, pasi Guadagnino kishte nisur të shqyrtonte përshtatjen e romanit “Find Me”. Megjithatë, projekti mbeti në pasiguri pas polemikave që përfshinë aktorin tjetër të filmit, Armie Hammer, në vitin 2021. Ai u hetua pas akuzave për sulm seksual, por nuk u ngrit asnjë akuzë penale ndaj tij.
Pavarësisht pasigurisë për një vazhdim, Chalamet dhe Guadagnino kanë ruajtur një marrëdhënie të afërt dhe miqësore edhe jashtë ekranit.