Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Ndërron sërish data e lirimit nga burgu të P.Diddyt

diddy

Foto: Associated Press

Sean “Diddy” Combs tani pritet të lirohet nga burgu në janar të vitit 2028.

Reperi 56-vjeçar aktualisht po vuan një dënim prej 50 muajsh, pasi është shpallur fajtor për dy akuza për transportim personash me qëllim përfshirjen në prostitucion. Duke përfshirë edhe kohën e kaluar në burg që nga arrestimi i tij në shtator 2024, fillimisht ai pritej të lirohej në qershor 2028, por kjo datë ka ndryshuar disa herë, përfshirë edhe një ndryshim tjetër këtë javë.

Sipas të dhënave të Byrosë Federale të Burgjeve të siguruara nga TMZ, këngëtari i hitit “I’ll Be Missing You” tani do të lejohet të dalë nga burgu federal FCI Fort Dix më 21 janar 2028, duke zëvendësuar datën e fundit të caktuar për lirimin e tij, 5 shkurt të të njëjtit vit.

Ndërkohë, pavarësisht se ndodhet në burg, Combs raportohet se po jeton në kushte relativisht luksoze brenda burgut në New Jersey, pasi dyshohet se ka përdorur pasurinë e tij për t’u paguar të burgosurve të tjerë që t’i kryejnë punët dhe t’i bëjnë masazhe.

Katër burra që kanë kaluar kohë në sektorin ku qëndron ai, kanë folur në mënyrë anonime për NBC News, e cila gjithashtu ka shqyrtuar fotografi dhe video të bëra brenda burgut, përfshirë pamje ku reperi duket se përdor një telefon kontrabandë.

Sipas burimeve, Combs shpenzon mijëra dollarë, ndërsa njerëz jashtë burgut depozitojnë para në llogaritë e blerjeve të të burgosurve që punojnë për të, përfshirë një person që pastron tualetet dhe dushet para se ai t’i përdorë, si dhe të tjerë që i gatuajnë fshehurazi ushqime të veçanta, duke përdorur një pajisje ngrohëse të improvizuar. 

Kur kishte mbërritur në Fort Dix, Combs i ishte bashkuar një programi për trajtimin e varësisë nga droga, por dyshohet se kishte përdorur rrjetin e krijuar atje për të siguruar telefonin, alkoolin dhe një numër të burgosurish që punojnë për të.