Showbiz

Princi Harry thotë se Meghan u cilësua si ‘shtrigë’ për ndryshimin e tij

Princi Harry i ka realizuar një sërë intervistash në prag të lansimit të librit të tij biografik, “Spare”, ku ndër të tjera ka folur edhe për lidhjen e tij me bashkëshorten, Meghan Markle, dhe familjen e tij mbretërore.

Duke folur për emisionin amerikan, “60 Minutes”, në një moment Harry i tha prezantuesit Anderson Cooper se Meghan ishte cilësuar si ‘shtrigë’ nga mediat britanike, për faktin se e ka ndryshuar atë si person.

“Një pjesë e madhe e brengave vinte nga familja, por gjithashtu nga mediat britanike dhe njerëzit e tjerë. Të gjithë thoshin, ‘Ai ka ndryshuar shumë. Ajo sigurisht është një shtrigë që e ka magjepsur”.

Duka i Sussexit me këmbëngulje thotë se shumë njerëz ishin të shqetësuar se shumë ndryshoi ai, pasi filloi të takohej me aktoren e serialit “Suits”.

Sidoqoftë, princi 38-vjeçar është i bindur se ka ndryshuar për mirë, sepse gjetja e dashurisë me Meghanin e ndaloi të vazhdonte në një rrugë shkatërruese për shëndetin dhe mirëqenien e tij, ku pothuajse çdo natë ishte i dehur dhe kalonte shumë kohë nëpër klube të natës.

“Po, unë ndryshova dhe jam i lumtur për këtë gjë. Sepse, në vend se të dehesha me alkool, të konsumoja droga apo t’i kaloja netët nëpër klube të natës, unë e gjeta dashurinë e jetës dhe më erdhi rasti ta krijoja një familje me të”.

Harry vazhdoi të flasë për deklaratën e fuqishme të cilën e bëri në mbrojtje të Meghanin, menjëherë pasi romanca e tyre u bë publike dhe ai pretendon se vëllai i tij, Princi William dhe babai i tyre, Mbreti Charles, nuk ishin të lumtur për këtë. Kjo ngase ata më parë kishin qëndruar të heshtur kur partneret e tyre ishin përballur me sulmet dhe presionin e shkaktuar nga mediat.

“Ata ndiheshin sikur kjo i bënte të dukeshin keq. Ju dukej se ata nuk kishin pasur të njëjtin rast ose nuk ishin në gjendje ta bënin të njëjtën gjë për partneret e tyre. Ajo që Meghan e përjetoi ishte e ngjashme në një farë mase me atë që e kaluan Kate dhe Camilla, por rrethanat ishin shumë të ndryshme. Më pas kur e marrim parasysh edhe elementin e garës, gjë të cilën mediat britanike e futën menjëherë në funksion dhe e shfrytëzuar në maksimum për ta sulmuar Meghanin. Të them të drejtën, unë u tregova shumë naiv në gjithë këtë situatë të krijuar”.

Autobiografia e Harry, “Spare”, e cila i referohet pseudonimit të princit, “trashëgimtari rezervë”, gjendet në raftet e librarive nga mëngjesi i së martës (10 janar), me versionin ‘Kindle’ të disponueshëm vetëm pas mesnatës. Po ashtu libri është përkthyer dhe do të shitet në gjithsej 16 gjuhë.

Sipas raportimeve në media, pallatit mbretëror “Buckingham” nuk iu dha një kopje paraprake e dorëshkrimit, dhe burime të brendshme thonë se familja mbretërore mund të qëndrojë e heshtur për përmbajtjen e tij, siç kanë bërë deri më tani pas lansimit të dokumentarit “Harry and Meghan” në Netflix.

Image