Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Premiera e sezonit të dytë "Big Little Lies" me shikueshmëri më të mirë se e para

Hit seria e HBO, “Big Little Lies”, filloi të hënën me sezonin e dytë, dhe sipas të dhënave të shikueshmërisë, ajo e ka tejkaluar sezonin e parë, shkruan Variety.

Premiera u shikua nga gjithsej 2.5 milionë shikues në kanalin HBO dhe shërbimin streaming HBO GO dhe HBO NOW. Kritikët e vlerësuan pozitivisht episodin e parë i cili e ka një rejting prej madje 99% në faqen Rotten Tomatoes. Për krahasim, premiera e sezonit të parë i tërhoqi 1.8 milionë shikues. Për sezonin e parë, seria fitoi dhjetëra çmime nga të cilat 8 “Emmy” në kategorinë e edicionit të limituar: “Emmy” për serinë më të mirë të limituar dhe për aktorët në një seri të limituar (Nicole Kidman, Laura Dern dhe Alexander Skarsgård).

Image

Sezoni i dytë vazhdon në ngjarjet nga sezoni i parë në të cilin heroinat tona nga Monterey duhet të ballafaqohen me pasojat e veprimeve të tyre. Bonnie (Zoë Kravitz) kurrsesi nuk mund të ballafaqohet me ngjarjen, ndërsa situata komplikohet edhe më shumë nga ardhja e nënës së Perry (Skarsgård), Mary Louise (Meryl Streep), e cila përpiqet ta zbulojë të vërtetën për vdekjen e djalit të saj. Pesëshja nga Monterey (Madeline, Celeste, Jane, Renata dhe Bonnie) janë të zëna edhe me fillimin e klasës së dytë, ndërsa prindërit e tjerë nuk i shikojnë si më parë...

Në rolet kryesore përsëri janë Reese Witherspoon, Nicole Kidman, Shailene Woodley, Laura Dern dhe Zoë Kravitz, ndërsa në rolet e tjera shfaqen Adam Scott, James Tupper dhe Jeffrey Nordling. Fituesja e Oscarit Meryl Streep është një përforcim i madh për këtë seri edhe ashtu të suksesshme, ndërsa në disa episode do ta shohim edhe Alexander Skarsgård, shkruan KOHA Ditore.

Sezoni i dytë i “Big Little Lies” transmetohet në kanalin HBO të hënave në orën 3 paralelisht me premierën në Shtetet e Bashkuara dhe më vonë të njëjtën ditë në orën 20.