Reperi Sean “Diddy” Combs, pritet të dalë nga burgu federal në New York më 8 maj 2028, sipas të dhënave zyrtare të Byrosë së Burgjeve në SHBA, ka raportuar CBS News.
Reperi dhe producenti amerikan u dënua këtë muaj me 50 muaj burgim, pak më shumë se katër vjet, për dy akuza të lidhura me prostitucionin. Ai ndodhet në paraburgim që nga shtatori i vitit të kaluar dhe koha e kaluar në arrest do t’i llogaritet si pjesë e dënimit.
Avokatët e tij kanë dorëzuar një ankesë në Gjykatën Federale të New Yorkut, duke kundërshtuar si dënimin ashtu edhe vendimin e gjykatës. Ata pritet të paraqesin dokumente shtesë përpara se rasti të kalojë në shqyrtim nga një panel prej tre gjyqtarësh në Gjykatën e Apelit të Qarkut të Dytë të SHBA-së.
Gjatë seancës së shpalljes së dënimit, Combs foli për rreth 12 minuta, duke u shprehur se merr “përgjegjësi të plotë” për veprimet e tij.
“Dhuna ime në familje do të jetë një barrë e rëndë që do ta mbaj gjithë jetën”, ka thënë ai para gjykatësit, duke shtuar se “nuk kam asnjë justifikim, sepse e dija që po bëja keq”.
Ai pohoi gjithashtu se ishte “i sëmurë nga droga” dhe “jashtë kontrollit”.
Avokatët e tij kanë kërkuar që Combs të transferohet në një burg federal me siguri të ulët në New Jeresey, duke argumentuar se programi i trajtimit kundër varësisë në atë institucion do ta ndihmonte të qëndrojë i pastër nga droga.
Në një letër drejtuar gjykatësit Arun Subramanian, mbrojtja i kërkoi që të “rekomandojë fuqishëm” transferimin e tij nga Qendra e Paraburgimit Metropolitane në Brooklyn në FCI Fort Dix, një burg i madh që ndodhet në bazën ushtarake të përbashkët McGuire-Dix-Lakehurst.