Showbiz

P.Diddy shpreson të marrë dënim të lehtë

Sean Diddy Combs

Sean Diddy Combs

Foto: Associated Press

Reperi Sean “Diddy” Combs, po shpreson se do të marrë dënim të lehtë, ndërkohë që vendimi për lartësinë e dënimit nga ana e gjykatës pritet të merret më 3 tetor. 

55 vjeçi, aktualisht ndodhet në paraburgim pasi juria në gjyq e ka shpallur fajtor në dy akuza për transportim me qëllim prostitucioni dhe përfshirje në prostitucion.

Para vendimit të gjykatës, avokatët e tij kanë kërkuar që ai të ketë dënim më të lehtë.

Në dokumentet që i ka siguruar TMZ, thuhet se dënimi për krijuesin e hitit “I’ll Be Missing You”, do të jetë nga gjashtë deri në 12 muaj burgim për secilën akuzë, gjë që pritet të ndikojë në seriozitetin e akuzave që janë ngritur ndaj tij.

Combs ka cekur se tashmë ka kaluar 13 muaj i mbyllur në kushte të mjerueshme në qendrën e paraburgimit në Brooklyn të New Yorkut, ku u dërgua pasi u arrestua për disa akuza në muajin shtator të vitit 2024.

Reperi pretendon se për herë të parë pas 25 vjetësh është esëll nga alkooli e droga dhe po inspiron edhe të tjerë të burgosur me programin e tij.

Themeluesi i labelit “Bad Boy Records” gjithashtu ka cekur se ka dosje të pastër, përgjatë kohës që ka qëndruar në paraburgim, pa asnjë incident dhe se nuk ka dosje se ka bërë krime më herët.

Ai ka thënë se arrestimi i tij ka ndikuar në reputacionin e tij, duke i dëmtuar bizneset dhe familjen, për të cilën ka thënë se është shumë me rëndësi pasi shtatë fëmijët e tij dhe nëna në moshë varën nga ai për mbështetje dhe kujdes.

Si rezultat, ekipi i avokatëve të Combsit, ka kërkuar 14 muaj dënim me lirim të mbikëqyrur dhe ka kërkuar trajtim me ilaçe dhe terapi psikologjike.

Ndërkohë prokurorët kanë kërkuar që ai të dënohet me rreth 51 deri në 63 muaj burgim.

Pas arrestimit, në muajin korrik, avokati i tij, Marc Agnifilo, menjëherë ka bërë kërkesë që ai të lirohet nga burgu deri marrjen e vendimit për dënim, por gjykatësi vazhdimisht i ka mohuar kërkesat e tij, duke thënë se “ai e ka refuzuar kërkesën njëherë para së të fillonte gjykimi” dhe se “nuk e sheh të arsyeshme të arrijë në konkludim të kundërt tani”.

Agnifillo, mohimin e lirimit me kusht e ka quajtur “të padrejtë” duke i akuzuar prokurorët se po e ndëshkojnë ashpër Combsin.

Në një intervistë për Variety, Agnifillo pati thënë se reperi po kalon kohë të vështirë në burg pasi po i mungojnë shumë fëmijët.

“Kur të lirohet ai do të fillojë jetën me hapa të ngadaltë. Ai do të kalojë kohë më fëmijët dhe të riformojë jetën”, ka thënë avokati.